Miratohet ligji i ri për turizmin, kriteret e reja

670
Ligji i ri për turizmin që tashmë ka marrë miratimin në Kuvend, pritet të përcaktojë zbatimin e rregullave të reja nga operatoret e këtij sektori. Një nga detyrimet e ligjit është kategorizimi i njësive akomoduese e për këtë qëllim do të kontraktohet një kompani e huaj. Referuar ligjit, çdo sipërmarrje turistike, që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese, duhet të paraqesë pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin kërkesën për pajisjen me çertifikatë klasifikimi. Çertifikata e klasifikimit është e vlefshme për një periudhë 4 vjeçare, me të drejtë rinovimi brenda 30 ditëve nga afati i mbarimit të vlefshmërisë së saj.
Ligji parashikon mundësinë e riklasifikimit të strukturës akomoduese, përpara periudhës së mbarimit të afatit të vlefshmërisë së certifikatës së klasifikimit, me qëllim ngritjen e nivelit të klasifikimit, bëhet me kërkesë të subjektit. Kostoja e procesit të klasifikimit do të mbulohet nga sipërmarrjet turistike që certifikohen dhe certifikata e klasifikimit regjistrohet automatikisht, pas përfundimit të procesit të klasifikimit në Regjistrin Qendror të Turizmit. Ligji përcakton gjithashtu edhe mundësinë e ndërprerjes së ushtrimt të veprimtarisë së strukturës akomoduese kur kjo e fundit nuk arrin të përmbushë kriteret minimale. Referuar nenit 51 të ligjit të ri për turizmin, e drejta e ushtrimit të veprimtarisë hiqet me vendim të komisionit të standardizimit të veprimtarive turistike në rastet kur struktura nuk plotëson kushtet dhe kriteret e nivelit më të ulët të sistemit të klasifikimit.
Sigal