“Miqtë” dhe 15 mijë euro, të bëjnë “specialistë”

605
Sigal

Fillojnë hetimet për konkursin e specializantëve të mjekësisë. Konkurrentët kërkojnë ritestim

Kandidatët për specializantë të mjekësisë kërkojnë urgjentisht ndërhyrjen nga ministrja e Arsimit, znj. Lindita Nikolla për të vlerësuar në mënyrë objektive testet e bëra gjatë muajit dhjetor-janar. Pse jo, edhe përsëritjen e testit. Pas shkrimit të djeshëm në “Telegraf”, “A ka korrupsion në konkurrimin për Specializime?” dhjetëra reagime, telefonata dhe mesazhe të kandidatëve për specializantë të mjekësisë kanë mbërritur në redaksi. Ata kërkojnë, sa nuk është vonë (ende nuk kanë dalë rezultatet zyrtare) hetim të hollësishëm të gjithë procedurës së konkurrimit për specializantë të mjekësisë nga Ministria e Arsimit. Për ta, nuk është e vështirë të investigohet dhe të zbardhet e vërteta, kur çdo gjë është e informatizuar. Ritestimi në mënyrën e duhur dhe të ndershme, sipas studentëve, do të sillte skualifikimin e atyre kandidatëve që kanë marrë 99 -100 % të pikëve. Studentët thonë se, nëse nuk je bir/bijë doktori, duhet të japësh 15 000 euro që të listohesh si fitues te specializimet e mjekësisë.

 Si dhe çfarë duhet të hetohet, sipas kandidatëve për specializantë të mjekësisë

1. Intervistimi, ndryshe është realizuar për disa kandidatë dhe ndryshe për disa të tjerë. Edhe pse rezultatet në këtë fazë të konkursit për specializantët e mjekësisë nuk kanë ndonjë disnivel të madh midis kandidatëve, sërish vlerësimi 10 % i intervistimit mund të krijojë eliminime të padrejta, pasi edhe 0,1 pikshi është shumë i rëndësishëm në këtë konkurrim. (Në bazë të pikavarazhit do të bëhet edhe listimi i kandidatëve sipas meritës dhe i pari do zgjedhë degën që do, pastaj i dyti e kështu me radhë). Sipas kandidatëve për specializantë të mjekësisë kush kishte “mikun” merrte 100 % të pikëve.

2. Testimi i bërë në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, ishte faza e dytë e konkursit, fazë e cila vlerësohet me 60 – 70 % të pikëve (ndërsa 20 – 30 % i përkasin mesatares). Kjo është faza e cila edhe kontestohet më shumë nga studentët e mjekësisë. Sipas tyre, ata që kanë marrë 99 – 100 % të pikëve, nëse ritestohen, zor se do të arrijnë në gjysmën e rezultateve të arritura në këtë fazë. Ata e njohin mirë nivelin e përgatitjes së këtyre studentëve (shokëve të grupit) gjatë viteve të shkollimit.

–   Kandidatët për specializantë thonë se disa shokë të tyre konkurrentë kanë dalë për 15 minuta nga testimi. Për 15 minuta, as që nuk arrin të lexosh dot 100 pyetjet dhe jo më t’u japësh përgjigje. Këtë gjë Ministria e Arsimit mund ta verifikojë fare lehtë, pasi ambienti është i pajisur me kamera.

– Të verifikohet nota mesatare  e kandidatëve, të cilët kanë dalë shkëlqyeshëm në test. Nuk mund të ketë një mospërputhje në përgatitjen gjatë gjithë viteve shkollore me rezultatet e shkëlqyera në testim. Edhe kjo është lehtësisht e verifikueshme. Fakti që ka një vakuum pikësh midis grupit që kanë siguruar gati 100 % të pikëve dhe shumicës së konkurrentëve, do të thotë se diçka nuk shkon. Pra, mosmarrja e pikëve maksimale prej mesatares nga këta kandidatë, do të kompensohet me rezultatet maksimale në test.

– Konkurruesit dyshojnë se kandidatët “ekselentë” mund ta kenë ditur paraprakisht tezën me 100 nga 3000 pyetjet që do të afishoheshin në kompjuter ditën e vlerësimit, ose ata kanë pasur zotësinë për të gjetur derën e prapme të IT-së në Ministrinë e Arsimit. Sipas tyre, nëse testi do të ishte zgjedhje rastësore nga kompjuteri dhe jo nga Komisioni (miqtë e tyre), atëherë do matej me të vërtetë dija e tyre. Për këtë arsye, ata kërkojnë që ministrja Nikolla t’i shkojë deri në fund hetimit të këtij skandali, të zbardhë të vërtetën dhe t’i thotë “stop” miqve dhe mijëra eurove që vlojnë për të marrë specializimin e dashur nga bijtë e “të fuqishmëve” të këtij sistemi të korruptuar.

Mesazh në redaksi nga një kandidat për specializant i mjekësisë

 Përshëndetje “Telegraf”! Më interesoi artikulli juaj për drejtësinë në specializimet e mjekësisë. Unë jam një konkurrent në kuotat e Mjekësisë së Përgjithshme dhe ngre të njëjtën ankesë me kolegët e Stomatologjisë. Intervista dhe testi i informatizuar nxori arritje maksimale 100 % për gjithë fëmijët e mjekëve, nipërit dhe mbesat e atyre që kanë akses, qoftë në fakultet, ministri apo AKP. Nëse testi do të ishte zgjedhje rastësore nga kompjuteri dhe jo nga Komisioni, që janë miqtë e tyre, atëherë do matej dija e tyre e vërtetë. Ju lutem, investigojeni dhe bëjeni transparent procesin sa më parë!

MAS prezanton sot sistemimin e mësuesve fitues në vendet vakante

 Sot dot të prezantohet sistemimi i kandidatëve fitues të mësuesve sipas vendeve vakante. Pas akuzave të opozitës për testimin kombëtar antiligjor të mësuesve, Ministria e Arsimit ka vendosur që të më në fund të prezantojë sot nga qyteti i Shkodrës, sistemimin e kandidatëve fitues në testimin kombëtar “Mësues për Shqipërinë”, sipas vendeve vakante. Zyra e shtypit e MAS informon se ky prezantim do të bëhet nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla. Provimi kombëtar, në kuadër të nismës “Mësues për Shqipërinë”, u zhvillua më datë 6 dhjetor në 12 qarqet e vendit. Sipas MAS do të jenë rezultatet e provimit kombëtar për mësuesit e rinj që do të vendosin për fatin e kandidatëve. Ata aplikantë për mësues, të cilët kanë marrë pikë më të larta, janë konsideruar automatikisht kandidatë potencialë për të plotësuar vendet e mbetura bosh në shkollat parauniversitare të vendit. Pas kësaj do të intervistohen me gojë, ndërsa nëse shpallen fitues edhe në fazën e dytë, zyrtarisht sqarohet se ata do të jenë të komanduar dhe do të mund të bëhen definitivë vetëm pasi të jenë certifikuar nga komisionet e vlerësimit.