Ministri Olldashi: Durrësi do të ketë 24 orë ujë të pijshëm

538
Sigal

Në mjediset e Këshillit të Qarkut të Durrësit është bërë prezantimi i projektit të ujësjellësit të ri të Durrësit. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, i cili tha se: “Ujësjellësi i ri do të jetë i një rëndësie të madhe për Durrësin dhe zonat përreth”. “Deri tani, në Durrës furnizohen pa ndërprerë me ujë të pijshëm afro 8 000 familje, ndërkohë që, qëllimi është që të furnizohet e gjithë popullata”, tha ministri Olldashi. “Brenda pak muajsh do të nisin procedurat e tenderimit për të filluar zbatimin e këtij projekti”. Sipas Olldashit, i gjithë investimi do të jetë një investim kompleks në ujësjellës dhe kanalizime të tjera për pastrimin e ujërave të zonës turistike dhe sasia e akorduar nga Banka Botërore është rreth 86 milionë USD. Zbatimi i projektit do të ketë si afat vitin 2013 – 2017, dhe në përfundim të punimeve qyteti i Durrësit do të ketë furnizim pa ndërprerje me ujë të pijshëm. Sipas Olldashit vlera e Ujësjellësit të ri do të jetë rreth 71,5 milionë USD, ndërsa për përmirësimin e kanalizimeve të ujërave të zeza është akorduar fondi prej 5,2 milionë USD dhe për mbështetje për Ujësjellës Kanalizime 6,3 milionë USD, ndërsa mbështetja për zbatimin e projektit do të ketë verën e 2,8 milionë USD. Ujësjellësi i ri parashikon hapjen e gjashtë puseve të reja në zonën ujëmbajtëse të Fushë-Kuqes, ndërtimin stacionit të ri të pompimit, ndërtimin e linjës së re ϕ 700mm me gjatësi 50 kilometra, ndërtimi dhe rehabilitimi i depove shpërndarëse, etj.. Ai do të ketë kapacitet sjellës në Durrës, afro 500 litra/sekondë ujë të pijshëm. Kjo sasi, duke iu shtuar sasisë që mbërrin me anë të linjës së vjetër të transmetimit, garanton furnizim me ujë të pijshëm 24 orë në ditë për qytetin e Durrësit. Armand Teliti, Kryetari i Këshillit të Qarkut të Durrësit, tha se  “Furnizimi me ujë të pijshëm i Durrësit është një nga problemet kryesore të rajonit tonë, problem i cili ka ardhur duke u adresuar në mënyrë të vazhdueshme si nga qeveria, ashtu edhe nga ndërmarrja Durrës Ujësjellës-Kanalizime, – tha Teliti. Ujësjellësi ri do të jetë zgjidhja e plotë e këtij problemi.