Mirënjohje për gazetën “Telegraf” nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”

60

Si askush tjetër nga media e shkruar, gazeta “Telegraf”, ka pasqyruar dhe përcjellë për publikun e gjerë, gjithë veprimtaritë, ngjarjet, historinë dhe ceremonitë festive të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”. Ky është një kontribut i çmuar, jo vetëm për trevën e Labërisë, por edhe më gjerë, për tërësinë e zhvillimeve kombëtare. Gazeta “Telegraf”, ka qenë një shtëpi me dyer të  hapura  për Labërinë ndër vite, jo vetëm në qendër, por për të gjithë krijuesit, publicistët dhe veprimtarët e drejtuesit e Shoqatave në rrethe, duke filluar nga Vlora, Saranda, Tepelena, Gjirokastra, Fieri, Patosi, Durrësi e Tirana.  Kjo gazetë, me informacionin e saj korrekt, i ka paraprirë veprimtarive të shoqatës dhe i ka pasqyruar ato në tërë spektrin, realitetin dhe koloritin e tyre. Në vite, e veçanërisht në 100- vjetorin e Pavarësisë, ka krijuar një hapësirë gjithëpërfshirëse, për të evokuar këtë ngjarje madhore unikale në jetën e një kombi dhe për ta prurë atë të freskët në kujtesën e brezave të moshuar, por edhe tek më të rinjtë. Me një përkujdesje të veçantë, të drejtuesve të saj, janë shpalosur  tërë episodet, ngjarjet, personalitetet dhe dita e shënuar dhe e bekuar , 28 Nëntori i Shpalljes së Pavarësisë. Në këtë vështrim, ky organ dinjitoz, është një arkiv i gjallë i momenteve kruciale të Kombit Shqiptar. Ajo, ka qenë koherente për të transmetuar te lexuesi veprimtaritë madhore të Shoqatës “Labëria”, si denoncimin që bëri Shoqata,  për shitjen e detit nga Qeveria e kohës, te fqinji ynë Greqia, duke marrë solidaritetin edhe të rreth 70 Shoqatave të tjera nga Jugu në Veri. Njëkohësisht, të njëjtin sensibilitet ka pasur edhe për çështjen e deklarimit të popullsisë sipas etnisë dhe fesë, për hapjen e shkollave greke në Jug të vendit, për njohjen e varrezave greke në rajonin e Jugut, Gjirokastër, Përmet, Korçë e Tepelenë, si dhe për shkatërrimin dhe ndotjen e mjedisit, e për shumë probleme të tjera, që Shoqata i ka atakuar dhe i ka pasur objekt të trajtimit të saj. Me këtë rast, dëshirojmë të falënderojmë dhe median elektronike, që kanë qenë të vëmendshëm ndaj ngjarjeve  kombëtare. Është për të ardhur keq, që TVSH-ja, që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë, nuk ka treguar asnjëherë gatishmërinë për të pasqyruar këto veprimtari me sens shoqëror. Ky televizion dhe simotrat e tij, dhe shumë media të tjera të shkruara dhe elektronike, janë investuar për personazhe politike që s’kanë asnjë vlerë jo vetëm për shoqërinë, por as për subjektin e tyre politik dhe i kanë bërë fresk Qeverisë, edhe kur ajo ka qenë në veprime flagrante në kundërshtim me interesat e vendit. Ka ardhur koha që të emancipohet jo vetëm politika, por edhe mediat rutinë, që rendin pas kronikave të politikanëve shterpë. Mediat e shkruara dhe elektronike, duhet të vlerësojnë veprimtaritë e shoqatave Atdhetare-Kulturore, se ato janë zëri i shoqërisë civile, duke ndjekur shembullin pozitiv të gazetës “Telegraf” dhe televizioneve reflektues “Top Channel”, Nevvs 24”, “Vizion Plus” dhe “Ora Nevvs”, që kanë treguar sensibilitet ndaj ngjarjeve kombëtare.

Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”,  i shpreh mirënjohjen e thellë drejtuesve të gazetës “Telegraf”, veçanërisht  pronarit të saj Agim Çiraku dhe Drejtorit Engjëll Musai, si dhe stafit të saj, që janë treguar fleksibël dhe transparent për të prurë në tribunën e kësaj gazete, morinë e problemeve më nevralgjike, që shqetësojnë shoqërinë shqiptare në këto vite të trazuara të pluralizmit dhe demokracisë funksionale.

 Urojmë që Gazeta “Telegraf”, si deri më sot,  edhe në të ardhmen, të jetë në panteonin e shtypit shqiptar.

Mirënjohje nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”

 Kryetar

Prof. Dr. Ago NEZHA

Sekretari  i  Përgjithshëm

Xhemil   ÇELI