Ministri Kosova: QSUT, 2.4 miliardë lekë abuzime me ilaçet

511
Sigal

Investigimi i “Telegraf”, për tenderat e ilaçeve në QSUT, komfirmohet edhe nga drejtuesit politikë të Ministrisë së Drejtësisë

Gazeta “Telegraf”, ditën e shtunë, më 4 maj, botoi shkrimin “Spitali nuk ka asnjë ilaç, ndërsa drejtori i QSUT-së emërohet me kriterin e …krahinizimit”. “Telegraf” duke investiguar, problematikën e zhvillimit të tenderave të ilaçeve, të kryera në QSUT, zbulon se miliarda lekë kanë mbushur xhepat e atyre që dhanë tenderat, duke abuzuar me çmimet e ilaçeve, të cilat, nëpërmjet këtyre tenderave, janë pranuar të blihen me 4-5- fishin më shtrenjtë se çmimi real, ndërsa drejtuesit politikë të Ministrisë së Shëndetësisë, në vend që të shqetësohen, të kontrollojnë për abuzimet e ilaçeve në spitale, përkundrazi, interesohen sesi të largojnë drejtuesit e padëshiruar dhe të emërojnë në postet drejtuese miqtë, të afërmit, familjarët, krahinorët e tyre, thua se, administrata shtetërore është kthyer në një shoqëri private klienteliste. Edhe emërimi më i fundit i drejtorit të QSUT-së, Helidon Bushati, është bërë pikërisht mbi kriteret e krahinizmit, sepse drejtori i emëruar i QSUT-së, nuk ka bërë asgjë tjetër për të përmirësuar shërbimin shëndetësor ndaj të sëmurëve në spitale, nuk ka bërë asgjë për mungesën e ilaçeve dhe të materialeve të tjera në spital.

Duke u nisur nga shkrimi investigues i “Telegraf”, ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova, ka kryer edhe ai investigimin e tij dhe ka reaguar publikisht, duke konfirmuar shkrimin e “Telegraf”, botuar më 4 maj 2013, për miliardat e lekëve, që kanë mbushur xhepat e disave nga tenderat e ilaçeve në QSUT. Kështu, Ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova,  i  ftuar në Konferencën ndërkombëtare të Shëndetit Publik në Tiranë,  deklaroi  se nga kontrollet e fundit, që janë kryer në institucionet shëndetësore, veçanërisht në QSUT, është konstatuar një abuzim prej 2.4 miliard lekësh, tendera të kryera në masë më të madhe për blerje medikamentesh. “ Nga të dhënat e para ka abuzime. Jemi të vendosur t’i shkojmë kësaj çështje deri në fund. Çdo abuzues do të përgjigjet në organet përkatëse, konform ligjit”,  ka theksuar ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova. Ndërkohë, që ka premtuar ndryshim të situatës brenda kësaj jave. Pacientët nuk mund dhe nuk duhet të vuajnë pasojat e tenderave, për të pasur ilaçe. “Qysh nesër do të fillojnë prokurimet, por natyrisht nuk do të përdoren më ato çmime barnash, që ishin përcaktuar më parë, të cilat devijonin deri në 5- fish nga lista bazë e medikamenteve. Ka pasur devijime në fondet publike të dhëna për shëndetësinë dhe keqmenaxhim të institucioneve, veçanërisht QSUT”, u shpreh ministri Kosova. Ministri Kosova tha se, për shkak të keqmenaxhimit të kësaj natyre, QSUT-ja është në këtë gjendje, ku ka mungesa të theksuar të ilaçeve dhe për shkak të çmimeve të barnave në disa raste 5 herë më të larta se lista bazë e medikamenteve, pacientët kanë pasur 5 herë më pak barna nga ajo që duhet të kishin. Jo më pak kritikë z. Kosova u tregua dhe me disa të meta të tjera në fushën e shëndetit publik. “ Zbatimin e ligjit antiduhan dhe alkool mund ta quajmë, një ligj që nuk ka mirëfunksionuar asnjëherë, megjithëse jam në dijeni se janë deri diku rreth 100 inspektorë në terren, që paguhen nga lekët e taksapaguesve për zbatimin e këtij ligji”, u shpreh z. Kosova. Rreth 64 për qind e vdekjeve në vendin tonë raportohen nga sëmundjet kronike, por ne ende nuk kemi një regjistër kombëtar të tyre. Sipas të dhënave, 95% e parave të ish për listën e rimbursueshme shpenzohen për sëmundjet konike dhe 77% e barrës së shpenzimeve individuale shkojnë për kurimin e këtyre sëmundjeve. Ndaj në këtë moment del e nevojshme dhe një riformatim mbi rolin e Institutit të Shëndetit Publik. Ndërsa sa i takon debatit të fundit mbi shefat e klinikave në QSUT, ministri Kosova tha se do të respektojë vendimet e qeverisë për këtë proces, duke pasur në themel të të gjithë procesit transparencën.