Ministrja Nikolla urdhëron të zbatohen “standardet 2006” të Bardhyl Musait

743
Kaluan 20 muaj nga ardhja e “Rilindjes” në pushtet dhe arsimi shqiptar, ka mbetur nën “kthetrat” e ish-këshilltarit për arsimin të ish-Kryeministrit Sali Berisha, të njohur si “pronari” i sektorit të arsimit. Në Ministrinë e Arsimit, emrin në bordero si ministre e ka mësuesja e 9 vjeçares Lindita Nikolla, ndërsa ministrinë dhe ministren e komandon ende Bardhyl Musai, personazhi i mirënjohur i sektorit arsimor, si individi që prej 10 vitesh ka monopolin e përgatitjes dhe fitimit të tenderëve të librave shkollorë, që paracakton çmimet e hartimit të përmbajtjes së teksteve, koston e shtypjes, shtypshkronjat se ku do të shtypen, shtëpitë botuese se ku do të hartohen e përkthehen, normën e fitimit për çdo titull libri, kriteret për tekstet, autorin dhe tekstin shkollor që duhet të përzgjidhet nga mësuesit e të pranohet dhe shpallet “fitues” nga drejtoritë arsimore në qarqe e rrethe! Madje, “pronari” i sektorit të arsimit, paracakton edhe normën e fitimit nga tenderi, edhe distributorin monopol, edhe shitësit në qarqe, rrethe e qytete. Bardhyl Musai, ose “shefi” i ministres Nikolla, nuk hedh askund firmë si pjesëmarrës në tenderët e librave, as në monopolin e librave jashtëshkollorë që ia jep si biznes Ministria e Arsimit, por vepron duke u maskuar pas 1 e 2 logove të shtëpive botuese pronë e tij private e në ortakëri, të cilave për nga cilësia e përmbajtjes ideore e shkencore nuk ua lexojnë librat as nipërit e tyre, ndërsa për nga cilësia e shtypjes, nuk pranohen as nga pensionistët për t’i përdorur si masë mbrojtëse reumatizmale kur luajnë domino nëpër hije e oborre pallati! Katër ditë më parë, na thanë se Bardhyl Musai është shfaqur përsëri “në fushën e lojës” për tenderin e përgatitjes, përkthimit, shtypjes dhe shpërndarjes së librit shkollor para universitar, për vitin mësimor 2015-2016.
Ministrja “seksere” e Bardhyl Musait, “këshillon” drejtorët të zbatojnë “kriteret” e tij edhe për librin shkollor 2015-2016
Tre ditë më parë, një drejtues arsimi në qarkun e Shkodrës, më tha: Jemi të skandalizuar me udhëzimin e ministres Nikolla, 11/1, datë 15. 04. 2015, nr. Prot. 2986/1, lidhur me përgatitjen e librave të rinj shkollor për vitin 2015-2016. Janë po ato udhëzime të vitit 2006-2014, të cilat shkatërruan sistemin arsimor para universitar dhe formimin e nxënësve, sidomos të ciklit të klasave të I-IX. Dhe më skandaloz është fakti që edhe sot pas 3 vitesh mësimore 2013, 2014, 2015 që po “qeverisen” nga “Rilindja”, libri shkollor, parashkollor e ai jashtëshkollor, vazhdojnë të hartohen me udhëzimet, urdhrat, praktikat dhe bizneset e Bardhyl Musait, ish-këshilltarit të ish-kryeministrit Sali Berisha në vitet 2005-2013, “mendja e ndritur”, interesat dhe bizneset e të cilit futën në veprim “Altertekstin” e autorëve mediokër, me botimet e të cilëve shkatërruan arsimin para universitar si vlerë, si traditë, si kulturë, si cilësi, si kualitet mësuesish e nxënësish dhe si sistem funksionimi e unifikimi. Duhet denoncuar fakti, që punët e librit shkollor e artistik në arsimit shqiptar, i kontrollon dhe i komandon akoma Bardhyl Musai. Ditët e fundit, ky personazh ka dalë në “terrenin” arsimor nëpër rrethe, duke u paraqitur me një autorizim zyrtar të ministres Nikolla, me objekt nisjen e aksionit dhe diversionin nëpër drejtoritë arsimore e ato shkollore, duke kërkuar që drejtoritë dhe zyrat arsimore, të detyrojnë mësuesit dhe drejtorët e shkollave, që ata të japin ato vlerësim e të bëjnë ato përzgjedhje tekstesh, sipas emrave të autorëve dhe shtëpive botuese që u rekomandon Bardhyl Musai! Nuk e besuam, që ky individ i njohur për “bëmat” me librin shkollor, parashkollor e jashtëshkollor në arsimin para universitar shqiptar, të ishte i dërguar me porosi të ministres Nikolla dhe e verifikuam. Por rezultoi, se vetë ministrja Nikolla, na “rekomandoi” e më pas ashtu si me “takt”, na urdhëroi për të “bashkëpunuar” me “specialistin” Bardhyl Musai, pasi sipas ministres “aktivizimi i Bardhyl Musait ishte porosi dhe urdhër i kryeministrit”! Pas daljes së Udhëzimit Nr. 9, datë 26. 