Ministri Panariti takim me fermerët në Lushnje

505
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka qenë i pranishëm në zonën e Këmishtajt në rrethin e Lushnjes, për të bashkëbiseduar me fermerët dhe grumbulluesit e prodhimeve bujqësore, për formalizimin e bujqësisë. Në këtë takim, kanë qenë të pranishëm edhe deputeti i qarkut Fier Robert Bitri, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Fier, Albert Malaj, kryetari i Bashkisë Lushnje Fatos Tushe, kryetari i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi, drejtori i Bujqësisë Lushnje Agim Rrasa, si dhe pronarë të pikave të grumbullimit dhe fermerë të shumtë. Sipas ministrit Panariti, bujqësia shqiptare ndodhet në një moment kyç, atë të formalizimit të saj. Në këtë pikë, hallka më e rëndësishme është marrja e kartës nga fermerët dhe regjistrimi i tyre me numër nipti. 
Panariti, sqaroi fermerët se marrja e niptit nuk i ngarkon ata me detyrim tatimor, por i identifikon si prodhues dhe i bën përfitues të skemave subvencionale.
Fermerët në këtë takim me ministrin kërkuan tregje për shitjen e prodhimeve të tyre, si dhe garanci për blerjen e farërave cilësore. Në këtë drejtim, ministri Panariti theksoi se në pikat e grumbullimit do të bëhet shitja e kontrolluar e farërave bujqësore dhe të certifikuara. Nga ana e tij, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Fier Albert Malaj, sqaroi se ligji i detyron fermerët të regjistrohen pranë QKR-së për marrjen e niptit, por një xhiro vjetore e tyre nën 5 milion lekë të reja nuk i detyron ata të paguajnë tatime, mbi këtë xhiro ata tatohen. Ndërsa, deputeti i qarkut Fier robert Bitri, theksoi se bashkëpunimi ndërmjet fermerëve dhe specialisteve të bujqësisë, për kohen kur ata duhet të mbjellin, është në favor të fitimeve të prodhuesve. Deri tani në Drejtorinë Rajonale të Tatim Taksave në Fier, janë regjistruar mbi 1500 fermerë prodhues, të cilët kanë marrë numër nipti, si dhe kanë kryer formalizimin e ekonomisë bujqësore. Ky formalizim, do t’u hapë rrugën edhe për eksportet bujqësore në tregjet evropiane.
Sigal