Sigal

Një nga ministritë e etiketuara si një nga më të rëndësishmet të qeverisë Rama, ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë do të drejtohet tashmë nga Belinda Balluku, e cila më parë mbante postin e agjencisë shtetërore Albkontrol.

Si një nga emërimet e para të qeverisë në vitin 2013, zonja Balluku ka qenë kohët e fundit në qendër të akuzave për keqpërdorimin e fondeve të Albcontroll-it. Institucioni i drejtuar prej saj ka paguar plot 66 milionë lekë për të trajnuar dy anëtarë të stafit. Përveç këtij rasti, në media janë publikuar gjithashtu disa dokumente që hidhnin dritë mbi një seri tenderësh që drejtuesja e kompanisë i jepte me vlerën 100% vetëm një ofertuesi.

Ndërkohë sipas PD, 70% e procedurave të zhvilluara nga Albkontroll 5 vitet e fundit kanë qenë me prokurim të drejtpërdrejtë, ndërsa vlera ka kapur shifrën e 20 miliardë lekëve. Por këto akuza duket se nuk e kanë shqetësuar zonjën Balluku, e cila si drejtuese institucioni, me tender te hapur apo me prokurim të drejtpërdrejtë i ka organizuar stafit një super mbrëmje për festat e fundvitit.

Në mediat online janë publikuar disa foto dhe një video të shkurtër ku në një ambient të dekoruar me kujdes,me balerina të veshura si në karnavale, stafi i Albkontroll ka festuar deri në orët e para të mëngjesit në të vetmin hotel me 5 yje në Tiranë, tek “Plaza Hotel”. Sigurisht që festa është organizuar rreth një javë më parë, kur zonja Balluku nuk ishte zgjedhur ende si ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjetikës. Belinda Balluku mbahet mend për një gafë të saj gjatë kohës që mbante postin e sekretares për marrëdhëniet me publikun në partinë socialiste ku pas vizitës së ish-shefit të atëhershëm të opozitës në Kosovë, në njoftim shkroi: “Edi Rama u takua me kryetarin e AAK Rramush Haradinaj”…. i cili, në fakt, gjatë vizitës së Ramës në Kosovë ndodhej për gjykim në Hagë.

Ndoshta tashmë ministria e re Infrastrukturës dhe Energjisë ka mësuar nga gabimet dhe është gati t’i shërbejë liderit të saj. Duket qartas se shefi i qeverisë ka besim se Belinda Balluku, bën pjesë tek kategoria e njerëzve që mësojnë nga gabimet. Dhe Edi Rama ka treguar se di të falë e të rikthejë të preferuarit e tij në pushtet.