03. 2015, me Nr 2488 prot. Të ministres së arsimit Lindita Nikolla, për nisjen e procedurave për librin e ri shkollor 2015-2016, drejtorët e arsimit në qarqe e rrethe kanë në tavolinë listën e teksteve dhe autorëve që do të përzgjidhen, shoqëruar me “metodikën” e dhënë nga Bardhyl Musai, që përzgjedhja klienteliste e librave shkollorë 2015-2016 të duket… “sa më e besueshme”!
Ministrja urdhëron: Të punohet me standardet dhe kriteret përzgjedhëse të viteve 2006-2013
Mjafton të lexosh udhëzimin Nr. 36, datë 02.02. 2015, të firmosur e vulosur nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe bindesh se çfarë do të ndodh edhe me procesin dhe tenderin e librit shkollor 2015-2016. Në këtë udhëzim, ministrja “mësuese e dalluar”, me “master pasuniveristar shkëlqyeshëm” dhe me vizion “rilindës” për arsimin (siç e ka deklaruar në “CV” e saj në faqen zyrtare), urdhëron që për librin ri shkollor 2015-2016, të zbatohen standardet e vitit 2014, të kohës së “shpirtit të fundit” të paçavures “Altertekst”, këtij modeli të futur në arsim prej Bardhyl Musait, si mundësi e plotë për të përfituar me biznesin e tij të shtëpive botuese e shtypshshkronjave që ka me emër e ortakëri tjetër! Edhe pse modeli i diktuar “Bardhyl Musai” i “Alterteksit”, rezultoi i dështuar e shkatërrues për formimin e nxënësve në arsimin para universitar, ministrja Nikolla që ka “mallkuar” e ka quajtur “Altertekstin”… një “leckë paçavure”, 10 ditë më parë ka dhënë urdhër… që të zbatohen standardet e vitit 2014, të hedhura në koshin e plehrave edhe nga kryeministri Rama në debatin me mësuesit shqiptar në muajin janar 2015! Por, ka edhe një skandal tjetër në udhëzimin “Nikolla” për të zbatuar standardet e vitit 2014. Për tekstet e reja shkollore 2015-2016, do të zbatohen standardet e vjetra të vitit 2014, të cilat rezultojnë se janë kopje e standardeve të viteve 2006-2013, të hartuara e të diktuara për zbatim, nga “shkencëtari” i arsimit shqiptar e botëror Bardhyl Musai, në kohën kur ishte këshilltar i kryeministrit Sali Berisha e kur prej këtij posti, ai e trajtonte Ministrinë e Arsimit dhe arsimin shqiptar deri në shkollat me 2 nxënës, si “vreshtin” e tij, duke e “vjelë” sipas interesave deri tek fletorët e nxënësve dhe kualifikimet fiktive të mësuesve. Madje “standardet 2014”, kanë si autorë “ekspertë” (grup pune) shkencorë e bashkëpunëtorë, shumë emra që kanë hartuar edhe standardet e teksteve shkollorë të kohës së futjes në veprim e në vazhdim të “Alterteksit”! Nuk ka asnjë sistem arsimor në Evropë e në rajon, që të botojë libra të rinj shkollorë (si përmbajtje e cilësi) me standardet që janë prodhuar librat e vjetër, të cilët janë konsideruar të dështuar si përmbajtje, si nivel shkencor dhe cilësi teknike! Por ja që kjo ndodh në Shqipëri dhe qëllimin e kësaj skeme e dinë gjithë drejtorët e arsimit në rrethe e qarqe: me standarde të vjetra të cilave u është ndërruar vetëm viti dhe ca emra autorësh, do të zbatohen standardet dhe kriteret që ka hartuar Bardhyl Musai në vitet 2006-2013, me synimin që edhe librat e vitit mësimor 2015-2016, t’i përfitoj si biznes shtypshkronja dhe shtëpia e tij botuese!
