Mirë se erdhe Edi djali, për Për Enver’ na nxorre mallin

568
Sigal

Pritja si në kohën e diktatori Hoxha, trondit qytetin e Korçës Peleshi zbukuron ambientet me vazo lulesh,  i heq ato me të ikur Rama

Mëngjesi i së shtunës erdhi si çdo mëngjes tjetër, vetëm për bashkinë e Korçës dhe Partinë Socialiste në këtë qytet erdhi disi ndryshe. Një pjesë e njerëzve të bashkisë dhe disa prej militantëve të partisë nisën të ndihen të alarmuar. Lëviznin gjithandej të shqetësuar. Nuk po kuptohej në çfarë halli kishin rënë e nuk po ngriheshin dot. Ç’të kishte ndodhur vallë? Njerëzit vështronin me habi lëvizjet e tyre poshtë e lartë me makina, që hipnin e zbrisnin, shkonin dhe vinin dhe prapë të alarmuar mbeteshin. E njëjta ndjesi kishte pushtuar edhe zëvëndëskryeministrin Peleshi dhe kryebashkiaku Sotiraq Filo. Kurrë më parë Korça nuk e kishte parë në këtë gjendje dyshen e njohur Filo-Peleshi, por më shumë se të tjerët, Peleshin nuk po e mbante vendi. Si thonë fjalës, e hidhte dheu përpjetë. Ç’të kishte ndodhur vallë? Dihej që kryeministri i vendit, Edi Rama do të vizitonte qytetin e Korçës, por pse gjithë ky ankth kësaj radhe? Njerëz të Bashkisë dhe militantë po silleshin si dikur një herë e një kohë, kur në Korçë vinte udhëheqësi i madh i popullit dhe i partisë, ylli i pashuar, Enver Hoxha. Sigurisht, nuk mund të ishte kjo arsyeja, vetë Rama nuk do ta dëshironte një pritje si të diktatorit

Këkoheshin lule

Megjithatë askush nuk po e kuptonte nëse kishte ndodhur diçka apo pritej të ndodhte. Grupi i njerëzve të alarmuar ende nuk kishte gjetur qetësi. Shkonin e vinin, ngjiteshin dhe zbrisnin dhe sa herë takoheshin në udhë, pyesnin njëri-tjetrin: “Hë mo byrazer gjete gjë?” I dëshpëruar i përgjigjej tjetri: “Jo bre vëllaçë, ku të gjesh!” “U tartarosëm fare nga të ftohtët”,- shtonte një i tretë, duke pyetur gjithë merak: “A erdhi Rama?” Gjithsesi, halli i tyre nisi të kuptohej; ata ishin dukë kërkuar diçka që nuk po e gjenin dot. Kureshtja u bë edhe më e madhe, por edhe çudia po ashtu. Kur nuk po e gjenin dot atë që po kërkonin, atëherë pse nuk lajmëronin policinë? Mund ta shpallnin në kërkim dhe shumë shpejt do të ishte i arrestuar. Dikush prej tyre përmendi fjalën “lule”. Situata nisi të bëhej edhe më e qartë. Ata ishin vënë në kërkim të luleve. Kjo ishte e pabesueshme. A ishin në terezi këta njerëz apo kishin dalë nga fiqiri. Kur ishin gjendur ndonjëherë lule në Korçë në mes të dimrit. Të gjithë hodhën sytë nga lulishtet që ndodhen ty pranë. Vështruan nga kopështi i “Princesha Sanije”, por nuk panë asnjë lule të çelur. Hodhën sytë edhe nga lulishtja “Vangjush Miho”, por përsëri e njëjta gjë. Megjithatë  njerëzit e bashkisë dhe militantët vazhdonin të kërkonin lule…

E pabesueshme

Gjithçka ishte e pabesueshme. As diktatori Hoxha që thoshte, “do ta bëjmë Shqipërinë lule”, nuk kishte patur guximin të kërkonte lule në mes të dimrit. Megjithatë, ata, hynin dhe dilnin, shkonin e ktheheshin, por pa gjetur asnjë lule. Zëvëndëskryeministri priste t’i raportonin: “Gjithçka në rregull, lulet u gjetën!” Pas kësaj edhe kryebashkiaku Filo do të ndihej më mirë. Sa do të gëzohej udhëheqësi i partisë! Ndoshta do të mendonte: “Sa të mirë i kam këta të dy, Peleshin dhe Filon, nuk dinë kurrë të servilosen, por dine vetëm të të respektojnë”. Për dyshen e Korçës, nuk do të ishte e tepërt edhe krijimi i ndonjë kënge të re: “Mirë se erdhe Rama djali, për Enver’ na nxore mallin…”. Por ndoshta vizita e kryeministrit kishte qenë e papritur dhe nuk kishte patur kohë as për tekste, as për kompozime, as për frymëzime, dhe as për gjetjen e këngëtarëve të folklorit. Gjithsesi, kjo nuk ishte hera e fundit që Rama vinte në Korçë, ai do të vijë e do të shkojë edhe herë të tjera dhe ndoshta në një nga këto vajtje-ardhjet e tij do t’i këndohet edhe ndonjë këngë: “E rilinde Shqipërinë, lulet çelin dhe në dimër!” Në fakt, po të ishte ftuar këngëtarja Rovena Dilo, mund t’i kishin këndonte një këngë që sebepit do t’i shkonte shumë: “Ti o zemër, ti o zemër/, mua që nga dit’ e parë/, si një ëndërr si, një si një ëndërr/, dimrin ma bëre behar…”

