Ministria e Mbrojtjes braktis Uzinën Ushtarake të Mjekësit dhe ushtarët

820
Sigal

Dikur prodhuesja e njohur e lëndëve plasëse, është kthyer në magazinë armësh e municionesh që vijnë nga Mali i Zi. Prej 3 muajsh komandanti ka ikur e rri në Korçë

Ngarkesa me armë e municione që vijnë nga Mali i Zi për magazinim dhe ushtarë të ‘shpartalluar’, si të dalë nga lufta, është ajo që konstaton gjithkush që në pamje të parë sot në Uzinën Ushtarake të Mjekësit në Elbasan, deri pak kohë më parë, një nga më modernet dhe më të mëdhatë në Ballkan për prodhimin e lëndëve plasëse. Teksa ushtarët në organikë të Ministrisë së Mbrojtjes, janë harruar apo më saktë janë braktisur dhe nga eprorët direkt. Për të ardhur keq, por një realitet i hidhur, kur vendi jonë është edhe anëtar i NATO-s! Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes, që propagandon me të madhe ‘sukseset; me sa duket i ka jashtë vëmendjes e interesit këtë uzinë e ushtarët e saj. Ministria e Mbrojtjes prej 6 muajsh duket se i ka “harruar” fare se ka një kompani e cila ka si mision ruajtjen fizike  të uzinës më të madhe të demontimit të armëve dhe municioneve në Mjekës të Elbasanit. Prej disa muajsh një kompani e përbërë prej afro 60 ushtarësh dhe oficerësh, ndihet e braktisur, e harruar, sikur jetojnë dhe shërbejnë në një ishull pa zot. Ushtarët dhe oficerët e ruajtjes së uzinës së demontimit të armëve dhe municioneve, kanë disa muaj që bëjnë shërbim 36 dhe 48 orë pa ndërprerje,  prej 2 vitesh nuk marrin asnjë uniformë nga shteti  duke u detyruar ta blejnë atë në treg, dhe asnjë trajtim tjetër nga komanda. Por sikur të mos mjaftonte kjo situatë e cila ka sjellë çoroditje dhe pakënaqësi mes tyre, prej disa muajsh pavarësisht se merr rrogën, A. J., komandanti repartit që mbulon Mjekësin dhe disa pika të tjera në Elbasan, rri  në banesën e tij dhe qytetin e tij në Korçë, duke lënë pa asnjë përkrahje dhe mbështetje ushtarët dhe oficerët. Pavarësisht se prej 3-4 muajsh uzina e Mjekësit ishte e papunë, ushtarët dhe oficerët e kompanisë së ruajtjes së këtij objekti me rëndësi tepër të veçantë, e kanë kryer detyrën mes diellit dhe vapës, duke bërë shërbim pa ndërprerje 36 apo edhe 48 orë. Por si për ironi të fatit, edhe pas shërbimit të stërzgjatur, urdhri ishte se “nuk duhet të lëvizni nga pika e shërbimit”. Kjo kompani prej kohësh po trajtohet sikur të ishte duke kryer shërbim në ndonjë planet pa jetë. Askush nga Ministria e Mbrojtjes dhe Komanda e Trupave Tokësore, nga e cila varet, nuk pyet për fatin e tyre, për veshjet dhe kushtet e jetesës. Prej 2-3 ditësh uzina e Mjekësit ka marrë nga Mali i zi, sasi të konsiderueshme me armatime dhe municione, kryesisht ruse dhe kineze, të cilat kanë rikthyer në punë vetëm 50 për qind të punëtorëve, të cilët prej 6 muajsh qëndronin në shtëpi pa punë. Tek afrohesh tek dera kryesore e uzinës së Mjekësit shikon dhe takon ushtarët dhe oficerët e shërbimit, që të duken të rropatur, të lodhur sikur janë kthyer nga lufta, pas një shërbimi jo 8 orësh, por mbi 36 orë pa lëvizur nga vendi. Elbasani ka disa pika ku ushtarë të një kompanie tjetër ruajnë objekte të rëndësisë së veçantë, dhe patjetër që është e nevojshme prania e komandantit të repartit. Por mungesa e kontrollit dhe amullia ka bërë që ai të vijë rrallë në vendin e punës në këtë qytet, dhe preferon të rrijë në Korçën e tij. Ushtria ka qenë dhe mbetet sektori më jetik i çdo vendi, dhe padyshim edhe i vendit tone. Është e pakuptimtë dhe e pajustifikueshme që qoftë edhe një repart i vetëm i Ushtrisë Shqiptare, pjesëtare e NATO-s, që dërgon kontigjentet e saj deri në Afganistan dhe Irak, të katandisë kompaninë e Mjekësit në ditën e hallit. Ushtarëve dhe oficerëve të tyre, u takon norma e përcaktuar  e trajtimit, duke nisur nga uniforma e plotë dhe jo  gjysmake, nga trajtimi ushqimor, dhe zbatimi rregulloreve  siç janë shkruar dhe miratuar nga Ministria e Mbrojtjes. Ushtarët dhe oficerët e çdo formacioni ushtarak nën varësinë e MM, e kanë të përcaktuar me ligj dhe rregullore të brendshme kohën e shërbimit në vendroje, gjë e cila shkelet vetëm në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme. Por kjo pikë e rregullores dhe mjaft pika të tjera që rregullojnë gjithë mbarëvajtjen e strukturave nga qendra në bazë, nuk zbatohen në repartin e Elbasanit. Të porositur nga eprorët “për të mos folur me asnjë gazetar, për problemet e repartit” ushtarët dhe oficerët  e repartit të Elbasanit  duket se janë kthyer në robotë, dhe pavarësisht kësaj  ata kanë të drejtën ligjore të trajtohen  si njerëz dhe jo si skllevër.