Ministri që grabiti 10 milionë euro

547
Në Elbasan janë duke parë dritën e hetimit fakte skandaloze, që lidhen me veprimtarinë e dy noterëve, që kanë vite që ushtrojnë jo profesionin e tyre, por “zanatin e fallcifikatorit”. Është fjala për afro 1750 raste, të cilat janë shënuar qysh nga viti 2009 deri sot, dhe kanë tjetërsuar pronat e qindra ish-pronarëve elbasanas, duke bërë pronarë të paligjshëm ish-deputetë, ish-kryetarë partie, ish-drejtues të lartë dhe ligjvënës aktualë, të implikuar keqas në këtë veprimtari të rëndë kriminale. Burime të sigurta nga policia, Krimi Ekonomik, ZRPP, dhe Prokuroria i thanë gazetës “Telegraf” se “prej disa muajsh dy noterët (një burrë dhe një grua) ishin objekt i denoncimeve dhe akuzave nga qytetarët, dhe kryesisht ish-pronarët e Elbasanit, ishin edhe nën përgjim telefonik, ku edhe janë dokumentuar fakte kokëforta të lidhjeve të tyre me politikanë, ministra dhe ish-ministra, ish-drejtues dhe drejtues të lartë institucionesh, por dhe grupe kriminale, me të cilët kryenin grabitjen e pronave, fallcifikimin e dosjeve e dokumentacioneve zyrtare, duke shkelur në afro 1750 raste ligjet e shtetit”. 

Rasti mbetet skandaloz, aq sa Krimi Ekonomik deklaron se “mund të merren nën përgjegjësi penale edhe ish-drejtues të Policisë Elbasanit, Prokurorisë, ZRPP, dhe institucioneve të tjera të shtetit, të cilët kanë grabitur me anë të fallcifikimeve dhe bashkëpunimit me dy noterët, pronat, trojet dhe tokat e ish-pronarëve”. Mësohet gjithashtu se, “në tavë” janë edhe disa eksponentë të religjioneve fetare që kanë vite që “ngjyejnë gishtin” në korrupsionin e pronave, duke pretenduar troje dhe toka edhe aty ku ata, nuk kanë patur fare lidhje me besimin e tyre fetar”. Skandali pritet të njollosë edhe emra të njohur nga piramida e shtetit, që kanë rezultuar se janë implikuar prej vitesh me aktivitetin kriminal të dy noterëve, të cilët rezultojnë sot ndër të pasurit e Elbasanit dhe jo vetëm. Mbi 3 mijë denoncime dhe akuza ndaj grabitjes së pronave kanë vajtur nga Elbasani drejt KLD dhe Presidencës vetëm në harkun kohor janar 2010-janar 2014, dhe deri sot asnjë përgjigje konkrete, asnjë përgjigje zyrtare dhe faktike nuk u ka ardhur qindra ish-pronarëve që kanë denoncuar prej vitesh rrjetin kriminal të vjedhjes dhe grabitjes së pronave, por gjithmonë ata janë tallur, injoruar, dhe përbuzur, duke ju kthyer përgjigje se “jemi në proces verifikimi, do të merren masa nga institucioni ynë”. 

Rrjeti kriminal që e ka nisur aktivitetin e tij qysh nga vitit 2009, duket se ka futur në “thes” dhjetëra emra të njohur të politikës, pushtetit dhe rrjeteve të trafikut dhe krimit, derisa ka ardhur momenti që u zbulua një dokument i falsifikuar (i denoncuar nga një ish-pronar) që mbante datën 02.05.2010, me firmë dhe vulë fallco, dhe i noterizuar nga njëri prej dy noterët e akuzuar, por që kishte bërë pronar një ish-ministër. Aktualisht “prona” e këtij ish-ministri që sot militon dukshëm në një parti politike, është mbushur me objekte shumëkatëshe, dhe që nga shitja e tyre ai ka fituar e pakta 10 milion euro. Maskarada me pronat mbetet mallkimi shqiptarëve në këto 25 vite tranzicion, që krahas vuajtjeve dhe poshtërimit të pronarëve legjitimë, ka sjellë edhe pasurimin e kastës së pushtetarëve, që pavarësisht këtij fakti rrëqethës, ata pa pikën e turpit, çdo 4 vjet turren dhe u kërkojnë votën viktimave të tyre. Mjafton ti verifikosh pronat e deklaruara dhe të padeklaruara dy noterëve, për tu bindur se mafia e pronave dhe veprimtaria e tyre kriminale duhej të ishte ndalur nga institucionet përgjegjëse vite më parë. Zëra të tjerë thonë se “dy noterët kanë arritur të blejnë miq të sferës së lartë në Tiranë, dhe deri tani i kanë patur shpatullat e ngrohta”. Në rast se organet e hetimit do të kenë kurajon ta zbulojnë dhe denoncojnë këtë fakt atëherë, kjo do ti vinte vulën e zezë krejt piramidës së shtetit, pasi pas Elbasanit, radha natyrisht do ti vinte Durrësit, Vlorës, Korçës, Shkodrës, Sarandës, ku skandalet me pronat janë edhe më evidente.
Sigal