Ministria e Brendshme i fsheh gjykatës kontratën e pasaportave

818
Vazhdimin e denoncimit të skandal-krimit që vazhdon të bëhet prej mëse 7 vitesh nga kompania koncesionare “Sagem” në Shqipëri me prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit, gazeta “Telegraf” po e vijon me një fakt tronditës, që konfirmon abuzimin e “Sagem” lidhur me shmangien nga taksa e detyrueshme 20% TVSH, duke përdorur firma të tjera biznesi për import lëndësh të para e ndihmëse të Pasaportave e Kartave të Identitetit, të cilat për nga lloji i biznesit që kryejnë, nuk kanë asnjë lidhje dhe nuk duhen lejuar të kryejnë bashkëpunim me një firmë që prodhon “produkte” që kërkojnë siguri dhe fshehtësi të plotë shtetërore. Në rastin konkret, firma “Sagem” ka bërë pjesë të biznesit të saj një firme që merret me siguri dyersh e objektesh, megjithëse e ndalon kategorikisht kontrata koncesionare e miratuar në parlamentin shqiptar me Ligjin Nr. 9972, datë 28. 07. 2008 “Për ratifikimin e kontratës koncesionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike”. Gazeta “Telegraf”, nga burimet e saj ka mësuar se shërbimet e huaja inteligjente dhe SHISH, kanë konstatuar se afro 10% e pasaportave shqiptare prodhim të firmës “Sagem”, kanë dalë nga sistemi i kontrollit shtetëror dhe përdoren për identitete false nga trafikantë, kriminelë e terroristë në 21 shtete, në 2 vitet e fundit policia shqiptare ka kapur mbi 100 raste të tillë. Kujtojmë, që në 7 vjet firma “Sagem” ka prodhuar 2.1 milionë pasaporta e karta të pa sigurta dhe me krim financiar në shitje, ndërsa shteti hesht e prokuroria nuk vepron. Në skandalin që publikojmë sot, flitet pikërisht për krim financiar në importin e lëndëve të para të prodhimit e sigurisë që përdor “Sagem” dhe në cenimin e sigurisë e të sekretit të procesit të prodhimit të pasaportave. Çfarë ka ndodhur? 
“Sagem” cënon sekretin dhe sigurinë e procesit, importon lëndën e parë me firma të pa certifikuara nga shteti
Është një proces gjyqësor i zhvilluar 6 vite më parë në Gjykatën e Apelit në Tiranë e që zgajti 3 vjet, nëpërmjet të cilit ekspozohet shpërfillja që Ministria e Brendshme i bënë gjykatës, duke mos i paraqitur si provë kontratën koncesionare me të cilën shteti shqiptar ka licencuar firmën “Sagem”, për të prodhuar pasaporta e karta identiteti për shtetasit për 1 periudhë 5 vjeçare, kontratë e cila në vitin 2009, me makinacione dhe pazare të pista mes treshes Ministri e Brendshme-Parlament-Sagem është shtyrë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me vetë kontratën deri në 10 vite e po kështu në janar 2015, në kundërshtim me kontratën Ministria e Brendshme ka miratuar pazarin e pistët të “Sagem” për të rritur çmimet e pasaportave e kartave të identitetit në Shqipëri dhe në zyrat konsullore shqiptare nëpër botë. Gjyqi që zbulon skandalin e Ministrisë së Brendshme në mbrojtje të abuzimeve financiare me fshehje të taksës 20% TVSH është me Nr. 2594/105 i Regj. Themeltar, me Nr. 663 Vendimi, përfunduar në datën 26.03.2012. Palë paditëse në gjyq është shoqëria “Sphinx sh.p.k”, ndërsa palë e paditur është Drejtoria e Rajonale e Tatimeve të Tiranës. Objekt i padisë është shfuqizimi i njoftim-vlerësimit tatimor Nr. 40837/3 datë 11. 11. 2009 dhe shfuqizimi i vendimit Nr. 14554/1, datë 08. 03. 2010 të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë (Apelimi). Ç’është ky gjyq që ka palë paditëse firmën “Spinxh shpk”, por që në çdo rresht të dosjes së gjykimit, përmendet emri “Sagem”, që prodhon pasaporta shqiptare?! Shoqëria paditëse “Spinxh shpk”, në datën 21. 