Ministri Tahiri mbledh armë të kalbura për show, lejon gomonet me 5 milionë euro drogë

562
Vjollca VAJKANI
Sipas burimeve të policisë italiane, thuhet se gomonia me 506 kilogramë droge me vlerë 5 milionë euro është nisur nga grykëderdhja e Semanit, duke “mos u zbuluar dot” nga policia, paçka se në këtë “mol gomonesh” droge, ka pikë e patrullë kontrolli “non stop”! 
Janë kthyer në humor me barcaleta e montazhe rrjetesh sociale, deklarimet e bëra prej kryeministrit Rama dhe Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, se gjoja në Shqipëri “nuk ka asnjë gjethe hashash mbasi është asgjësuar prej policisë” apo se gjoja “nuk ka asnjë “vrimë” detare, tokësore e ajrore për të kaluar droga të tjera me trafiqe transit|. Por fakti është ky: Përditë, në kufirin me Maqedoninë, Malin e Zi, Kosovën, Greqinë e me Italinë kapen sasi të mëdha hashashi prodhim shqiptar i paketuar, që nisen me gomone e automjete nga deti dhe toka, për të kaluar në vendet fqinje! Dhe “çudia” qëndron në skandalin, se këto sasi droge që nisen nga bregdeti shqiptar, nuk i zbulon dhe nuk i kap policia shqiptare, por policia italiane, e cila prej 3 vitesh po përballet me trafikantët e drogës shqiptare, që u lejua të mbillej e menaxhuar nga policia shqiptare dhe po lejohet e po menaxhohet po nga kupola e policisë shqiptare në qendër në qarqe, deri në nisjen e tyre me gomone, tragete e makina! Për të maskuar fluksin e këtij tregu droge që lejohet prej agallarëve të policisë në qarqe e që është biznes i kupolës së “Rilindjes”, policia kap hashash e drogë pluhur sa një qese sheqeri kafeje dhe lejon tonelatat të kalojnë! Këtë realitet e provojnë faktet. Dy ditë më parë, policia italiane kapi një gomone të mbushur me 506 kilogramë drogë shqiptare, të nisur nga bregdeti shqiptar, që transportohej nga dy shtetasit shqiptarë B. H. dhe E. N. dhe sipas informacionit të “Guardia di Finanza”, ata përdornin një gomone 7 metra të gjatë për të kryer transportin e drogës, e cila kishte vlerë financiare 5 milionë euro. Sipas burimeve, thuhet se gomonia me 506 kilogramë droge me vlerë 5 milionë euro është nisur nga grykëderdhja në det e Semanit, duke mos u zbuluar nga policia, paçka se në këtë “mol gomonesh” droge, ka shërbim policor “non stop”! Po dje është arrestuar në Kapshticë, një 29-vjeçar nga Tirana, i cili është arrestuar sapo ka dalë nga territori kufitar shqiptar, me 31 pako drogë, me peshë 30 kg. Sasia e lëndës narkotike, u gjet gjatë kontrollit të detajuar të ushtruar në dalje të territorit të Shqipërisë, në automjetin tip “Audi A6” me targa AA 960 PN. Droga kishte për destinacion qytetin e Selanikut në Greqi. Ndërsa nga kufiri shqiptar dalin përditë sasi të mëdha droge prodhim shqiptar, kryeministri Rama deklaron se nuk ka drogë, policia shqiptare nga qendra në zona bën sikur nuk shikon dhe zbaton urdhrat e shefave të “Rilindjes” që “vjelin” të ardhurat e këtij trafiku, ndërsa ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka dalë nëpër rrethe duke mbledhur nga 2-3 belçikë e kobure të kalbur sa për “show”, ndërkohë që lejon gomonet me nga 5 milionë euro drogë të nisen të qeta nga bregdeti drejt Italisë.
Sigal