Ministria e Mjedisit: Bashkia e Tiranës nuk ka marrë leje mjedisore

55
Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për betonizimin e Parkut të Liqenit. Ajo që është denoncuar për ditë të tëra në media tashmë është zyrtarizuar. Ndërtimi i këndit të lojërave te Parku i Liqenit Artificial është në shkelje të ligjit, pasi nuk ka një leje mjedisore.
Në një prononcim për gazetën “Sot” Ministria e Mjedisit, është shprehur se nuk ka asnjë leje mjedisore për punimet që po zhvillohen te parku. Sipas kësaj ministrie, vetë bashkia pretendon se nuk i nevojitet një leje e tillë, për faktin se sipas tyre, një park nuk mundet që të çlirojë ndotje.
Por sipas ministrisë, përderisa gjatë punimeve përdoren automjete, përdoren lëndë ndërtimi, do të thotë se çlirohen elementë ndotës e për këtë arsye nevojitej një leje e tillë, ndërkohë që dhe vetë bashkia duhet të hartonte një raport të përgjithshëm mbi masën e ndotjes që mund të vinte prej saj. Po ashtu, për çdo pemë që do të dëmtohet duhet të ketë leje.
Shembulli që jepet nga zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit është se ndërtimi te Liqeni Artificial është i ngjashëm me ndërtimin e rrugëve, ku edhe aty aplikohet për leje mjedisore, pasi gjatë ndërtimit do të ketë ndotje, edhe pse më pas mund të mos ketë.
Një gjë e tillë tregon se bashkia është në shkelje të ligjit për lejet mjedisore, teksa nga ana e specialistëve të mjedisit, është bërë me dije se ata nuk kanë aplikuar fare për një leje të tillë pranë Inspektoratit të Mjedisit. Nga ana tjetër në zonën e Liqenit Artificial, punimet kanë vijuar normalisht ditët e fundit, ku kanë punuar makineri të rënda dhe është hedhur beton, gjë që ka sjellë reagim të ashpër nga ana e shoqërisë civile, që proteston prej disa ditësh.