Ministria “Haxhinasto” 7 ditë më parë tender ilegal 3 mld lekë, për të shkulur palmat

594
Ka një fakt, të cilin e ka pranuar së fundi edhe qeveria edhe media shqiptare: Në datën 7 maj 2015, kur gazeta “Telegraf”, botoi lajmin e marrë nga burime të sigurta të marra pranë qeverisë “Rilindja”, me titull “Palmat e Tiranë-Durrës, që u blenë 53 mijë euro dhe u faturuan 737 mijë euro, do të shkulen pas zgjedhjeve të 21 qershorit”, në redaksi erdhën shumë reagime kundërshtuese nga zyrat e pushtetit, duke e quajtur lajmin e botuar, si “shpifje të qëllimtë”. Gazeta “Telegraf”, pas këtyre reagimeve e madje pas shumë sulmeve, reagoi zyrtarisht, duke deklaruar se duhej pritur momenti pas zgjedhjeve lokale, që të verifikohej e vërteta. Tashmë, kanë kaluar 10 ditë pas zgjedhjeve të 21 qershorit 2015. Skandali i rëndë financiar, me vlerë 737 mijë euro në palma të mbjella në autostradën Tiranë-Durrës, publikuar në datën 7 maj 2015 nga gazeta “Telegraf”, për çmimin real të blerjes së tyre me vlerë totale 53 mijë euro dhe të faktit që këto do të shkuleshin pas 21 qershorit, tashmë u vërtetua plotësisht. Fakti ëhstë ky: Ministria “Haxhinasto” ka zhvilluar pak ditë më parë, një tender për shkuljen e palmave të mbjella me bujë e me ceremoni shtetërore në autostradën Tiranë-Durrës, si një “model evropian” në standardet e transportit rrugor. Por vetëm 7 ditë më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, tipik si punë “njësiti gueril”, ka zhvilluar tenderin e shkuljes së palmave dhe ka nisur shkuljen e tyre, me motivin: “mbjellja e tyre ishte shkelje standardi rrugor, duhen respektuar standardet e BE për transportin rrugor, me objekt zgjerimin e rrugës dhe shkuljen e palmave të mbjellja jashtë kushteve teknike që shkaktojnë aksidente”! Palmat e mbjella do shkulen. Tenderi “ilegal”, rezulton se është zhvilluar pa asnjë njoftim në buletinin zyrtar të prokurimeve publike, ku ligjërisht detyrohet të njoftohet edhe tenderi për blerjen e fshesave, kovave e leckave të pastrimit të shkollave të fshatrave të largët. Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, firma që do shkul palmat me vlerë 737 mijë euro të paguara nga buxheti i shtetit, ose totale 53 mijë euro të blera faktikisht, nuk është firma që i mbolli. Fitues i shkuljes së tyre është kompania italiane “SPEA INGEGNERIA EUROPEA S.P.A” e cila, rezulton se ka fituar të drejtën për të zhvilluar studim–projektim zgjerimi të Superstradës Tiranë–Durrës, ku përfshihet edhe shkulja e palmave. Nëse palmat që u mbollën kushtuan 737 mijë euro, shkuklja e tyre dhe zgjerimi i rrugës kushton 252 milionë, 052 mijë e 500 lekë pa taksën 20 % TVSH, ose 3 miliardë lekë. Nëse palmat u mbollën për 1 javë si “arritje publicitare”, shkulja e tyre do të zgjasë 13 muaj. Edhe një fakt tjetër: Autoritetet e rrugëve, sapo kanë nisur të largojnë këtej edhe disa “topa” betoni, që s’përputheshin me kërkesat e sigurisë rrugore. 
