Ministria e Brendshme: 13 miliard lekë për të larë çarçafët

100
Ngarkesa që iu bë Ministrisë së Brendshme me punët publike, si mbylljen e lokaleve të bixhozeve, prerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, të rubinetave të ujit dhe hedhjen në erë të ndërtimeve pa leje e kthyen këtë ministri në ndërmarrje komunale e polici bashkiake. Krimi që ndodhi dje në mes të Tiranës, vetëm 500 metër larg “kullës” së Ministrisë së Brendshme, tregoi përfundimisht, se kjo ministri nuk po merret me luftën kundër krimit dhe bandave kriminale, por me politikë, me gjyqet personale të ministrit, me emërime “çunash me 8 klasë” në poste drejtuese, me tenderë supe spitalesh e makinash të sekuestruara dhe me “ca punë të tjera”, që nuk kanë asnjë lidhje me një ministri me 11 mijë punonjës, që “ha” miliarda lekë taksa shqiptarësh në vit, për të luftuar krimin e për të siguruar qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve, të cilët kur dalin në rrugë i fusin lekët në çorape, heqin bizhuteritë e për vetëmbrojtje në mungesë të shtetit mbrojtës, mbajnë edhe ndonjë kobure “nën poture”. Ministria e Brendshme, prej kohësh është kthyer në një “qendër biznesi”, që menaxhon tenderët e gjithë shërbimeve publike të gjithë ministrive të tjera. As përpara vitit 1990, Ministria e Brendshme nuk menaxhonte fondet e ministrive të tjera, ndërsa prej 18 muajsh, ministria “Tahiri”, përveç buxhetit të saj, menaxhon edhe fondet publike të ministrisë së arsimit, të shëndetësisë, të kulturës, të financave, të doganave, të tatimeve, të bujqësisë, të rrugëve, të administratës publike e deri të azileve të pleqve. Mos u çuditni, por ky është realitet. Ministria e Brendshme kontrollon gjithë fondet publike që kalojnë vlerën 3 milionë lekë. Gjithë ministritë dhe institucionet që duan të bëjnë shpenzime mbi këtë vlerë, me një ligj të posaçëm si ai i “kutive të ndihmës së shpejtw”, tenderohen vetëm nga Ministria e Brendshme. Edhe gatimi në spitale, konvikte, azile pleqsh, qendra jetimësh etj, shpallet si tender nga kjo ministri! Pak ditë më parë, ju kemi njohur me skandalin që Ministria e Brendshme, kryen edhe rolin e “kuzhinieres, kamarieres e pjatalarëses” së spitaleve shtetërore në QSUT e qarqe. Sot, po ju njohim me një fakt tjetër, akoma më të turpshëm e më skandaloz për një ministri e polici shteti, që paguhet për të pastruar krimin dhe që ka pllakosur këtë vend dhe merret me larjen e çarçafëve, benevrekëve e këllëfëve të pacientëve të spitaleve! 

Fakti/ Ministria e Brendshme paguan 13 miliardë lekë për larjen e çarçafëve e këllëfëve të pacientëve të QSUT
Ky është që nuk kërkon koment, por duke qenë se përbën skandal e trup për një ministri me uniformë policie që vesh uniformë pastrueseje mjekësie, meriton të ndalemi me denoncim publik. Gazeta “Telegraf”, ka mundur të siguroj një dokument shpallje tenderi të bërë prej Ministrisë së Brendshme, për larjen e çarçafëve, benevrekëve e këllëfëve të pacientëve të QSUT. Nuk e dimë se përse kjo ministri që ka punonjës me kobure, pranga e shkopinj gome në brez, duhet të shërbej edhe si lavanderi e pajisjeve të pacientëve të spitaleve, por dimë faktin, që kjo ministri po e bënë punën e rroba-larëses së spitaleve prej 18 muajsh. Po e konkretizojmë. Në Buletinin e Prokurimit Publik Nr.20, datë 25 Maj 2015 është shpallur një tender absurd., që mbanë siglën “Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara”, me objekt tenderimi “Për shërbimin e lavanderisë dhe hotelerisë në pavionet e QSUT”. Vlera e këtij tenderi është 1.106.416.176,7050 (1 miliardë, 160 milionë e 460 mijë e 705 lekë të reja, pa llogaritur taksën 20% TVSH, bashkë me të cilën vlera e larjes së çarçafëve e këllëfëve të QSUT, shkon në 1.32 miliardë lekë të reja, që janë fonde nga buxheti i shtetit për shërbime në QSUT por që i menaxhon ministria që ka funksion ruajtjen e rendit! Ky fakt përbën rastin e vetëm edhe në vendet e BE, që ministria e cila duhet të luftoj krimin lan batanijet, këllëfët dhe çarçafët e të sëmurëve të spitaleve civile! Që një ministri me 11 mijë drejtorë, shefa, ekspertë, forca speciale, policë e gardistë të kryejnë rolin e punonjësve rrobalarëses së spitaleve, do të thotë se ka mbaruar punë me krimin. Në fakt, dje në mbrëmje kur dje, gjithë kapardisje, ministri Tahiri ligjëronte për “kontroll të plotë ndaj krimit, për goditje fatale ndaj tij, për qetësi e siguri të plotë” (vetëm për Vuçiç), në mes të Tiranës, në bulevardin kryesor të Tiranës, ndodhi përleshje bandash që rezultojnë se veprojnë pa asnjë frikë nga shteti dhe nga policia që trumbeton me bujë e albume fotografike me ngjyra, se ka fituar mbi… krimin! Në fakt jo. Krimi është prezent, aktiv e i fuqishëm me rezidencë në mes të Tiranës, madje pak metër larg rezidëncës së Ministrisë së Brendëshme e cila këto ditë do të nis të lyhet e vizatohet me bojra, që do të kushtojnë afro… 2 milionë euro, ndoshta prej “gëzimit të fitores ndaj krimit”!
