Miratohen kriteret, si do të gradohen oficerët, nënoficerët dhe ushtarët

921
Qeveria përcakton rrugën e avancimit në gradë e karrierë për ushtarakët në rezervë. Çfarë ndodh me strukturat dhe përfitimet e mjekëve e specialiteteve të tjera
Qeveria miratoi kriteret për gradimin e oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve në rezervë. Në bazë të vendimit, “ushtarak në rezervë” do të cilësohet është ushtaraku që ka shërbyer në Forcat e Armatosura dhe, pasi ndërpret karrierën ushtarake aktive, përfshihet në strukturat rezervë të Forcave të Armatosura. Ushtaraku në rezervë, me përfshirjen e tij në strukturat rezerviste të Forcave të Armatosura, titullohet dhe i jepet grada ushtarake që ai ka pasur në momentin e ndërprerjes së shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura. Ndërkohë titullimi “oficer rezervist” dhe dhënia e gradave madhore për oficerët me grada madhore bëhet nga Presidenti i Republikës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes. Sipas vendimit, titullimi “oficer rezervist” dhe dhënia e gradës ushtarake për oficerët deri në kolonel/kapiten i rangut I bëhet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm ose të Komandantit të Forcave të Armatosura. Ndërsa titullimi “nënoficer dhe ushtar/detar rezervist” dhe dhënia e gradës ushtarake deri ushtar/detar IV ose kryekapter bëhet me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ose të Komandantit të Forcave të Armatosura, me propozimin e Qendrës së Personel Rekrutimit (QPR). Ushtarakëve në rezervë (oficer, nënoficer dhe ushtarë/detar) u lind e drejta e gradimit të radhës kur plotësojnë kriteret e përgjithshme të gradimit, arsimimit dhe kualifikimit. Vendimi i qeverisë përcakton se titujt dhe gradat e ushtarakëve në rezervë janë të njëjta me ato që parashikohen në aktet ligjore në fuqi për ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura. Gradimi bëhet në përputhje me nevojat organike dhe kapacitetet e strukturave të Forcave të Armatosura për përballimin e gjendjes së krijuar. Koha e kryerjes së kurseve të arsimimit ose kualifikimit për efekt të fitimit të gradës së radhës do të konsiderohet si kohë e qëndrimit në shërbim në rezervë. 
Mjekët dhe orkestra frymore
Sipas vendimit të qeverisë, gradën deri “nënkolonel”, për oficerët në rezervë, dhe gradën deri “kapter”, për nënoficerët në rezervë, që kryejnë detyra organike në specialitete në strukturat e Forcave të Armatosura, si mjekë dhe personel i orkestrës frymore, ushtarakët e përfitojnë sipas kohës së qëndrimit në shërbimin në rezervë dhe jo sipas kritereve të arsimimit e kualifikimit. Kur oficerët rezervistë kërkojnë të përparojnë në gradë e karrierë, autoritetet përkatëse u ofrojnë kurset e nevojshme të arsimit dhe të kualifikimit. 
Ushtarakët në rezervë
Mund të bëhen pjesë e shërbimit ushtarak në rezervë ushtarakët, të cilët kanë shërbyer më parë në Forcat e Armatosura dhe plotësojnë kriteret e moshës:
a) deri në moshën 45 vjeç, për ushtarë/detarë dhe nënoficerë meshkuj;
b) deri në moshën 35 vjeç, për ushtarë/detarë dhe nënoficerë femra; 
c) deri në moshën 50 vjeç, për oficerë meshkuj;
ç) deri në moshën 40 vjeç, për oficere femra.
KRITERET E PËRGJITHSHME TË GRADIMIT
1 – Ushtaraku i shërbimit në rezervë merret në shqyrtim për marrjen e gradës së radhës kur plotëson këto kritere: 
a) Ka plotësuar kohën minimale të qëndrimit në shërbimin në rezervë;
b) Ka kryer arsimimin dhe kualifikimin e nevojshëm për marrjen e gradës së radhës;
c) Më shumë se gjysma e vlerësimeve, gjatë qëndrimit në shërbimin në rezervë, nuk është më e ulët se “kënaqshëm”;
ç) Është i aftë fizikisht dhe në gjendje shëndetësore të mirë. 
2 – Emërtimi, kohëzgjatja dhe programi i arsimimit e kualifikimit për marrjen e gradës së radhës miratohen nga ministri i Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
3 – Kurset dhe kualifikimet e kërkuara për personelin ushtarak në rezervë, që shërben në strukturat e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe të Policisë Ushtarake (Seksioni kriminal), njësohen me kurset dhe kualifikimet e kërkuara për marrjen e gradave, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes. 
4 – Mënyra dhe formati i vlerësimit për periudhën e qëndrimit në shërbimin rezervë është e njëjtë me atë të shërbimit aktiv. Vlerësimi i jepet ushtarakut në përfundim të çdo periudhe aktivizimi në shërbimin rezervë.
5 – Plotësimi i kushteve për përparimin në gradë verifikohet nga QPR-ja, e cila bën edhe propozimet përkatëse tek autoriteti kompetent ose autoriteti propozues.

