Ministri Olldashi, nënshkruan kontratën për ndërtimin e By-Pass-it të Fierit

518
Sigal

Dje, në MPPT, u nënshkrua kontrata për ndërtimin e By-Pass-it të Fierit, një projekt autostradal jashtëzakonisht i rëndësishëm që do të lidhë segmentet Lushnjë-Fier dhe Levan-Vlorë. Nga ana e MPPT-së, kontrata u nënshkrua nga ministri Sokol Olldashi. By-Pass-i i Fierit është një autostradë 22 km e gjatë dhe 22 metra e gjerë, me katër korsi, që kalon në Mbrostar, në ultësirën mes Fierit dhe bregdetit, pranë Apolonisë dhe lidhet në nyjën e Levanit me segmentin Levan – Vlorë. By-Pass-i ka tre ura nga 80 metra gjatësi secila, Ura e Semanit, e Kanalit të Hoxharës dhe e Pojanit, si dhe katër kryqëzime në disnivel. Ka 21 nënkalime mjetesh, dy zona shërbimi dhe një zyrë informacioni turistik, duke qenë se kjo autostradë kalon nëpër një zonë me potencial të jashtëzakonshëm turistik, qoftë për shkak të qytetit antik të Apolonisë, qoftë për shkak të vijës së virgjër bregdetare. Punimet për këtë autostradë do të kryhen nga kompania italiane “Serenissima”, një kompani me eksperiencë të gjatë në ndërtimin dhe administrimin e autostradave. “Serenissima” fitoi garën e zhvilluar për këtë autostradë, me një vlerë prej 39.87 milionë Euro, nga 60 milionë që ishte fondi limit, duke kursyer në këtë mënyrë rreth 20 milionë euro, ose më shumë se 33 për qind të fondit.