01. 2009 ka lidhur kontratë me shoqërinë franceze “Sagem”, sipas të cilës shoqëria “Sphinx shpk”, do të kryente për llogari të shoqërisë “Sagem” shërbimin “Mbajtja e kontakteve, këshillimi mbi kushtet e tregut, konsulencë mbi legjislacionin, asistimin etj. Mirëpo kontrata e shtetit shqiptar e lidhur me “Sagem”, ratifikuar me Ligjin Nr. 9972 datë 28. 07. 2008, publikuar në “Fletore Zyrtare” nr. 128 datë 28. 07. 2008, me autoritet kontraktor Ministria e Brendshme, ndalon kategorikisht këtë nënkontraktim, mbasi cënohet sekreti shtetëror dhe të dhënat personale të shtetasve që pajisen me dokumente identifikimi. Edhe pse thuhet se në këtë rast është zbatuar Neni 18/2 i kontratës koncesionare, kjo kontratë në gjyq nuk është paraqitur nga Ministria e Brendshme edhe pse gjykata e ka kërkuar disa herë me shkresë zyrtare! Përse bëhet fjalë? Firma “Sphinx shpk” ka importuar materiale e lëndë të para për llogari të firmës “Sagem” pa pagesën e taksës 20% TVSH, pavarësisht se detyrohet ta paguaj këtë taksë sipas Ligjit Nr. 7928, datë 27. 04. 1995 “Mbi tatimin mbi vlerën e shtuar” të ndryshuar. Së dyti, firmës “Sagem” nuk i lejohet të importoj materiale që kanë lidhje me sigurinë e pasaportave, me firma nënkontraktore. Së treti, firmës “Sagem” nuk i lejohet të lidh kontrata direkte me nënkontraktojë, pa miratimin e parlamentit, mbasi kontrata e saj koncesionare është e miratuar me ligj parlamenti dhe ndërhyrjet, ndryshimet, apo ortakëritë e nënkontraktimet bëhen vetëm me ligj parlamenti! Për importin e materialeve ndihmëse pa taksën 20% TVSH prej firmës “Spinxh shpk” në favor të “Sagem”, Drejtoria Rajonale e Tatimeve të Tiranës në datë 11. 11. 2009, ka zbuluar veprimtari tregu-importi pa pagesë detyrimi tatimor për taksën 20% TVSH në shumën 9 milionë, 250 mijë e 541 lekë. Për këtë, përveç detyrimit për pagesën e taksës 20% TVSH, tatimet e gjobitën firmën “Spinxh shpk” edhe me 2 milionë, 312 mijë e 633 lekë. Këtë ndëshkim dhe detyrim shlyerje vlere TVSH-je, firma e kundërshtoi në gjykatë. Kujtojmë, që edhe vetë firma “Sagem”, prodhimin e pasaportave e kartave dhe shitjen e tyre e kryen pa aplikuar taksën 20% TVSH, pra është një zinxhir krimi ekonomik 7 vjeçar që nis qysh nga importi i lëndëve të para e pajisjeve, kur këtë e detyron kontrata dhe ligji shqiptar i tatimeve. 
Ministri i Brendshëm në janar-shkurt 2012, nuk i dha gjykatës kontratën e “Sagem”
Për të ballafaquar e vërtetuar provat, gjykata e Apelit Tiranë, me shkresat zyrtare nr. 105 datë 27. 01. 2011 dhe nr. 540 datë 22. 02. 2012, i kërkoi Ministrisë së Brendshme si autoritet kontraktor me “Sagem”, që të depozitonte kontratën me “Sagem” për provë gjykimi në zbatim të neneve 223 e 224 te K. Pr. Civile, por Ministria e Brendshme refuzoi t’ia jepte këtë kontratë duke u përgjigjur fillimisht se “kontrata është sekret shtetëror” e më pas me justifikimin se “nuk po e gjenin dot kontratën”. Duke kujtuar që këto shkresa i janë drejtuar Ministrit të Brendshëm të periudhës janar-shkurt 2012. Por kontrata nuk shkoi në gjykatë dhe prej justifikimeve, mashtrimeve e pengesave të qëllimshme të Ministrit të Brendshëm të janar-shkurtit 2012, gjykata ka shtyrë 6 herë seancat gjyqësore të datës 08. 11. 2011, të datës 06. 12. 2011, të datës 15. 12. 2011, të datës 22.12.2011, të datës 25.01.2012 dhe të datës 22.01.2012 duke e mbyllur gjykimin! 