Ministrja urdhëron futjen në procedurë të “distributorit”, kur kjo bëhet vetëm me VKM
Skenari që edhe librat shkollorë të vitit mësimor 2015-2016, të bëhen “gjah” i “përbindëshit” të tenderëve të arsimit Bardhyl Musai, ka një “kleçkë” të padukshme, të futur në mënyrë antiligjore dhe me “mjeshtëri”, nga ata që e kanë hartuar udhëzimin enkas për të abuzuar. Në Udhëzimin 11/1, datë 15. 04. 2015, Prot. 2986/1, futet në funksion “distributori”. Në pikën 1, të paragrafit II- të këtij udhëzimi me titull: “Pjesëmarrja në konkurs”, përcaktohet kështu: “Çdo shtëpi botuese dhe/ose distributor, ka të drejtë të marrë pjesë në konkursin për tekstet shkollore të reja, nëse e ushtron veprimtarinë e saj/tij në përputhje me legjislacionin në fuqi…”. Në fakt, vetë kjo pikë e udhëzimit të lëshuar prej ministres Nikolla është jashtë ligjit, mbasi distributorët nuk mund të futen në konkurim për librin shkollor pa vendim qeverie dhe se lejimi i tyre, bëhet me ndryshim procedure konkurrimi. Në rastin konkret, të futjes së ‘distributorit” në konkurrim kur nuk lejohet, në bazë të Nenit Nr. 47, të Ligjit 69/2012 procedura ndryshon vetëm me VKM e jo jo me urdhra të lëshuara nga ministrja, të cilat në fakt nuk janë akte ligjore, por zbatim aktesh ligjore siç e përcakton ligji dhe nëse e përcakton ligji! 
—————————————————————
box
Me kritere të vjetra, kërkohen standarde të reja!
Në standardet e vitit 2014 për librat shkollor, që do zbatohen në vitin 2015, por që janë kopje e standardeve të viteve 2006-2013, kriteri 12 për përzgjedhjen e teksteve shkollore, përcakton kështu: “Nuk pranohet ai tekst shkollor, në të cilin konstatohen të dhëna të vjetruara, që sot nuk kanë vlerë”. A mund të realizohet ky kriter, kur vetë standardet e vendosura për zbatim, janë të vjetruara?
————————————————- 
box
Ministria: “Programet lëndore po i publikojmë për konkurrim, por nuk vlejnë për konkurimin!
Në faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve janë publikuar programet për klasën I-VI, me shënimin: “Në kuadrin e reformës kurikulare në arsimin para universitar, Ministria e Arsimit dhe Sportit, për njohjen paraprake të të interesuarve, bashkëlidhur publikon disa nga programet e reja lëndore, duke filluar nga klasa e parë e ciklit fillor dhe klasa e gjashtë e arsimit të mesëm të lartë. Por çfarë ndodh? Ministria thotë: Këto programe i nxjerrim për njohjen paraprake, por në asnjë rast nuk thuhet se janë përfundimtare, por po i publikojmë për të “interesuarit”, të cilët kushdo qofshin, me anë të këtyre programeve nuk mund të ndërmarrin asnjë nismë mbasi nuk vlejnë. Thotë edhe kështu: “Këto programe janë publikuar, por pa firmën dhe vulën e ministres, mbasi janë hedhur për njohje paraprake dhe jo përfundimtare të tyre. Pyesim: Kur nuk vlejnë, kur nuk kanë miratimin e ministres, përse referohen si bazë për kritret e konurrimit?
