Mirënjohje e respekt për Sharaf Draçin, mësuesin që punoi 47 vite në arsim

170

DELVINË/Ishte dhe mbetet model i intelektualit, mësuesit dinjitoz që punoi e edukoi breza të tërë nxënësish

Vjen një ditë që mbledh mbi vete sirtarët e dokumenteve të viteve të jetës dhe kjo mes një përjetimi që përlotja vjen vetvetiu si një vetëtimë në ditë vere. Dhe sa çudi?! Mblidhemi e gëzojmë, festojmë me buqeta me lule, sy përlotur e me trishtim të shpenguar. Po pse e gjithë kjo dalldisje shpirtërore? Kolegu ynë, Sharaf Draçi del në pension! Një fjali e shkurtër në morfologji e sintaksë, por e ngarkuar në figuracion. Mes këtyre petaleve të luleve, mes stërkalave të lotëve të kolegëve e nxënësve, mes gëzimit dhe dhimbjes, dhimbje që ndarja e shoqëron, fshihet e strukur në strehën e kujtimeve dhe viteve të një jete pune 47-vjeçare, portreti i një mësuesi të përkushtuar, modeli i atij mësuesi që kërkon koha. 47 vite mes fëmijëve, mes asaj vorbulle përkushtimi në arsimimin e brezit të ri. Dhe vetvetiu, ne kolegët e tij, tek pamë këtë përjetim dashurie, respekti dhe mirënjohjeje të kolegut tonë të përcjellë nga nxënësit tanë, na erdhi pranë më e besueshme se mësuesi është engjëlli i dijes dhe i mirësisë së njerëzimit, është ai që të hap sytë dhe të tregon rrugën e jetës pas prindit, është ai që një jetë ta përkushton ty. Janë breza që kanë mundur të vijnë në ceremoninë e daljes në pension të mësues Sharafit, dhe mendoni breza në 47 vite pune…

Mësues Sharafi lindi në fshatin malor të Kopaçezës të komunës Vergo në Delvinë më 06 Janar 1949. I lindur jetim, pa baba, pasi i vdiq pa ardhur në jetë dhe këtë mungesë të dashurisë atërore në rritjen e tij e ktheu në det të dashurisë atërore për nxënësit e tij, profesion që e nisi në një moshë të njomë që 18 vjeç kur mbaroi shkollën pedagogjike në Vlorë dhe deri sa doli në pension, përkushtimit dhe dashurisë së mësuesisë me arsimimin dhe edukimin e vogëlushëve të këtij fshati në skaj të një komune malore, nuk ja ndau gjithë jetën, deri në këto çaste me emocione të papërmbajtshme dhimbjeje, por edhe krenarie për profesionin tone si mësues… S’e dimë dhe kemi një rrugë të gjatë që nga shkolla e parë shqipe, mes një përvoje model që ja vlen të jesh mësues. Si mësuese e kësaj shkolle, them se jam me fat që kam qenë kolege e Sharaf Draçit. E bindur për këtë që shkruaj dhe më tej se kaq edhe nga komentet e kujtimet e ish-nxënësve dhe nxënësve, ku mes tyre gjen një portret përkushtimi, ku synimi të jep realizimin e qëllimit. Po sjell një shembull: Mes shumë shkrimeve në një orë të lirë letrare për përshtypjet e tyre nga  ekskursioni më i fundit i zhvilluar nga shkolla jonë, në këtë krijim të lire, nxënësit në unison kishin fokusuar këtë artikulim vlerësues: “Ah, more mësues Sharafi, kur do na bësh një ekskursion tjetër?”

Përtej këtij vlerësimi të nxënësve, vjen edhe vlerësimi ynë si koleg, sot në ditën e daljes në pension. Mësues Sharafi, përveçse përgjegjësisë për mësimdhënie e mësim nxënie, edukim dhe zhvillim të procesit mësimor, një përkushtim ky ndaj nxënësit, edhe me ne kolegët më të rinj, me urtësinë prindërore, me mençurinë e një përvoje, me respektin e një kolegu, na jepte leksione mes bisedash, ku nuk mungonin këshillat, se si ta duam profesionin, mos ta shohim pragmatist, se mbi të gjitha kemi përgjegjësinë e një të ardhmeje… Me mësues Sharafin morëm një përvojë edhe të traditës, edhe të metodave të reja në mësimdhënie, por gjithmonë në qendër të vëmendjes nxënësin në mësimdhënie…