Server aktual primitiv, pasaporta e karta jo me 2 por me 1 “mikropçip” kartash telefoni
Për të krijuar arkivën e të dhënave identifikuese të shtetasve me foto, me gjurmë gishtash e shenja të tjera pamore, nisi projekti i prodhimit të pasaportave e kartave nëpërmjet një firme të paraqitur si “Sazhem Orga” e cila u certifikua vetëm për 5 vite aktivitet, si e vetmja kompani monopol në Shqipëri. Këto duhej të prodhoheshin me elemente sigurie, me 2 “mikroçipe” në kartë dhe 2 mikroçipe ne pasaportë, me qëllim që siguria të jetë e plotë dhe e pa falsifikueshme, por edhe që të dhënat të jenë të identifikueshme lehtësisht e të ruhen në server. Por, ato u prodhuan dhe po prodhohen vetëm me 1 “mikropçip” kartash telefoni, të cilët janë prodhim jashtë standardi e me teknologji që nuk lejohet të përdoren në dokumente identifikimi individuale, mbasi janë të pa sigurta e jo potenciale për të seruar të dhëna të plota. Po çfarë ndodh me serverin? Pikërisht ky server që përdor edhe sot “Sagem” nuk është i sigurt, mbasi është ngritur dhe funksionon mbi një teknologji të viteve 50-të, me aparatura e modele serverimi të kohës së Stalinit, të cilat nuk e përdoren as si server të dhënash identifikimi për skllevërit punëtor në portat e minierave të qymyrit të periferive të vendeve të Afrikës. Ky server që grumbullon, përpunon dhe ruan të dhënat e shqiptarëve, jo vetëm është i pa sigurt, por është edhe lehtësisht i manipulueshëm. 
Serveri 15 milionë euro nuk është instaluar tek “Sagem”, pa asnjë adresë
Është fjala për financimin e një serveri të ri, modern, me parametra të lartë sigurie, të kompletuar me gjithë shërbimet e sigurisë së të dhënave. Ky server, sipas “pasaportës” teknologjike është i njëjtë me serverët që përdoren sot në shtetet kryesore të BE e të botës. Sipas specialistëve, serveri i ri i porositur, por i pa ardhur në Shqipëri, ka të njëjtat standarde si serverët në Angli, Gjermani, SHBA, Francë, Suedi, Danimarkë, Belgjikë, Zvicër i cili nuk ka asnjë “vrimë gjilpëre” nga mund të futet e të dalë falsifikimi. Sipas informacionit dhe dokumentit origjinal të porosi-blerjes së serverit të sigurisë së lartë, rezulton se vlera e blerjes është 15 milionë euro. Fletë porosi-blerja ka adresën ku është blerë, ka porositësin, ka financuesin, ka datën e blerjes, ka bankën ku janë xhiruara eurot, ka kushtet e transportit, ka destinacionin e nisjes e të mbërritjes si shtet dhe adresën e blerësit. Nuk është as në depot, apo mjediset e Ministrisë së Brendshme, as në Kryeministri, as në Presidencë. Ku ka përfunduar serveri me vlerë 15 milionë euro?! Nëse sipas letrave, serveri është futur në Shqipëri, nga cilët është marrë në dorëzim, ku gjendet dhe nga cilët përdoret dhe përse përdoret? Nëse nuk ka hyrë fare në Shqipëri, ku ka përfunduar serveri, ose 15 milionë eurot që rezultojnë të paguara për blerjen e tij? 
———————————————————–
Ja shpjegimet që kërkohen nga Presidenti, Kryeministri, Ministri i Brendshëm, Prokurori i Përgjithshëm për aktivitetin e “Sagem” 
1. Kompania “Sagem” e ka pasur të nënshkruar për vetëm 5 vite kontratën koncesionare dhe brenda këtij afati duhej që koncesionin t’ia dorëzonte gradualisht të plotë në çdo element shtetit shqiptar, konkretisht në muajin tetor 2013, përse nuk ia ka dorëzuar?
2. A ka bazë ligjore konkrete shqiptare, që kontrata koncesionare e nënshkruar për 5 vite, të shtyhet për 10 vjet dhe a janë shtuar detyrimet tuaja financiare ndaj shtetit shqiptar për 10 vitet shtesë?
3. Ju argumentoni kërkesën për shtyrjen e koncesionit me faktin që keni dështuar në përgatitjen e serverit, për shkak të mos plotësimit të dokumentacionit në kohën e duhur. Nga cilët nuk janë plotësuar dokumentet në kohën e duhur, nga ju, apo nga autoriteti kontrator Ministria e Brendshme dhe përse nuk e keni bërë publik këtë pikë kryesore bazike të kontratës?
4. Kur kërkuan koncesionin dhe hartuat projekt-zbatimin e saj, nuk e kishit parashikuar që jetëgjatësia e dokumenteve kërkonte mbi 5 vjet, kur e zbuluat këtë “defekt”?
5. Cilat janë problemet e kompleksitetit të sistemit, që ju penguan të zbatoni kontratën dhe cilësinë e sigurinë e prodhimit të pasaportave?
6. Ju pranoni që nuk e futët dot në kohë teknologjinë e përparuar, përse nuk e realizuat, kur koncesioni duhej të niste me futjen e kësaj teknologjie, ndërkohë që ju u shpallët duke deklaruar se kishit gati këtë teknologji?
