Miratohet taksa për përdorimin e puseve të ujit

2021
Komisioni parlamentar i VeprimtariFamiljarët që kanë në përdorim një pus uji dhe i ofrohet shërbimi nga ujësjellësi do të paguajnë taksë. Drejtori i Politikave dhe Burimeve Ujore, Arben Pambuku, ka shpjeguar se ende nuk është vendosur një nivel për tarifat dhe se kjo pjesë do rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas tij për këtë kategori do të parashikohet një tarifë minimaliste që ka si synim formalizimin. Ndërkohë opozita ka kërkuar të përjashtohen nga tarifa për puset, familjarët dhe fermerët. Gjatë prezantimit të projektligjit në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, përfaqësuesi i ministrisë tha se për konsumatorët do të ketë tarifë në ato raste kur familjet marrin shërbimin nga ujësjellësi. Sipas qeverisë, tarifat do të jenë minimaliste dhe kanë si synim të formalizojnë ujërat nëntokësorë. “Politika dhe filozofia e këtij ligji është uji do paguhet në çdo pikë të përdorimit të tij, për familjarët lidhur me puset, kur nuk i është ofruar shërbim ujësjellës, tarifa është zero”, nënvizoi Arben Pambuku, drejtor i Politikave dhe Burimeve Ujore. Opozita kërkoi që të përjashtohen nga kjo taksë familjarët dhe fermerët, por ky propozim nuk u pranua nga maxhoranca. “Kushti ynë i vetëm është se individët, pavarësisht se mund të regjistrohen me një akt formal, duhet të jenë të përjashtuar nga fushëveprimi i kësaj, dhe fushëveprimi i ligjit ngelet vetëm tek burimet e përdorura nga personat juridikë, pra uji industrial i përdorur nga kompanitë e mëdha”, tha Florion Mima, deputet i Partisë Demokratike. Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim e kundërshtoi këtë draft, duke deklaruar se do të votojnë kundër. Edmond Panariti tha se nuk mund të vendoset një taksë e tillë për fermerët kur mungojnë investimet në ujësjellës. “Familjarët janë të detyruar që të përballojnë tatime dhe taksa shtesë për përdorimin e ujit, të cilët ata e kanë bërë në mungesë të investimeve qeveritare”, u shpreh Panariti. Sipas tij, pozicioni i LSI, në raport me Reformën e Ujit dhe për administrimin e integruar të burimeve ujore, është i qartë. “Të gjithë jemi të interesuar për një mirë administrim të burimeve ujore të vendit dhe të gjithë mekanizmat, qofshin këto incentiva fiskale apo mekanizma rregullatore duhet t’i shërbejnë sa më mirë administrimit të burimeve ujore. Por këto nuk duhet të kthehen në instrumente penalizues, që shtojnë barrën e tatimeve dhe taksave, veçanërisht mbi përdoruesit e ujit në zonat rurale dhe për fat të keq hapat qeverisë në këtë drejtim janë dekurajuese për atë masë të madhe të fermerëve të cilët janë privuar nga investimet prej vitesh në rritjen e kanalizimeve të ujësjellësve në fshat. Dhe që tashmë përballen me një barrë të pamerituar tatimore dhe fiskale”, sqaroi Edmond Panariti.

Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, subjektet që do të shfrytëzojnë puse duhet të regjistrohen. E në rast se ky afat nuk do të respektohet, do të duhet të paguajnë gjoba që shkojë nga 500 mijë deri në 2 milionë lekë.

Sigal