Le të flasim edhe pak më tepër për portretin e tij. Ashtu si pothuaj të gjithë edhe mësues Sharafi njohu kurbetin në kërkim të një jete më të mirë për të dhe fëmijët e tij. E gjithë kjo periudhë shkëputjeje nuk shërbeu si ndarje, por si një periudhë reflektimi dhe mobilizimi me forca e njohuri të reja duke qëndruar gjithnjë i përditësuar me zhvillimet në arsim. Rikthimi qe i bujshëm në shkollën e Stjarit, ku nxënësit e mësues Sharafit dalloheshin qartë në ciklin e lartë. Unë kam pasur fatin e mirë të jem një mësuese, që pasi ka marrë në duar nxënësit e sjellë nga ky mësues, të ndieja shijen e fitores mbi injorancën, ndjesinë e mirë se ne mund t’ia dalim si mësues në misionin tonë, se shembuj të tillë na frymëzojnë gjithnjë për të na treguar se ana e mirë ekziston dhe ne duhet të këmbëngulim deri në fund për ta gjetur e për ta kthyer në gjirin tonë. I them të gjitha këto për të gjithë ata mësues (sidomos të rinj, po jo vetëm) që nuk e kanë gjetur ende qëllimin e mësuesisë dhe paraqiten çdo ditë para nxënësve pa një ide të qartë e largpamëse në punën që bën. Si mund të kenë rezultate konkrete këta lloj mësuesish? Mësuesia nuk është vetëm një vend pune, ku duhet të paraqitesh, të plotësosh disa shkresa burokratike dhe të ndiesh krenar për këtë, pasi më shumë nuk mundem në këtë lloj shoqërie, po një mision po aq i rëndësishëm sa ai i Kryqit të Kuq për shembull gjatë një lufte, po jo për trupin e njeriut, po për mirërritjen e edukimin e brezave, një detyrë fisnike që duhet kuptuar si e tillë. Dhe mësues Sharafi e kishte kuptuar këtë mision. Më së miri! Dhe ishte shembull konkret nga mund të mësojmë të gjithë. Ai nuk u dorëzua kurrë para të papriturave dhe pengesave që nuk janë të pashmangshme në çdo mjedis shkollor, por diti t’i përballojë ato me dinjitet,pa e humbur kurrë besimin në cilësitë e mira të secilit nxënës dhe përqendrimin e punës në ato cilësi duke kultivuar edhe të tjera në bazë të tyre… Ngrohtësia dhe përkrahja nga ana e mësues Sharafit nuk kanë munguar kurrë. Projektet e realizuara prej tij në ekskursione të ndryshme, ku përpiqej për një pjesëmarrje sa më të gjerë, për një aktivizim konkret të të gjithë nxënësve pjesëmarrës, lanë pasoja të pashlyeshme te nxënësit. Ekskursioni i tyre bëhej i plotë në rastet, kur përputhja me programet afatgjata të shkollës, me programet e lëndëve të ndryshme, por mbi të gjitha me qëllime edhe më të mëdha se këto si: përgatitja e nxënësve për jetën, njohja e vendit ku jetojmë, bashkërendimi i punës në grupe, forcimi i solidaritetit brenda grupit apo klasës nëpërmjet ndarjeve të emocioneve të përbashkëta.

Talenti i veçantë i mësues Sharafit si një “piktor” i ka dhënë një pamje të këndshme nga ana figurative shkollës sonë. Pa përtuar asnjëherë ai realizonte në tabela të veçanta program e veprimtarive më të rëndësishme, duke tërhequr vëmendjen e nxënësve dhe duke i bërë më aktiv ata… Krijimi i grupit lab të shkollës që po vazhdon të ekzistojë edhe me ndërrimin e brezave, apo i grupit të vallëzimit ritmik që marrin pjesë në veprimtaritë e ndryshme të zhvilluara në krahinën apo rrethin tonë, me një paraqitje të kënaqshme janë rezultatet e një pune këmbëngulëse dhe të duruar. Gjithashtu, pjesëmarrjet individuale në konkurse recitimi, apo veprimtari të ndryshme sportive që i kanë dhënë rezultatet e pritura me gjithë numrin e vogël të nxënësve të shkollës sonë tregojnë me shembuj konkret  se ky mësues ia doli. Është radha jonë të vazhdojmë më tej këtë stafetë që mësuesi na ka lënë në dorë…

Sot dita ishte gri si flokët e tij. Sa hyra në oborrin e shkollës ktheva kokën nga dritarja e klasës së tij. Ai vinte gjithnjë i pari dhe ajroste klasën edhe, kur ishte ftohtë dhe duart i mërdhinin. Prisja që të shfaqej në dritare me përparësen e bardhë dhe pamjen e tij të rregullt. Të gjitha këto do të më mungojnë, jo vetëm mua!

Natasha XHELILI/ *Mësuese-poete, autore e librit:”Mali sheh Ëndërr”.