Mirush Kabashi: Ligji, më autokratik se në kohën e Ramizit

620
Aktori i njohur, Mirush Kabashi, ka folur pak ditë më parë për nismën e qeverisë për një ligj të ri për teatrin. Ai e konsideron ligjin ekzistues, autoritar, sepse drejtorët artistikë i cakton kryeministri, bordin artistik e zgjedh ministrja dhe komuniteti artistik nuk ka asnjë lloj të drejte për të zgjedhur. “Skema është e gatshme. Si tek futbolli, edhe shkollat, ky duhet të jetë sistemi ynë, që ne të kemi mundësi të zgjedhim bordet artistike, mbi bazat e konkurseve dhe me votim. Nuk po flas për drejtorët, por këshilli artistik i tanishëm në Teatrin Kombëtar nuk ka asnjë aktor, asnjë regjisor, asnjë dramaturg. Ky ligj që ne kemi është më autokratik se në kohën e Ramiz Alisë. Berti (Robert Ndrenika) e kujton, kohën kur u bë një Ligj për teatrin, që ua hiqte të drejtën komiteteve të partive, që të merren me problemet artistike dhe me problem të repertorit të teatrit. Këtë të drejtë ia delegoi këshillave artistike, që zgjidheshin nga kolektivi. Kjo zgjati për një apo dy vjet. Imagjinoni edhe atëherë ne kishim guximin të ngrinim zërin kundër një vendimi të Komitetit Qendror, kurse sot është kthyer mbrapsht. Është kryeministri që cakton drejtorin artistik, me propozim të ministrit të Kulturës. Sigurisht që ata do kenë menaxherët, supervizorët e tyre nga ana financiare, pasi paratë e biletave nuk e mbajnë teatrin, por kjo piramidë artistike është e turpshme”, tha Kabashi. Sipas tij, drejtorët i shkrinë sindikatat dhe kjo erdhi që nga kryeministri, i cili tha që tek ne nuk ka sindikata. “Unë kam pasur fatin e keq që të jem në krye të sindikatës së Durrësit që në vitin 1990 dhe ta mbyll në TK. Dhe kemi punuar shumë për dy probleme: për ligjin dhe për statusin. Dhe ky i fundit është i gatshëm”, vlerësoi aktori.
Sigal