Ministri i ushtrisë greke bën si “i fortë”, dërgon mesazhe presioni ndaj Ramës dhe Erdoganit

50

Ministri grek i Mbrojtjes, Panos
Kamenos, i ka dërguar një mesazh Kryeministrit Shqiptar Edi Rama dhe
Presidentit Turk Rexhep Taip Erdogan. Duke folur nga garnizoni ushtarak kufitar
në Molivdoskepasti, në kufi me Shqipërinë, Panos Kamenos tha, se shteti grek
nuk mund të pranojë sfida dhe referenca që ndikojnë në historinë dhe të drejtën
ndërkombëtare. Për deklaratat e presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili
ka kërkuar shfuqizimin e traktatit të Lozanës, ministri grek tha se deklarata
të tilla janë të papranueshme dhe se ato bëhen për konsum të brendshëm në
Turqi. “Nga këtu, dua të dërgoj një mesazh për të gjithë ata që guxojnë të
sfidojnë traktatet ndërkombëtare me deklarata provokuese. Nga njëra anë kemi
Turqinë, e cila me deklaratat e saj të përsëritura po përpiqet të minojnë
klimën politike. Përgjigja jonë është sipas të drejtës ndërkombëtare, duke
mbrojtur sovranitetin kombëtar të vendit”,
 citon gazeta greke “Kathimerini”. Duke u ndalur tek Shqipëria, ai tha se “deklaratat e kryeministrit Rama janë sajesa antihistorike dhe
sjellin përsëri në kujtesën tonë bashkëpunëtorët e nazistëve”, tha
 Kamenos
duke nënkuptuar deklaratat e Ramës për çamët. “Ata ishin në anën e mundur në luftë. Ne nuk do të pranojmë sfida
të tilla dhe nuk do të pranojnë raporte të tilla, të cilat dëmtojnë historinë
dhe të drejtën ndërkombëtare”,
përfundoi ministri grek i Mbrojtjes.