Ministria e energjitikës firmos për Fazlliçin 8.2 milion euro më shtrenjtë se Bode

498
Sigal


Interkonjeksioni 400 kV mes Shqipërisë dhe Kosovës, Rama ndjek Berishën në përzgjedhjen e fituesit

Linja e interkonjeksionit 400 KV Tiranë-Prishtinë do të realizohet nga dy firma ballkanike, kroatja “Dalekovod” për segmentin kosovar dhe boshnjakja “Energoinvest” për pjesën shqiptare. Kjo e fundit është një emër i njohur për median shqiptare. Ndërsa ishin ende në opozitë, socialistët akuzuan atëherë Qeverinë Berisha se bllokoi qëllimisht linjën e interkonjeksionit, pasi dëshironte të shpallte fituese firmën Energoinvest, që sipas të majtëve ishte e lidhur me biznesmenin Damir Fazlliç. Por pas ndryshimit të pushteteve, socialistët bënë të njëjtën gjë për të cilën akuzuan Berishën. Energoinvest u shpall nga Qeveria “Rama” fituese e tenderit për pjesën shqiptare të interkonjeksionit. Energoinvest ka publikuar në faqen e saj lajmin e kontratës me qeverinë “Rama”, falë së cilës do të përfitojë 29 milionë euro. Ministria e Energjetikës pranoi gjithashtu, zgjedhjen e kompanisë boshnjake  “Energoinvest” me aksioner edhe Damir Fazlliç për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV mes Shqipërisë dhe Kosovës. Përmes një njoftimi për mediat, Ministria sqaron se selektimi dhe përzgjedhja, deri në ofertën teknike është kryer nga drejtuesit e OST-së dhe konsulentët e bankës KFË, gjatë  qeverisjes së Sali Berisha. Gjithashtu Ministria sqaron se gjithë procedura është  ndjekur  dhe  zhvilluar  nën  konsulencën  e  bankës gjermane e cila ka certifikuar procesin deri në firmosjen e kontratës më 12 dhjetor 2013.

 Njoftimi i Ministrisë së Energjetikës

 Duke marrë shkas nga disa publikime të fundit në media rreth linjës së interkonjeksionit 400 kV mes Shqipërisë dhe Kosovës, Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaron sa më poshtë:  Projekti i ndërtimit të linjës së tensionit të lartë 400 kV Kosovë-Shqipëri, është i ndarë në dy LOT-e. LOT1 përfshin ndërtimin e linjës interkonjeksionit, e cila lidh nënstacionet NS Kosova B (Kosovë) dhe NS Tirana 2 (Shqipëri) me një gjatësi totale prej 241.5 km. Ndërsa LOT2 përfshin ndërtimin dhe instalimin e pajisjeve të tensionit të lartë në këto nënstacione, si dhe infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e shërbimeve të rregullimit sekondar (frekuencë – fuqi), në mes të Operatorit të Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST). Kompania kroate “Dalekovod” do të ndërtojë linjën në pjesën e Kosovës ndërsa kompania nga Bosnje Hercegovina “Energoinvest” (me pjesën kryesore të kapitalit shtetëror) do të realizojë ndërtimin në pjesën e Shqipërisë. Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaron se pas periudhës së zvarritjes dy vjeçare nga qeveria e Shqipërisë, amendimi i kontratës së konsulencës për procedurën e ritenderimit është kryer më 4 shkurt 2013. Njoftimi për procedurën e re të tenderimit për këtë projekt u krye më 20 mars të vitit 2013.  Më 11 qershor 2013 është kryer hapja e procedurës së tenderimit, marrja e ofertave dhe hapja e zarfit të postkualifikimit.  Më 9 gusht 2013 është bërë hapja e ofertës teknike ku është kryer edhe skualifikimi i disa ofertave, duke bërë që më 1 nëntor 2013 (kur u hap oferta financiare) të kishte mbetur vetëm kompania Energoinvest.  Më 12 dhjetor 2013 është kryer firmosja e kontratës për Lot 1 me Energoinvest. Selektimi dhe përzgjedhja, deri në ofertën teknike është kryer nga drejtuesit e OST-së dhe konsulentët e bankës KFË, gjatë qeverisjes së shkuar. E gjithë procedura është ndjekur dhe zhvilluar nën konsulencën e bankës gjermane, e cila ka certifikuar procesin deri në firmosjen e kontratës më 12 dhjetor 2013. Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri do të ndikojë në optimizimin e dy sistemeve, ngritjen e kapaciteteve transmetuese,  si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektro-energjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe po ashtu do të ndikojë në zhvillimin e tregut të të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike.

 Bode anuloi vendimin e KFVv se nuk u ruajt çmimi më i ulët në tender

 Ish -ministri i Financave Ridvan Bode ka argumentuar anulimin e tenderit të ndërtimit të linjës së transmetimit 400 kV Tiranë-Prishtinë duke arsyetuar se oferta e renditur e para nga KFË paraqet çmim të lartë. Në disa letra të njëpasnjëshme, ish ministri i Financave i ka bërë të ditur KFË-së, bankës së shtetit gjerman, se nuk do të pranojë firmosjen e një tenderi me kosto të lartë. “Interesimi i ministrit të Financave përligj detyrimin e tij publik për të siguruar minimizimin e shpenzimeve publike, duke ruajtur rëndësinë dominuese të çmimit më të ulët në tender dhe plotësimin parakualifikues të aftësisë teknike të operatorëve ekonomikë konkurrues”, ka qenë përgjigjja e Bodes, drejtuar bankës më 31 korrik 2012. Sipas tij, diferenca mes firmës së renditur e para, “Dalekovod”, është gati 8.2 milionë euro më e lartë se e konkurrentes tjetër, “Energoinvest”, renditur e dyta, pavarësisht se të dyja e realizojnë teknikisht projektin. Ish ministri ka argumentuar se funksioni i tij parësor është realizimi i projekteve me kosto më të ulët, për të mos dëmtuar interesat ekonomikë të vendit (letra e datës 19 janar 2012). Pra, ministri synon të kursejë 8 milionë euro dhe sugjeron të lidhë kontratë me “Energoinvest”, e cila ofron një çmim të ulët, ose në rast të kundërt, pranon anulimin e tenderit dhe ribërjen nga e para.