Gazeta “Telegraf”, denoncoi shkeljen e standardeve: Mbjellja e palmave 2 metër pranë vijës anësore të rrugës, “burim aksidenti”
Sipas standardit të rrugës inter-urbane, parashikuar në Kodin Rrugor dhe në kontratën e ndërtimit, shpejtësia në këtë rrugë duhet të jetë 90 km/orë. Por pas mbjelljes së palmave dhe ngushtimit të gjerësisë së saj, ministria “Haxhinasto” vendosi tabela që detyrojnë shpejtësinë maksimale jo me tepër se 60 km/orë, fakt që të imponohet sapo kalon mbikalimin e Rinasit dhe në krejt aksin vajtje-ardhje. Specialistët e rrugëve dhe sigurisë rrugore, deklaruan se kjo ulje shpejtësie me 30 kilometër në orë, vjen për shkak të mbjelljes së palmave dhe pemëve të tjera në të dyja anët e kësaj rrugë. Sipas Ligjit Nr. 8378, datë 22.7.1998, në nenin nr. 2 (“Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”), aksi Tiranë-Durrës është kategorizuar si “Rrugë inter-urbane kryesore, pajisur me karrexhata të pavarura, ose të ndara nga trafik-ndarës të pakapërcyeshëm nga kafshët dhe njerëzit, secila me të paktën 2 korsi lëvizjeje dhe bankina të shtruara, pa kryqëzime në nivel, me hyrje të koordinuara për objekte anësore, të jetë plotësisht e dallueshme nga sinjale të veçanta të fillimit dhe mbarimit, rezervuar për qarkullimin e disa kategorive mjetesh motorike”. Këtë ndërhyrje e ndalon kategorikisht Ligji Nr. 8378, datë 22.7.1998, (“Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”), në të cilin përcaktohet qartë se sa duhet të jenë distancat e ndërtimeve në rrugë, ose vendosja e objekteve të tjera si pemë, aktivitete private, reklama, makineri pune të parkuara provizorisht etj. Por ndërsa qeveria shkuli reklamat dhe disa kioska anës kësaj rruge, mbolli palma të cilat janë po në kundërshtim me ligjin, madje i mbolli në vijën anësore të rrugës, në distancë as 2 metër larg saj. Lidhur me këtë skandal të denoncuar e të bllokuar edhe nga BE, gazeta “Telegraf” si denoncuese e shpeshtë e këtij skandali shtetëror, i kërkon prokurorisë të nis hetimet me objekt të faktuar: Shkatërrim prone, falsifikim projektesh, shkelje me dashje të Kodit Rrugor, shkatërrim mjedisi dhe abuzim me fondet publike, me pasojë 156 aksidente automobilistike, me pasojë 98 raste plagosje dhe 6 raste vdekje
Gazeta “Telegraf”, ka deklaruar më 7 maj 2015: 
“…Këto palma u mblodhën me ceremoni të bujshme mediatike e qeveritare me ceremoni “dasmë”, ndërsa tani do të hiqen në heshtje të plotë me ceremoni “funerali”, nën justifikimin se “janë plaka çelin gjethe”! Edhe pse Ministria e Mjedisit, ministria e Transportit dhe qeveria nuk e deklaruan vlerën e mbjelljes së palmave, në “Buletinin e Prokurimeve Publike” nr. 29, datë 21 korrik 2014, faqe 281, njoftohet se është shpallur një firmë fituese, që do gjelbëronte rrugën Tiranë-Rinas, me vlerë investimi 737 mijë euro me gjithë taksën 20% TVSH. Edhe pse shifra po mbahet sekret ende pas 1 viti, palmat që janë mbjellë në këtë aks kanë kushtuar 600 milionë lekë! BE ndërhyri, fill pas kërkesës së ministrit Arben Ahmetaj, për zgjerimin e kësaj rruge, me një investim 120 milionë euro grand nga BE. Por palmat e mbjella në kundërshtim me projektin final të rrugës, në kundërshtim me Kodin Rrugor dhe standardet rrugore të transportit të caktuara prej BE dhe gjelbërimi në mes e në të dy anët e rrugës si “klon kufiri”, pengojnë këtë investim serioz të inciuar dhe të mundësuar si fond prej ministrit Ahmetaj. Palmat dhe “ferrat” e mbjella q1 vit më parë në vlerën 737 mijë euro, do të shkulen pas 2 muajve , për të rikthyer standardet fizike e teknike të kësaj rruge!
Sigal