Miratohen tre ndryshime të ligjit të ri të makinave për uljen e taksave

631
Sigal

VENDIMI I QEVERISË/Si favorizohen ata që s’kanë paguar taksën e makinave për vitin  2013

 Qeveria miratoi ditën e djeshme disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “për taksat kombëtare”, të ndryshuar. Projektligji është miratua në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Formula e llogaritjes

Formula e taksës vjetore të makinave të përdorura e bën të lehtë llogaritjen e pagesës për çdo pronar makine. Në nenin e parë, ai që përcakton formulën e taksimit për automjetet e përdorura, është vendosur përgjysmimi i koeficienteve për llojin e karburantit.

Pika 3, e nenit 4, “Niveli i taksave kombëtare”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Taksa vjetore e mjeteve të përdorura është e vlefshme për 365 ditë dhe caktohet sipas formulës: Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën. Koeficienti sipas vjetërsisë së mjetit është si në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij ligji, dhe është pjesë përbërëse e tij. Mjetet me vjetërsi nga 0-3 vjet nuk janë subjekt i kësaj takse. Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit. E ardhura nga taksa, për çdo rast, mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, drejtoritë rajonale, para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm të mjetit. Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25% për çdo vit. 18 për qind e të ardhurave vjetore nga kjo taksë i kalojnë buxhetit të qeverisjes vendore. Procedura e ndarjes të të ardhurave me buxhetet e njësive të qeverisjes vendore përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar në numrin e mjeteve të regjistruara sipas njësive të qeverisjes vendore.”.

Mjetet që u falen detyrimet e prapambetura

Në nenin e dytë është parashikuar falja e të gjitha detyrimeve për makinat e sekuestruara me vendim gjykate. Këto makina kalojnë për përdorim nga institucionet shtetërore ose i kalojnë Agjencisë së Administrimit të Pasurive për shitje me ankand. Ligji i ri parashikon faljen e të gjitha detyrimeve për këto automjete në mënyrë që blerësi apo përdoruesi i ri të mos mbartë taksa të papaguara. Më saktësisht sipas projektligjit të miratuar nga Këshilli i Ministrave janë disa mjete që i falen detyrimet e prapambetura. Pas pikës 1, të nenit 9, “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje: “1/1. Falen të gjitha detyrimet e prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor për mjetet e sekuestruara apo të konfiskuara me vendim të formës së prerë të gjykatës, të cilat i kalojnë në administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për qëllime përdorimi apo rishitjeje”.

Detyrimet e 2013-s

Neni i tretë që ndryshon është ai i përfitimit të barabartë për vitin 2013. Ligji i ri parashikon që të gjithë ata individë që nuk e kanë paguar taksën vjetore të makinave të përdorura për vitin 2013, kanë të drejtën që brenda janarit 2014 ta paguajnë taksën jo me formulën e vjetër, por me formulën e re të përgjysmuar. Sidoqoftë, ata që deri tani e kanë bërë pagesën, nuk përfitojnë nga ligji i ri. Pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, të gjithë pronarët e mjeteve, që nuk kanë paguar taksën vjetore të mjeteve të përdorura për vitin 2013, pavarësisht kur e kanë pasur datën e pagesës së taksës, paguajnë sipas këtij ligji. Aplikimi i penalitetit për vonesë në pagesën e taksave, për të gjitha mjetet, që u ka kaluar afati i vlefshmërisë së taksave, pavarësisht kur e kanë kryer pagesën e taksave, fillon nga data 1 janar 2014.