——————————————- 
box
Librat do pranohen si “të rregullt” në korrik 2015, por testimi i tyre do bëhet në korrik 2016!
Në faqen 34 të “Standardeve të teksteve shkollore” të vitit 2006 që mbajnë vitin 2014 dhe që do zbatohen në vitin 2015, thuhet kështu: Para certifikimit, teksti shkollor të provohet/të testohet gjerësisht, të paktën për një vit shkollor, në praktikën mësimore të klasave të ndryshme dhe në kontekste të ndryshme socio-demografike (fshat-qytet, popullsi me arsim të mirë, ose të mjaftueshëm). Faza e testimit të ndiqet dhe të vlerësohet shkencërisht. Rezultatet përkatëse të verifikohen dhe të merren parasysh në redaktimin e variantit përfundimtar të tekstit shkollor. Pas “pilotimit”, teksti shkollor mund të certifikohet nga MAS, nqs botuesi ka plotësuar shumë mirë vërejtjet e bëra nga mësuesit dhe nga publiku. Në Udhëzimin Nr. 11/1, dt. 15.04.15, thuhet se pas shpalljes së fituesve, lidhja e kontratave “MAS-Botues”, do të bëhet më 10 korrik 2015. Si ëhstë e mundur, që kontrata e “rregullsisë së librave” lejohet të lidhet në datën 10 korrik 2015, kur “Standardet” e hartuara po nga vetë kjo Ministri, përcaktojnë me detyrim, që libri quhet i rregullt pas një viti testimi shkencor e praktik në shkolla?
————————————————
box
Udhëzimi përcakton titujt e librave, por jo të dhënat teknike
Në asnjë vend nuk thuhet se sa do të jenë faqet e secilit libër, gjë e cila ndikon edhe në planifikimin e kostos së tij. Është dhënë vetëm letra që duhet të përdoret, por në asnjë nga dokumentet zyrtar nuk është përcaktuar se sa do të jetë maksimumi i faqeve që duhet të përmbajë ky libër. Në udhëzim thuhet: “Botuesi propozon çmimin e tekstit shkollor të ri që paraqet në konkurs, ministria vlerëson çmimin e propozuar dhe vendos çmimin për çdo tekst shkollor që do të miratohet për përdorim në institucionin arsimor” Çudi, apo djallëzi, që përcaktimi i çmimit të tekstit lihet në dorë të botuesit, pa vendosur ministria asnjë kriter e mbi të gjitha, nuk jepet formula e përllogaritjes së çmimit, që të jetë e njëjtë për të gjithë.
———————————————– 
box
Askush nuk e di sa tema të vjetra (të përpunuara) do kenë librat e reja
Në programet e publikuara nuk jepet qartë ndarja që do të bëhet midis temave të reja mësimore dhe ripërpunimit të tyre nëpërmjet veprimtarive praktike etj. Ka një ndërtim të qëllimshëm shtrembër, të programit për hartimin e një teksti serioz, të bazuar në parime e norma, por gjithçka serviret ‘në tym”, ashtu si edhe tekstet që do të dalin nga ky program.
————————————————————
boks 
Për të qeshur e për të qarë…
Në faqen 17 të dokumentit “Standarde për tekste shkollore”, në kapitullin “Kritere teknike minimale të tekstit shkollor”, ndër të tjerat përcaktohet edhe ky kriter qesharak: “Ilustrimet të paraqiten me tekst me font gërme, me madhësi më të vogël se teksti kryesor”. Mirë që nuk kanë vendosur psh, që presja të bëhet me fond gërme 17, pikëpyetje të bëhet me font gërme 7, pika të bëhet me font gërme 40 e kështu me rradhë, me qëllim që edhe teskti i librit te ketë “larmi” që të ksehasen mësuesit e nxënësit.
Sigal