Ministri Xhafaj ngre 12 grupe pune në drejtoritë e policisë, verifikim denoncimeve të “zhdukura”

728
Përparim HALILI
Rezulton se mbi 30% e informacioneve nuk janë përcjellë për ndjekje. Shkak familjariteti, korrupsioni dhe lidhjet me krimin
Bazë e këtij operacioni hetimor, do të jetë Udhëzimi Nr. 223, datë 11. 04. 2017, të lëshuar prej ministrit Fatmir Xhafaj gjatë kohës kur zëvendësoi ish-ministrin Tahiri dhe të lënë në harresë deri tani, që nga “tepsia e policisë” po dalin lloj-lloj abuzimesh të rënda, sidomos ato me fshehjen dhe zhdukjen e informacioneve për kultivimin dhe trafikimin e drogës
Reforma “Xhafaj” në polici, krahas ndryshimeve në strukturat drejtuese të policisë në qarqe, komisariatet e rretheve, në stacionet policore e deri “rifreskimi” i inspektorëve “të përjetshëm” të zonave skajore, po shoqërohet edhe me një ndërhyrje tjetër, që prej ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, thuhet se është vlerësuar si pikënisje eficente, për të zbuluar lidhjet e drejtuesve dhe punonjësve të policisë me krimin, si bashkëpunues, mbrojtës, favorizues dhe fshehës, të rasteve që janë objekt i goditjes ligjore! Sipas informacionit të ardhur në “Telegraf”, bëhet fjalë për denoncimet që janë depozituar nga qytetarët, bizneset dhe cilido subjekt apo grup komunitar e institucion publik apo punonjës shteti, që ka kërkuar ndërhyrjen dhe mbështetjen e e policisë për të jetuar e punuar i lirë! Sipas raportit 9 mujor të hartuar nga sektorët përkatës të uniformave “blu”, paraqitur ministrit Xhafaj si informacion, thuhet se në shkallë vendi, në “veshin dhe “postën” e shërbimit policor, janë depozituar 4.2 milionë informacione të çdo lloji, nga të cilët 1 milion e 123 mijë prej tyre, janë denoncime me objekt “vepra penale e administrative”, ndërsa pjesa tjetër janë ankesa dhe kërkesa, me objekt kërkim ndihme prej policisë. Fakti që mbi 30% e denoncimeve dhe informacioneve të depozituara në polici, janë përsëritur disa herë dhe pas emërimit të zotit Xhafaj në detyrën e ministrit, duke u adresuar edhe atij, ka nxitur ministrin të nisë me urgjencë, “operacionin” e verifikimit të plotë të të gjithë informacioneve dhe denoncimeve që janë dërguar në zyrat informative të komisariateve të policisë, apo që u janë bërë të ditura titullarëve, shefave të sektorëve e inspektorëve të zonave me mesazhe e letra postare! Kaq ka mjaftuar, që ministri Xhafaj të nisë veprimet për të ndaluar këtë praktikë të fshehjes së krimeve, nëpërmjet mos paraqitjes së informacionit në strukturat përkatëse të shërbimeve policore! Synimi i kësaj ndërhyrjeje verifikuese është gjurmimi, evidentimi dhe zbulimi i krimeve të ndodhura, për shkak të shpërfilljes së policisë ndaj denoncimeve, ankesave dhe kërkesave të bëra prej qytetarëve e subjekteve të ndryshme private apo shtetërore. Këto krime, janë paralajmëruar dhe mund të parandaloheshin ose të goditeshin që në nisje, të menduari e tentativë veprimi, por rruga e tyre nuk është bllokuar, për shkak se janë bllokuar denoncimet dhe informacionet e dërguara në polici. Nga hetimet, thuhet se mbi 30% e informacioneve nuk janë përcjellë për ndjekje jo për “gabime njerëzore apo mungesë infrastrukture e mungesë gatishmërie të zyrave të informacionit”, por për shkak se brenda denoncimeve ka pasur interesa familjariteti, korrupsioni dhe lidhje me krimin të zyrtareve të policisë. Është një histori e vjetër kjo gjë në polici, kur shërbimet policore bllokojnë informacionet dhe zhdukin denoncimet e, madje edhe denoncimet e informacionet shkresore që u dorëzohen inspektorëve të zonave, të cilët nuk i depozitojnë ato në stacionet policore, mbasi marrin në mbrojtje personazhet e krimit, kanë njohje personale, lidhje familjare, kanë interesa e korruptohen prej tyre! Ky qëndrim, i cili ka fshehur dhe mbrojtur krimet, ka nisur të zhduket nëpërmjet urdhrit të ministrit Xhafaj, për të ngritur 12 grupe pune hetimi në të 12 drejtoritë rajonale të policie në qarqet e vendit, të cilët do të hetojnë çdo rast denoncimi e informacioni të zhdukur. Njëherazi, ministri Xhafaj u ka bërë thirrje qytetarëve, të rifreskojnë denoncimet bëra prej tyre, për të cilat nuk kanë marrë përgjigje dhe nuk kanë parë reagime nga policia! Këto grupe pune, do të veprojnë, mbështetur në Udhëzimin Nr. 223, datë 11. 04. 2017, të lëshuar prej ministrit Fatmir Xhafaj gjatë kohës kur zëvendësoi ish-ministrin Tahiri, por të lënë në harresë deri sot, kur nga “tepsia e policisë” po dalin lloj-lloj abuzimesh të rënda, sidomos ato me fshehjen dhe zhdukjen e informacioneve për kultivimin dhe trafikimin e drogës. 
Sigal