Ministrja Kumbaro me arrogancë braktis Komisionin Parlamentar, për të mos dhënë përgjigje për Teatrin Popullor

635
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro kishte kohë që shpërfillte kërkesat e opozitës për të dhënë përgjigje për gremisjen e Teatrit Popullor. Ministrja Kumbaro disa herë publikisht ka deklaruar se nuk ka projekt për gremisjen e Teatrit Popullor, ndërkohë që është përgënjeshtruar publikisht nga vetë kryeministri Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Veliaj, të cilët kanë publikuar makete projekti. Dje, ministrja e Kulturës, edhe pse begenisi të shkonte në Komisionin Parlamentar të Medias, në bazë të kërkesës së opozitës, që në fillim deklaron se ka vetëm 1 orë kohë për Komisionin Parlamentar, të dëgjojë dhe të përgjigjet pyetjeve të deputetëve, thua se Kumbaro nuk e konsideron vetveten përgjegjëse politike të ministrisë, por …një administratore biznesi privat, ndaj kësisoj, është në dëshirën e saj, sa kohë duhet të qëndrojë në Komisionin Parlamentar. Ministrja Kumbaro, madje, edhe në ndërkohën që qëndroi në Komisionin Parlamentar të Medias, nuk deshi, (ajo nuk mundte) të përgjigjej pyetjeve të deputetëve përse duhet të gremiset Teatri Popullor, a ka ndonjë projekt, duke krijuar tensione replike me deputeten Vokshi dhe Boçi. Ministrja e Kulturës Kumbaro mbajti vetëm monolog 40 minuta në këtë Komision Parlamentar, por kurrë nuk iu përgjigj pyetjes, për të cilën ishte thirrur nga deputetët: A do të shembet Teatri Popullor dhe braktis Komisionin Parlamentar. “Më lejoni t’i përgjigjem pyetjeve tuaja. Sesi e formuloj unë fjalinë është e drejta ime”, tha ministrja Kumbaro, pasi deputetja Vokshi e ndërpreu disa herë duke i ripërsëritur pyetjen “A do të shembet Teatri Kombëtar?”. “Përgjigjen e saktë do e japin instancat përkatëse”, tha ministrja Kumbaro. “Nuk e ditke se çfarë pozicioni ke me sa duket”, reagoi deputetja Vokshi.
Sigal