KOHA MINIMALE E QËNDRIMIT NË SHËRBIMIN NË REZERVË PËR MARRJEN E GRADËS SË RADHËS
1 – Ushtarakët rezervistë të Forcave të Armatosura, për të fituar gradën e radhës, duhet të plotësojnë kriteret e qëndrimit në shërbimin në rezervë, si më poshtë vijon:

a) Oficerët:
I. Nëntogeri/nënlejtnanti, për të fituar gradën “toger/lejtnant”, të jetë aktivizuar dhe të ketë shërbyer në strukturat rezerviste jo më pak se 3 periudha vjetore si dhe të ketë shërbyer në këto struktura jo më pak, në total, se 12 ditë; 
II. Togeri/lejtnanti, për të fituar gradën “kapiten/kapiten lejnant”, të jetë aktivizuar dhe të ketë shërbyer në strukturat rezerviste jo më pak se 4 periudha vjetore si dhe të ketë shërbyer në këto struktura jo më pak, në total, se 16 ditë; 
III. Kapiteni/kapiten lejtnanti, për të fituar gradën “major/kapiten i rangut III”, të jetë aktivizuar dhe të ketë shërbyer në strukturat rezerviste jo më pak se 5 periudha vjetore si dhe të ketë shërbyer në këto struktura jo më pak, në total, se 20 ditë; 
IV. Majori/kapiten i rangut III, për të fituar gradën “nënkolonel/kapiten i rangut II”, të jetë aktivizuar dhe të ketë shërbyer në strukturat rezerviste jo më pak se 6 periudha vjetore si dhe të ketë shërbyer në këto struktura jo më pak, në total, se 24 ditë;
V. Nënkoloneli/kapiten i rangut II, për të fituar gradën “kolonel/kapiten i rangut I”, të jetë aktivizuar dhe të ketë shërbyer në strukturat rezerviste jo më pak se 5 periudha vjetore si dhe të ketë shërbyer në këto struktura jo më pak, në total, se 20 ditë;
VI. Koloneli/kapiteni i rangut I, për të fituar gradën “gjeneralbrigade/kundëradmiral”, të jetë aktivizuar dhe të ketë shërbyer në strukturat rezerviste jo më pak se 5 periudha vjetore si dhe të ketë shërbyer në këto struktura jo më pak, në total, se 20 ditë; 
VII. Gjeneralbrigade/kundëradmirali, për të fituar gradën “gjeneralmajor/nënadmiral”, të jetë aktivizuar dhe të ketë shërbyer në strukturat rezerviste jo më pak se 3 periudha vjetore si dhe të ketë shërbyer në këto struktura jo më pak, në total, se 12 ditë;
VIII. Gjeneralmajori/nënadmirali, për të fituar gradën “gjenerallejtnant/admiral”, të jetë aktivizuar dhe të ketë shërbyer në strukturat rezerviste jo më pak se 3 periudha vjetore si dhe të ketë shërbyer në këto struktura jo më pak, në total, se 12 ditë.

b) Nënoficerët: 
I. Ushtari/detari IV, për të fituar gradën “nën/tetar”, të jetë aktivizuar dhe të ketë shërbyer në strukturat rezerviste jo më pak se 3 periudha vjetore si dhe të ketë shërbyer në këto struktura jo më pak, në total, se 12 ditë;
II. Nën/tetari, për të fituar gradën “tetar”, të jetë aktivizuar dhe të ketë shërbyer në strukturat rezerviste jo më pak se 3 periudha vjetore si dhe të ketë shërbyer në këto struktura jo më pak, në total, se 12 ditë; 
III. Tetari, për të fituar gradën “rreshter”, të jetë aktivizuar dhe të ketë shërbyer në strukturat rezerviste jo më pak se 4 periudha vjetore si dhe të ketë shërbyer në këto struktura jo më pak, në total, se 16 ditë;
IV. Rreshteri, për të fituar gradën “kapter”, të jetë aktivizuar dhe të ketë shërbyer në strukturat rezerviste jo më pak se 6 periudha vjetore si dhe të ketë shërbyer në këto struktura jo më pak, në total, se 24 ditë;
V. Kapteri, për të fituar gradën “krye/kapter”, të jetë aktivizuar dhe të ketë shërbyer në strukturat rezerviste jo më pak se 5 periudha vjetore si dhe të ketë shërbyer në këto struktura jo më pak, në total, se 20 ditë.

c) Ushtarët: 
I. Ushtari/detari I, për të fituar gradën “ushtar/detar II”, të jetë aktivizuar dhe të ketë shërbyer në strukturat rezerviste jo më pak se 1 periudhë vjetore si dhe të ketë shërbyer në këto struktura jo më pak, në total, se 4 ditë;

II. Ushtari/detari II, për të fituar gradën “ushtar/detar III”, të jetë aktivizuar dhe të ketë shërbyer në strukturat rezerviste jo më pak se 1 periudhë vjetore si dhe të ketë shërbyer në këto struktura jo më pak, në total, se 4 ditë;

III. Ushtari/detari III, për të fituar gradën “ushtar/detar IV”, të jetë aktivizuar dhe të ketë shërbyer në strukturat rezerviste jo më pak se 1 periudhë vjetore si dhe të ketë shërbyer në këto struktura jo më pak, në total, se 4 ditë.
Sigal