Lulet çelin dhe në dimër

Por në Korçë, lulet mund të çelin edhe në dimër. Sakaq lajmi u përhap cep më cep të Korçës: “Lulet u gjetën!” Dhe jo një e dy, por shumë, vazo të mëdha me plot lule dhe burbuqe, të bukura, të freskëta, të këndshme e gjithë kundërmim. Të linin pa mend. Do të çuditej udhëheqësi i partisë e me siguri do të thoshte “Sa të zotë i kam këta të dy, dinë ta presin mysafirin”. Në ato çaste dikush priste që kur Rama të zbriste nga makina  t’ia shtronin udhën me tapet të kuq: “Mirë se erdhe Rama djali!” Lulet e gjetura, u vendosën nëpër makina dhe bënë tutje gjithë hare, plot shkëlqim dhe dritë, drejt  Qendrës Komunitare që do të vizitohej nga kryeministri. U vendosën vazot në vendet e duhura. Pastaj bënë disa hapa prapa për të parë se si dukeshin, a ishin vendosur ku duheshin r si duheshin, a ishin kombinuar ngjyrat dhe aromat. Kur u bindën se gjithçka ishte si duhej dhe nëse do të përpiqeshin për më mirë do ta djallosnin fare, hoqën dorë nga përmirësimet e mëtejshme.. Tashmë, dyshja Filo Peleshi kishte rënë në qetësi. Njerëzit e bashkisë dhe militantët morën frymë thellë: “Bacë u kry!” Tani kryeministri le të vinte kur të donte. Një gjë ishte e sigurt. Ai do të mbetej i hutuar. Rilindja e vërtetë kishte ndodhur vetëm në Korçë, këtë e tregonin vazot e luleve. Mungonte vetëm Sulo Gradeci.

Takim me romët dhe egjiptianët

Më në fund edhe z. Rama mbërriti te Qendra Komunitare e cila, në të vërtetë ishte ndërtuar nga diktatori Hoxha, por kryebashkiakët e Korçës, e lanë të shkatërrohej me qëllim që ta bënin edhe më të bukur. Përsëri u bë ashtu siç kishte qenë, por u shtuan edhe vazot me lule. Kryeministri shoqërohej nga ministri i Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj dhe nga  koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Tiranë, Zineb Touimi-Benjelloun, si dhe nga drejtues të pushtetit vendor etj. Që të gjithë, kur panë vazot e luleve, mbetën pa fjalë, të habitur, të mrekulluar dhe mirënjohës aq sa ishin gati të lotonin. Mysafirët nuk u gëzuan për vete, se ata kishin parë lule edhe më të bukura se aq, por u mallëngjyen kur kuptuan se këto lule ishin sjellë enkas për komunitetin rom dhe egjiptian. Sepse, siç u tha në atë takim, romët dhe egjiptianët do t’i përdornin këto ambiente për mbledhje, takime, trajnime e për gjithçka tjetër në të mirë të komunitetit. “Të bukura këto lulet,- tha një rome e bukur,- por mos na i marrin prapë, kur të ikë Rama?” Që t’i merrnin përsëri vazot me lule nuk donte ta besonte asnjë prej vajzave rome dhe egjiptiane. “Jo,- tha njëra prej tyre, marrja e vazove të luleve do të ishte fyerje edhe për kryeministrin, po kur ta marrë vësh ai, çfarë do të thotë. Të gjejë vend Filua dhe Peleshi ku të futen!” Ky arsyetim sikur i qetësoi çupat rome dhe egjiptiane.

