Ministria e Brendshme mashtron policët e Elbasanit

565
Ministria e Brendshme ka prej 1 viti që mashtron 361 policët e qarkut të Elbasanit, që kanë marrë pjesë në aksionet për “korrjen” e kanabisit, ndeshjet e huaja ndërkombëtare, ato kombëtare si edhe orët shtesë të mjaft aktiviteteve, tek të cilat uniformat blu kanë qenë me shërbime të gjata, madje edhe 24 orëshe. Pavarësisht se Sindikata e Policisë në drejtoritë e qarqeve, pothuajse nuk ekziston sepse në rast se je anëtar i saj, automatikisht je i larguar nga detyra, duket se informacionet nga brenda policisë nuk mungojnë. Sipas një burimi referuar një polici nga qarku i Elbasanit rezulton se, janë afro 361 policë që prej 1 viti marrin pjesë me shërbime të zgjatura, në aktivitete, aksione dhe mjaft evente të tjera, por që Ministria e Brendshme deri sot i ka mashtruar, duke u premtuar dhe gënjyer. Sipas të njëjtit burim policor mësohet se “pothuajse çdo muaj që marrin rrogat, policët shpresojnë që të marrin edhe paratë e shërbimeve shtesë, pasi janë afro 218 milionë lekë gjithsej, të cilat edhe gjatë vizitës së tij muajin e kaluar zoti Tahiri, u premtoi se “do t’jua japim patjetër çuna, sepse u takojnë”. Por deri sot asgjë, ndërkohë që paga qesharake e shumicës së policëve, ka detyruar këta të fundit të merren edhe me “punë” të tjera, duke nisur nga shërbimet natën në parcela me kanabis, e duke përfunduar tek taksistët e turnit të tretë. Por paga qesharake shpesh i detyron uniformat blu të bien në rrjetën e grupeve kriminale, të cilat i përdorin ata si “kodoshë” për të marrë informacione të vlefshme. Por mashtrimi me paratë e orëve shtesë, mungesa e transparencës, korrupsioni dhe akuzat e shumta në drejtim të drejtuesve të drejtorive në qarqe, ka risjellë në vëmendje skandalin e përsëritur me pagesat e policëve. 
Miliona lekë për shefat e policisë
E ndërsa shpenzohen miliona lekë dhe euro për blerje dhe sajdisje të tjera për ministra dhe pushtetarë, duket se lekët e policëve të thjeshtë ministrave u duken goxha vlerë e madhe. Sipas një polici të komisariatit të Elbasanit “kemi 2 javë që kërkojmë konfirmimin nga dega e financës, e cila ka marrë një gjysmë përgjigje nga Ministria e Brendshme, e cila thotë se “nuk janë në plan lëvrimi parave të orëve shtesë deri në dhjetor 2016”, pra janë fshirë fare nga lista lekët tona, që na takojnë pasi nuk po kërkojmë asgjë të paligjshme, ndërkohë kanë nisur presionet ndaj kujtdo që flet, duke na treguar derën e jashtme të komisariatit, situata mbetet çoroditëse, asnjë polic nuk punon me dëshirë, por mendon sepse me rrogën mban fëmijët me bukë, pasi trajtimi ynë mbetet më keq se ai i vitit 1991”. Të vetmit që trajtohen siç duhet, janë padyshim shefat e policëve të thjeshtë, janë ata që marrin dhe përdorin edhe për punët dhe problemet e familjes makinat e policisë, janë ata që futen në pazare me parexhinjtë dhe përdorin si levat e tyre shpesh edhe policët e thjeshtë, që presin prej 1 viti të marrin paratë që meritojnë. Situata në të cilën është katandisur policia në shumicën e qarqeve, është më tepër se shqetësuese, dhe kjo mësohet edhe nga deklaratat dhe informacionet që vijnë nga vetë policët e thjeshtë, që po keqpërdoren prej vitesh. Përdorimi policëve në stadiume, takime elektorale, takime politike dhe sociale, në koncerte dhe ceremoni të ndarjes së lejeve të legalizimeve dhe aq më keq akoma, në ruajtjen e ndonjë aksi rrugor në fshatrat e largëta që të dërgon tek parcela e mbjellë me kanabis, tregon se rruga në të cilët ka hyrë ky institucion është sa qorre, aq dhe e rrezikshme për rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Por gjithsesi, fshirja e 218 milionë lekëve të premtuara nga listat e financës, ndoshta mbetet vjedhja e radhës dhe objekti i organeve hetimore për zbulimin e të vërtetës, të cilat punën e tyre duhet ta shtrijnë gjerë e gjatë edhe në drejtoritë e policive në qarqe. 
Sigal