Miratohen elementët e programeve, pesha e krediteve dhe volumi i punës mësimore. Çfarë ndodh me kuotat

695
Studimet e larta, miratohen elementët e programeve
Qeveria përcakton kreditet dhe volumin e punës mësimore. Çfarë ndodh me kuotat dhe njohjen e diplomës
Qeveria miratoi elementët e programeve të studimit të ofruara nga institucionet e arsimit të lartë (IAL). Sipas vendimit, elementet që përbëjnë strukturën e programeve të studimit, të ofruara nga IAL-të, konsistojnë në: a) kreditet, sipas Sistemit Evropian të Transferimit të Krediteve (ECTS); b) kontrollin e dijeve dhe instrumentet e vlerësimit; c) objektivat formues dhe kompetencat profesionale; ç) veprimtaritë formuese dhe komponentët mësimorë të programit të studimit; d) kategoritë e veprimtarive formuese, që karakterizojnë një program studimi; dh) planin mësimor; e) kuotat e pranimit dhe grupet mësimore; ë) programin lëndor (Syllabus-et); f) profilin e programit; g) diplomën dhe suplementin. Krediti i formimit të arsimit të lartë i referohet ECTS-së dhe shpreh volumin e punës mësimore për arritjen e rezultateve të pritshme mësimore. Një krediti i korrespondojnë 25 orë mësimore pune të studentit. Sasia mesatare e punës së kryer gjatë një viti studimesh në arsimin e lartë, nga një student me kohë të plotë, është 60 kredite ose 1.500 orë mësimore pune të studentit, të cilat përfshijnë orë në auditor dhe orë pune të pavarur të tij. “Orët për punë të pavarur të studentit zënë jo më pak se gjysmën e fondit të përgjithshëm të 1.500 orëve mësimore vjetore. Ngarkesa mësimore javore në auditor, për leksione, seminare, ushtrime e laboratorë, forma të kontrollit të vazhdueshëm dhe seanca të praktikave të zhvilluara në auditor, është deri në 25 orë mësimore 50-minutëshe”, theksohet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Aty përcaktohet se kreditet korresponduese për çdo veprimtari formuese fitohen nga studentët vetëm për vlerësim pozitiv, në verifikimin përfundimtar të dijeve të fituara prej tyre. Për vlerësimin e dijeve të përfituara përdoren forma të ndryshme kontrolli, që kombinojnë vlerësimin e vazhdueshëm me atë përfundimtar (i cili mund të jetë provim, por jo vetëm). Njohja e plotë apo e pjesshme e krediteve të marra nga një student, me qëllim vazhdimin e studimeve në një program tjetër studimi në të njëjtin IAL, si dhe në të njëjtin apo një tjetër program studimi në një IAL tjetër, bëhet nga njësia bazë që pret studentin, sipas procedurave dhe kritereve të përcaktuara në rregulloren mësimore të institucionit. “IAL-të mund të njohin si kredite të formimeve universitare në një program të caktuar studimi, sipas kritereve të përcaktuara, njohuri dhe aftësi profesionale të certifikuara nga legjislacioni në fuqi, si dhe njohuri të veprimtarive formuese të nivelit pas shkollës së mesme, që janë në përputhje me objektivat specifikë të programit përkatës të studimit. Në këtë rast, numri maksimal i krediteve të njohura nuk i kalon 60 kredite për programet e studimit të ciklit të parë dhe 40 kredite për programet e studimit të ciklit të dytë”, theksohet në vendim. Lidhur me kuotat e pranimit dhe grupet mësimore, IAL-të përcaktojnë kuotat e lira për regjistrimet e reja të studentëve për çdo program studimi në përputhje me standardet e përcaktuara për raportin personel akademik me kohë të plotë për studentë dhe normativën e përcaktuar për sipërfaqen e shfrytëzueshme për student, sipas përcaktimeve në vendimin “Për standardet, kriteret dhe procedurat për hapjen, riorganizimin, ndarjen, bashkimin ose mbylljen e institucioneve të arsimit të lartë dhe të degëve të tyre”. “Kuotat e pranimit llogariten mbi bazën e studentëve aktivë, që ndjekin programet e studimit. Ato bëhen publike nga IAL-të dhe i përcillen Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin”, thuhet në vendimin e qeverisë. 
Diploma dhe suplementi
Diplomat, që lëshohen në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, të dytë, si dhe ato të ciklit të tretë “Master ekzekutiv”, shoqërohen me suplementin e diplomës. Suplementi i diplomës hartohet në përputhje me kërkesat e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë dhe përshkruan natyrën, nivelin, përmbajtjen dhe rezultatet e studimeve që janë kryer nga mbajtësi i diplomës, si dhe fushën e punësimit.
Shënim. Përqindja totale e lëndëve të kategorive A dhe B nuk duhet të jetë më pak se 70% në rastin e programeve “Bachelor” e “Master i shkencave i integruar”, dhe jo më pak se 60% në rastin e programeve “Master i shkencave”. Në rastin e “Master i arteve” ky raport vendoset sipas specifikave të vetë programit të studimit.


Sigal