Investime për romët dhe egjiptianët

Fillimisht foli kryeministri, integrimi i romëve do të ishte në dinjitetin e shoqërisë shqiptare që ta bënte këtë, por më konkret ishte ministër Veliaj. Ai tha se ga viti 2015 deri në vitin 2020, romët dhe egjiptianët do të përfitojë në 6 fusha kryesore. Për arsimin rreth 15 milionë euro, për punësimin 6.5 milionë euro, për shëndetësinë 2.4 milionë euro, për ndihmë ekonomike 2.3 milionë euro  si dhe 2 milionë euro për shërbime të tjera, si regjistrimin, integrimin asistencën ligjore etj, ndërsa për strehimin 7 milionë euro. Por kur Veliaj foli për strehimin, gjithë romët dhe egjiptianët u panë sy më sy me njëri-tjetrin. Të ishin të vërteta të gjitha këto? A nuk ishte zëvëndëskryeministri i sotëm Niko Peleshi ai që dogji fondet dhe la pa strehuar 44 familje rome dhe egjiptiane? Kush do t’i siguronte kësaj radhe se fondet nuk do të digjeshin përsëri. E vetmja siguri ishin vetëm vazot me lule të cilat ishin sjellë enkas për romet dhe egjiptianët dhe ky ishte një ndryshi i madh, sepse dëri më sot nuk kishte ndodhur kurrë që edhe romëve t’u dhuroheshin lule.

Projekti për romët dhe egjiptianët

Dhe ashtu siç ishin, të rrethuar nga lulet e bukura, romët dhe egjiptianët sillnin ndërmend projektin që ishte ideuar për ta e që nuk u realizua kurrë. Kjo ndodhi në kohën kur në krye të bashkisë ishte Niko Peleshi. Projekti në fjalë synonte ndërtimin e banesave tip dykatëshe të grupuara në blloqe me qëllim reduktimin e kostos së ndërtimit. Kostoja totale e tyre parashikohej 86.527.708 lekë, nga të cilat 64.027.708 lekë do të ishin nga grandi i M.P.P.T.T dhe 22.500.000 lekë nga Bashkia e Korçës. Mirëpo edhe ky projekt nuk u realizua. Cilat ishin arsyet?  Vendi që ishte përzgjedhur nga bashkia për ndërtimin e banesave nuk ishte Korça, por tranverbangu i minierës”, Mborje-Drenovë, gjë që kishte si qëllim largimin e romëve nga Korça. Vendi i gjetur për këtë investim ishte kaq i papërshtatshëm sa specialistët e ndërtimit e hodhën poshtë këtë propozim  Fatkeqësisht fondet u dogjën, sepse bashkia nuk siguroi një vend tjetër brenda territorit të qytetit. Megjithatë hedhja poshtë e projektit në fjalë ishte një fatmirësi për banorët e dy komuniteteve, pasi ende vazhdojnë të jenë banorë të qytetit të Korçës. Perëndia kishte qenë me ta. Askush prej tyre nuk donte të ikte nga Korça, sepse përveç tregtisë dhe muzikës e kanë të vështirë të jetojnë me zanatin e bujkut dhe të blegtorit.  Megjithatë për romët dhe egjiptianët ishin lulet ato që u jepnin shpresë e besim

Ku janë vazot e luleve!

Takimi sapo kishte mbaruar. Romët dhe egjiptianët dolën bashkë për të përcjellë mysafirët. Më të lumtur se atë ditë nuk kishin qenë ndonjëherë. I ndoqën me sy që nga çasti që u hipën makinave e deri sa nuk dukeshin më. I uruan kryeministrit udhë të mbarë dhe kthim sa më të shpejtë në Korçë, që sërish të gjendeshin mes çasteve të lumtura. Pas kësaj, u kthyen në Qendrën Komunitare. Dëshironin të rrinin edhe pak më shumë mes atyre ambienteve aq të bukura, aq çlodhëse dhe aq frymëzuese, por nuk ndodhi kështu. Kur hynë brenda, panë se disa njerëz po i merrnin lulet dhe po i vendosnin në makina. Nuk po u besonin dot syve. Si ishte e mundur? Mirëpo ajo që po shihnin pas pak u bë realitet. Qendra Komunitare mbeti e zbrazët dhe pa asnjë vazo lulesh. “Nuk i kishin sjellë për ne”,- tha një vajzë rome . “Për kë i sollën”,- pyeti tjetra. “Për Edi Ramën, për kë tjetër!”- ishte përgjigjja. Trishtimi u bë i madh për të gjithë. “Jam e sigurtë,- tha një vajzë tjetër, që edhe Rama do të trishtohet kur ta marrë vesh që lulet i kishin sjellë sa për ta mashtruar edhe atë vetë”. “Kushedi ç’do të thotë kryeministri kur ta marrë vesh të vërtetën, të gjejnë vend ku të fshihen, Peleshi dhe Filo!”. Thua të ndodhë kështu,- pyeti tjetra.  “S’di ç‘të them, sepse besoj që Rama nuk ka për ta marrë vesh të vërtetën kurrë, atij nuk do t’ia thonë, do t’ia mbajnë të fshehtë, kur ta marrë vesh ai ehuuu e ka marrë ferra uratën”.

Vepror Hasani