Ministria “Tahiri”, kuzhiniere që rrotullon edhe “garuzhden e supës” në… maternitete!
Ministria e Brendshme, përveç larjes së çarçafëve e këllëfëve të pacientëve të QSUT, ka marrë të drejtën të ketë nën kontroll e administrim të plotë edhe kuzhinat e spitaleve civile në gjithë vendin. Ministria “Tahiri”, kontrollon e rrotullon edhe “garuzhden” e ushqimit në spitalet e Shqipërisë. Deri tani këtë shërbim e ka bërë Ministria e Shëndetësisë me koncesion privat. Tashmë po e bënë Ministria e Brendshme. Edhe pse drejtuesit e shëndetësisë në qarqe e rrethe janë “ïnstruktuar” ta mbajnë të fshehtë këtë ndryshim kompetence shërbimi ushqimi në sektorin e shëndetësisë civile, shërbimi katering (ushqimi) në spitale ka nisur të veproj nën administrimin e Ministrisë së Brendshme. Nuk e themi ne këtë fakt, por e publikon vetë Ministria e Brendshme në një njoftim prokurimi publik për shërbimin katering (ushqimi), ku mes njoftimeve për tender shërbimi në ushqimin e njësive policore, prej kësaj ministrie përfshihet edhe shërbimi i ushqimit në disa spitale civile, nën prokurimin prej kësaj ministrie. Këtë e fakton njoftimi zyrtar në “Buletinin e Prokurimeve Publike” Nr. 16, datë 27 prill 2015, faqe 14-15-16, ku njoftohet se zhvillohet “Procedura e prokurimit mbi kufirin e lartë monetar”, me objekt “shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi”, krahas njësive të shërbimeve policore edhe në “Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” dhe në… “Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Mos u çuditni, por Ministria e Brendshme, siç duket edhe në faksimilen e njoftimit të tenderit të publikuar prej saj, përveç ushqimit në spitale, ka marrë nën kontroll kuzhinat, gatimet dhe shpërndarjen e ushqimit edhe në… maternitete! Pyetja bëhet troç: Përse Ministria e Brendshme duhet të futet edhe në “kazanët e supës” të spitaleve civile?! Mjafton ky fakt, për të paramenduar pritur, që së shpejti kjo ministri të marrë edhe kontrollin mbi mensat e kopshteve e çerdheve të fëmijëve, spitaleve psikiatrike, konvikteve të shkollave dhe… azileve të pleqve!
———————————-
SHBA, 1 javë më parë: “Shqipëria pa siguri, vend i rrezikshëm për të huajt dhe vendasit”
Për shkak të operimit të bandave kriminale dhe pafuqisë së policisë për të luftuar krimin, 1 javë më parë, u publikua raporti i Byrosë së Sigurisë Diplomatike pranë DASH, i cili flet për sigurinë në Shqipëri, duke u bërë thirrje shtetasve amerikanë, që të bëjnë kujdes gjatë qëndrimit apo kalimeve tranzit në Shqipëri. Raporti është hartuar nga Byroja e Sigurisë Diplomatike (OSAC), organ pranë Departamentit Amerikan të Shtetit dhe sipas tij, problematika më e madhe në Shqipëri është krimi. Raporti thekson se shqetësim mbeten grabitjet dhe vjedhjet me thyerje. Sipas raportit, krimi në përgjithësi dhe situata e sigurisë vazhdon të mbetet një shqetësim. Krimi ka vazhduar të rritet gjatë pesë viteve të fundit, kryesisht për shkak të rritjes së madhe të grabitjeve dhe vjedhjeve me thyerje. Krimi i rrugës është mjaft i zakonshëm në zonat urbane, kryesisht gjatë natës. Rritja më e dukshme e krimeve kanë qenë vjedhjet me thyerje, grabitjet dhe kallëzimet për dhunë në familje. Krimet e dhunshme kanë parë një rënie të vazhdueshme që nga 2011. Statistikat e fundit e krimit tregojnë një rënie në krimet e dhunshme (vrasje, tentativa vrasje, grabitje me forcë, plaçkitje të armatosura). Policia shqiptare dhe forcat e sigurisë vazhdojnë të korrin sukses në luftën kundër armëve pa leje dhe pazareve të drogës, por krimi i organizuar ende vepron në Shqipëri. Trendi i mëparshëm në rritje i përdorimit të eksplozivëve, veçanërisht, eksploziv me telekomandë në automjete dhe në banesa private ka rënë 15 për qind, por janë ende alarmante shifrat e larta prej 72 shpërthimesh. Shumica e këtyre incidenteve kanë ndodhur në Fushë-Krujë, rreth 20 kilometra nga Tirana. Këto shpërthime kanë pasur si shënjestër individë të veçantë dhe që kanë qenë të lidhura me mosmarrëveshjet e brendshme mbi biznesin, krimet, ose në veprimtari politike dhe nuk kanë në shënjestër komunitetin ndërkombëtar. Situata e sigurisë është përmirësuar në Lazarat, megjithatë, Ambasada nuk lejon udhëtimin personal në zonë dhe vizitorët janë të dekurajuar fuqimisht të udhëtojnë në rajon.