Ministri Tavo, vë dorë në Spitalin Psikiatrik të Vlorës

635
Sigal

Flet drejtoresha Zamira Sinaj: Ndërhyrja duhej, Psikiatriku nuk është azil, por institucion shëndetësor. Ja situata e kempit

Pas ndëshkimeve që ju bënë drejtuesve të Spitalit Psikiatrik në Vlorë, pas situatës së rëndë që ka konstatuar kontrolli i Ministrisë së Shëndetësisë, ministri Tavo, ka ndërmarrë hapat e parë, për të vënë dorë në këtë institucion shëndetësor problematik. Drejtore e këtij institucioni znj. Zamira Sinaj, ka thënë për gazetën “Telegraf”, paraditen e të enjtes se po ndjehet përkujdesja e Ministrit, për të ndryshuar situatën. Një urdhëresë e firmosur prej ministrit Tavo do të disiplinojë punën në institucion për një problem thelbësor sikurse është marrja e kempit nga të sëmurët. Pas mbërritjes së këtij udhëzimi do të procedohet që në këtë institucion do të përfitojnë kemp vetëm të sëmurët që janë nga qyteti i Vlorës, ndërsa të qyteteve të tjerë, do t’i përfitojnë ato në qendrat komunitare, apo në Drejtoritë e Shëndetit Publik të zonave, ku kanë vendbanimin, përkatësisht në rrethet Berat, Skrapar, Lushnjë, Fier e Mallakastër. Komisionet do të ngrihen dhe funksionojnë në drejtoritë rajonale të shëndetit, që kanë të gjitha qytetet. Ky është një ndryshim i rëndësishëm, jo vetëm pse lehtësohet puna në këtë institucion, por bëhet edhe më e kontrolluar dhënia e kempeve, për të cilat ka pasur probleme.

Znj.Sinaj, a janë kompetente komisionet e ngritura në to për të pajisur me raporte këtë kategori të sëmurësh?

E përcakton qartë udhëzimi i Ministrit Tavo. Në këto komisione do të jetë mjeku psikiatër dhe dy anëtarët, janë psikologë apo punonjës socialë, që janë kompetentë në përcaktimin e diagnozës dhe marrjes së kempit. Nga ana e institucionit tonë do të dërgohet një formular që udhëzon, por që nuk ndryshon aspak procedurat e marrjes së kempit dhe kriteret që duhen plotësuar. Ajo që përfitojnë të gjithë, si stafi shëndetësor në spital, ashtu edhe vetë pacientët është se me këtë urdhëresë, minimizohen problematikat që janë shfaqur më parë me të sëmurët e rretheve të tjera, deri edhe tek përballja me familjarët e të sëmurëve. Kjo urdhëresë, që për bluzat e bardha dhe personeli që shërben këtu, vlerësohet si një hap i rëndësishëm për institucionalizilin e spitalit, ndërsa priten hapa të tjerë, sikurse janë investimet, plotësimi i të gjitha kërkesave me medikamente dhe të tjera nevoja që janë mbartur prej vitesh.

Por sa kohë kërkohet për të stabilizuar situatën e kemp-eve pas kësaj urdhërese?

Sigurisht, kërkohet një kohë, minimalisht dy javë deri në miratimin e komisioneve nëpër qytete për të sëmurët që janë shtruar në spitalin e Vlorës. Sigurisht, ka të bëjë edhe numri i të sëmurëve që ka çdo qytet e rreth. Rëndësi ka që merr rrugë një nga problemet, që përbënte probleme në mbarëvajtjen e institucionit, por që ka pjellë edhe korrupsion në raste të veçanta. Tani të sëmurët kalojnë në filtër dhe komisionet që do të ngrihen në qytete, kanë përgjegjësi për çdo raport që firmosin për të sëmurët që e meritojnë. E theksojmë këtë, pasi duhet të pranojmë një fakt, se nga anomalitë dhe mungesa e përgjegjësisë për të lëshuar këto raporte, spitali psikiatrik po merrte pamjen e një azili. Ai është institucion shëndetësor për një kategori të sëmurësh, që në radhë të parë marrin mjekimin, për të bërë të pamundurën për të përmirësuar shëndetin e tyre. Kjo është detyra parësore e stafit të Spitalit Psikiatrik në Vlorë.