7. Ju thoni se nuk e plotësuam dot kontratën në 5 vite as në cilësi e as në siguri, për shkak se shteti nuk e dinte që ky proces kërkonte minimalisht 10 vjet, po ju si “firmë e specializuar” me e mira në botë, nuk e dinit dhe përse nuk e kërkuat gjatë konkurrimit, ditën e konkurrimit dhe përse pranuat të firmosni kontratën për 5 vjet e pas 5 vitesh t’i kthenit shërbimin shtetit shqiptar?
8. Në dosjen e konkurrimit ku ju jeni shpallur fitues, mungojnë shembujt e kartave ID polikarbonat, po sot a prodhohen kartat me polikarbonat? 
9. A keni depozituar në dosje faktin, që gjithë aktiviteti juaj në prodhime të tilla, ka si tregues vetëm prodhimi karta krediti e telefonie dhe një dokument identifikimi për sanitaret profesioniste në rajonin e Ventos? 
10. Ç’lidhje ka prodhimi juaj në Shqipëri me modelin nigerian të kartave e pasaportave dhe serverit të të dhënave ku ISO 27000 është certifikatë e “Sagem-Ogra”. 
11. Në cilën pikë të kontratës është parashikuar që institucionet ligjzabtuese e ligj-kontrolluese të shtetit shqiptar, duhet të marrin leje dhe të paguajnë tek ju për marrjen e të dhënave që i interesojnë hetimit rutinë të krimit, apo çështjeve të sigurisë kombëtare?
12. Në cilën pikë të kontratës, parashikohet që serverin e të dhënave identifikuese të shqiptarëve, duhet ta kontrolloj dhe administroj vetëm firma juaj e jo shteti shqiptar?
13. Në cilin vit është prodhuar, sa vjet është përdorur, në cilin shtet është blerë dhe a ka dalë jashtë përdorimit makineria me të cilën ju prodhoni kartat dhe pasaportat shqiptare?
14. Me sa mikroçipë, i prodhoni pasaportat dhe kartat shqiptare?
15. A bëni prodhime të tjera kartash për subjekte e shërbime të tjera dhe a ua lejon kontrata?
16. Është blerë një server të dhënash me vlerë 15 milionë euro, a është futur në shërbim? 
17. A keni krijuar edhe një server paralel me serverin zyrtar ët të dhënave të shqiptarëve, që parashikon kontrata dhe a e keni depozituar atë në ndonjë shtet, shërbim privat apo agjenci të huaj?
18. A ju është kërkuar nga BE, të ndryshoni urgjent teknologjinë e prodhimit të pasaportave e kartave identifikuese të shqiptarëve?
19. A shtypni ju edhe letrat me vlerë të shtetit shqiptar, apo të bankave të tjera vendase e të huaja private që veprojnë në Shqipëri dhe a jua lejon kontrata, konkretisht cila pikë? 
20. Në sa përqind të saj, ka ndryshuar kontrata e shtyrë 10 vjeçare, mbi ç’baza ligjore, ose vlerësim ekspertësh dhe a e parashikon kontrata fillestare?
21. A ka firma juaj, ndonjë “debat” ligjor me Postën Shqiptare, lidhur me procedurën tatimore të shit-blerjes dhe likuidimit financiar të kuponëve tatimorë dhe për çfarë çështje?
22. Çfarë është “Klauzola 50.1.1” e kontratës së koncesionit për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike e datës 21 korrik 2008, lidhur me shpërbërjen e kontratës dhe si është zbatuar?.
23. A ka ndonjë “njollë të zezë” abuzimi, lista e bashkëngjitur e neneve të ndryshme të kontratës dhe të dokumenteve të tenderit, trajtuar si objekt i një vlerësimi abuziv?
24. A janë bërë verifikimet, testimet dhe relacionet për jetëgjatësinë e kartave të dorëzuara nga kompania juaj?
25. Kur është bërë rinovimi i fundit i infrastrukturës së kartave të identitetit dhe në cilat drejtime në përputhje me rekomandimet dhe detyrimet e vëna prej BE dhe sipas parashikimit në kontratë?
26. Përse nuk është kryer procesi i lidhjeve të sistemit AFIS me bazën e të dhënave të kërkuara dhe sa milionë euro me 2 shifra është fatura që është paguar për këtë shërbim?
27. A janë zbatuar detyrimet dhe rekomandimet lidhur me saktësimin e listave dhe imazheve bashkëngjitur, te cilat duhet të jenë objekt diskutimi, sidomos për të parandaluar dëmtimet për shtetin shqiptar?
28. A ka një raport të Ministrisë brendshme në lidhje me veprimtarinë tuaj abuzive në mungesën e sigurisë së kartave dhe pasaportave që prodhoni dhe çfarë ju kërkohet urgjent?
Sigal