Ministria e Shëndetësisë: Shkon në 900 numri i të plagosurve nga tërmeti

221

Ministria e Shëndetësisë njofton se numri i personave që kanë marrë lëndime nga tërmeti i 26 nëntorit ka shkuar në 900.

“Gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Durrësit dhe të Traumës janë paraqitur 52 qytetarë të lënduar/ të traumatizuar si pasojë e tërmetit, të cilët kanë marrë trajtim mjekësor

Shkon në rreth 900 numri i të lënduarve nga tërmeti që kanë marrë trajtim në spitale, nga të cilët 731 vetëm në spitalin e Traumës dhe Durrësit.

Aktualisht janë të shtruar 63 të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, përveç një person që paraqitet në gjendje më të rënduar.

Përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë rreth 1107 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti që po marrin trajtim në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura. Ndërsa mbi 350 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampit të emergjencës në Thumanë dhe pikave të ngritur në Durrës. Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë.

Urgjenca kombëtare ka përballuar 5094 thirrje për ndihmë që nga momenti i rënies së tërmetit dhe ka realizuar 1311 misione me autoambulancë. Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti janë në gatishmëri të përforcuar”, thuhet në deklaratën e MSH.