Mira Pirdeni/ Moshimi dhe indiferenca politike!

688
Sigal

Në 27 Shtator 2012 në workshop-in “Shqipëria 2022,  Mundësitë dhe sfidat për rritje ekonomike afatgjatë”, kur i kërkova ish- Kryeministrit Prof. Dr. Sali Berisha të kthente vëmendjen edhe mbi Moshimin, për një vizion të ri nga varësia në pavarësi, (për të ndërgjegjësuar se zhvillimet e qëndrueshme kërkojnë përfshirjen  e popullsisë së  Moshuar dhe rritjen e vazhdueshme të kontributit dhe të pjesëmarrjes së tyre në jetën  sociale dhe ekonomike), nuk e dija që ky perceptim negativ mbi moshimin do ta prekte pikërisht atë!

Një kor i madh liderësh, mediash dhe individësh, që akoma vazhdon, i kërkonin atë, që ndjejnë shpesh herë të moshuarit shqiptarë, të fshehin ndjenjat e tyre, të mohojnë ëndërrimet, të mbulojnë veten e tyre të vërtetë, të jenë shumë seriozë!
I kërkuan të ishte plak, të ishte gjysh, të ishte pensionist, të ishte i sëmurë, të jetonte i vdekur midis të gjallëve dhe të largohej “pikërisht për këtë”.
Të moshuarit tanë, të shekullit të moshimit, shpesh ndihen të përplasur e të copëtuar, të dëbuar nga mbretëria e vërtetë e shpirtit, sepse ata duhet të jenë në ujdi me realitetin, me vulgaritetin e një shoqërie që i falet vetëm parasë dhe frikës nga “të tjerët”. Mungesa e një edukimi publik, sot kur në majë të diskutimeve globale tingëllon: “jetëgjatësia modelon të ardhmen” ka krijuar një perceptim kaq të gabuar, ndërsa akoma potenciali i të moshuarve nuk është eksploruar dhe megjithatë vërtetohen çdo ditë vlera të jashtëzakonshme të tyre. Moshimi është procesi i jetëgjatësisë që hyn në mënyrë të paperceptueshme në çdo moment të jetës sonë. Kështu ne duhet të jemi të vetëdijshëm se të moshuarit kanë  të njëjtat nevoja dhe interesa si të gjithë të tjerët. Duke u ndeshur me këto nevoja dhe interesa ne jo vetëm iu shërbejmë njerëzve të të gjitha moshave, por njëkohësisht sigurojmë një cilësi më të mirë të jetës në moshë të vjetër për të gjithë ata që do të jetojnë për t’u moshuar. Investimet për një moshim të plotë dhe të shëndetshëm bëhen shumë herët në jetë si prej vendimeve tona ashtu dhe nëpërmjet një politike të pasur sociale dhe strukturave mbështetëse. Jeta në vite është shtuar globalisht dhe në Shqipëri, kështu që kërkohet një përgatitje e konsiderueshme në etapat më të hershme të jetës për një mirëqenie të mëvonshme fizike, psikologjike, shpirtërore. Përgatitja në çdo etapë të jetës na jep një platformë për të përballuar sfidat e etapës tjetër të jetës për t’u bërë një person i matur psikologjikisht, për të jetuar me sukses përgjegjësitë dhe problemet. Vetëbesimi individual dhe parashikimi kërkohet, por shoqëria duhet të bëjë shumë për të dhënë ambientin në të cilin  shfaqen virtytet. Shumica e strategjive projektohen nga deklaratat tashmë të aprovuara të OKB-së dhe planet e veprimit që burojnë nga konferencat globale duke përfshirë më të rëndësishmin “Deklarata Politike dhe Plani Ndërkombëtar për Veprim mbi Moshimin” firmosur edhe nga Presidenti e qeveria shqiptare. Një konsensus ndërkombëtar ekziston,por ajo që ka munguar në disa vende përfshirë edhe Shqipërinë, është dëshira politike nga qeveria dhe të tjerët për të përparuar mbi implementimin. Unë mendoj se Shqipëria, si vend i vogël, (prandaj është më lehtë) mund të bëhej një model rajonal për problemet e moshimit duke i dhënë vendit tonë një fytyrë sociale, kaq shumë të munguar!

Dhe për ta kuptuar shih komunitetet tona! Akoma të gjithë aktorët e politikës tonë, të cilëve duhet t’u interesojë terreni dhe jo zyra, gllabërojnë pasuritë kombëtare siç ndodhi edhe me SHQUP-in, ndërsa ne, të moshuarit, nuk kemi as edhe një qendër kombëtare, për të nxitur edukimin publik për të gjitha moshat. Ata që kontribuuan me përkushtim tej normales nuk përfituan nga pasuria kombëtare. Partitë politike kanë mundësi të pafundme, qoftë dhe me rrogat e tyre, për të paguar qiratë ndërsa të moshuarit, jo,nuk munden! Ne duhet të mendojmë më shumë për shoqërinë ashtu siç e kërkon e ardhmja, vizionet e reja, të cilat janë në qendër të shoqërive bashkëkohore, citoj Hillary Clinton: “We must stop thinking of the individual and start thinking about ëhat is the best for society”. (Vetëm një shoqëri e shëndetshme nxit politika pozitive!)

Anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të EURAG (Federata Europiane e Moshimit)

(EURAG is a member of the platform of Europian Social NGOs (www.socialplatform.org) in Brussels and has Participatory Status with the Council of Europe as ëell as Consultative Status with the UN)