Ministri i Parë i Luftës, Mehmet Pashë Derralla

1198
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Kush ishte Mehmet Hasan Derralla
Ka lindur në vitin 1843 dhe mbylli sytë në vitin 1918, po në Tetovë. Bëri 40 vjet (1878-1918) luftë çlirimtare ndaj gjithfarë pushtuesish të Atdheut. U arsimua në tri shkolla ushtarake (gjimnaz, shkollë e lartë, akademi). Ushtarak, oficer dhe në moshën 35 vjeç u bë gjeneral, i përkushtuar dhe specialist në përmasa të një strategu. Ai shërbeu në disa funksione të larta shtetërore e ushtarake, jashtë dhe brenda Shqipërisë. Kudo ishte model i përsosmërisë ushtarake, profesionale dhe teorike. Mehmet Derralla ka qenë ideator, organizator, udhëheqës dhe frymëzues i mjaft kuvendeve mbarëkombëtare si në Prizren, një ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të viteve 1878-1881, në Pejë, në Vlorë dhe ishte një nga 40 burrat e shtetit të ri shqiptar që nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, etj. Ai ka qenë mendimtar, komandant në beteja, drejtues me përmasa strategjike në trevat e Kosovës, por shquhet në kryengritjet e mëdha të viteve 1910, 1911, 1912, 1913. Ishte anëtar i Qeverisë së Përkohshme në Shtetin e parë Shqiptar. Mbajti detyrën e Ministrit të Parë të Luftës në historinë ushtarake kombëtare. Ishte në plotë kuptimin e fjalës themelues i Ushtrisë së parë Kombëtare, në vitet 1912-1914. Ai ishte personalitet që përfaqëson virtytet më të çmuara të një kombi. Ishte i internuar politik nga Stambolli 9 vjet në Bagdad dhe nga Beogradi një vit e gjysmë në burgjet mesjetare të kohës. Ideali i Tij më supreme ishte Atdheu-Kombi, një hapësirë etnike.

Profesioni ushtarak i karrierës pëlqehej nga familjet e mëdha
Lindja, shkollimi dhe edukimin u bë në një familje të pasur ekonomikisht e të pastër në sjellje, tradita atdhetare, kulturë fisnore, ku u konturua fizionomia e ardhshme të personalitetit të tij. Në këtë periudhë kjo trevë sikurse gjithë hapësira shqiptare ishte nën Perandorinë Osmane. Mësimet e para i mori në shkollën e Tetovës e më pas arsimin e mesëm e kreu në Shkup. Tek ai u ngulitën idetë patriotike, vlerat progresive, mospajtimi me robërinë osmane etj. Gradualisht u formuan vlerat e një atdhetari me dinjitet, luftëtar aktiv dhe i devotshëm për liri e Atdhe. Profesioni ushtarak i karrierës pëlqehej, ai konsiderohej privilegj për familjet e madha dhe të pasura ekonomikisht. Duke dëgjuar këshillën e mirë të babait të tij, Hasan pashë Derralla, akademik dhe ushtarak i kohës, me dëshirë ndoqi studimet ushtarake. Duke shfaqur intelekt, vullnet, korrektësi e pasion, diplomohet në Akademinë e parë Ushtarake për oficerë në Stamboll. Mbarimi me rezultate të shkëlqyera të studimeve ushtarake, emërohet në një regjiment këmbësorie në Anadoll. Këtu shërbeu me përpikmëri të lartë dhe bie në sy për mirë dhe nga të dhënat e përkufizuara “i zellshëm, me perspektivë”, i jepet e drejta për studime në Shkollën e Lartë, Akademinë e Dytë të Shtatmadhorisë. Duke qenë në funksione të rëndësishme si shtatmadhori, demonstroi dije, aftësi profesionale, mbajti raporte të moralshme në detyrë e shoqëri si dhe prirje drejtuesi e organizatori ushtarak. Suksesi në karrierë falë aftësive dhe shkallës së lartë të përkushtimit në të gjitha detyrat e ngarkuara, do ta bënin Mehmetin që në moshën 35-vjeçare të përligjte kualitetet e titullit të “Pashait”, që nënkuptonte atë të gjeneralit. I graduar kështu me gradën më të lartë shërbeu fillimisht si komandues xhandarmërie në Bagdad të Irakut. Më pas në Halep të Sirisë dhe në Selanik, që përfaqësonte një nga portet më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane në Ballkan. Mehmet Pashë Derralla me tej emërohet në vilajetin e Kosovës për të shërbyer në kryeqendrën e tij në Shkup, në Manastir. Kreu funksionin e komandantit të qarkut të Prizrenit në të cilin bënte pjesë Tetova, Gjakova dhe Luma e Kukësit. Në këtë detyrë gjeneral Derralla, do t’i jepte fund karrierës si oficer i Ushtrisë Osmane.

Ju përkushtua çështjes kombëtare
Gjeneral Derralla në shenjë proteste hoqi spaletat dhe yjet e gjeneralit të Ushtrisë Osmane dhe iu përkushtua çështjes kombëtare. Ai u vu në dispozicion të Ushtrisë Vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pikë kthese në jetën e tij ishte Kuvendi i Prizrenit, i cili duke çmuar dhe vlerësuar cilësitë dhe vlerat moralo-atdhetare të tij, ju afrua vendi i këshilltarit në shtabin e Sulejman Vokshit, i cili bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Lidhjes. Dukuri ishte se në organizimin politik e ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, morën pjesë dhe dhanë ndihmesë dy figura të familjes Derralla: Hasan Derralla i ati, më politikan dhe Mehmet Derralla, i biri, si ushtarak. Betejat e ashpra për afro 3 vjet, e afirmuan Mehmet Dërrallën si prijës të luftës popullore. Gjenerali Derralla do të kontribuonte në Kuvendin e Pejës, 23-29 janar 1899, një organizatë politiko-ushtarake mbarëshqiptare. Ishin përpjekjet e personaliteteve shqiptarë të vitit 1899, të cilët nën drejtimin e patriotit të shquar Haxhi Zeka, ndërmorën këtë aksion politik dhe luftarak. Kuvendi i Pejës u shtyp pa i mbushur qëllimet dhe objektivat e saj. Mehmet Derralla ndërroi taktikë. Ai u vu në krye të aksioneve të veçuara e të grupeve të vogla vullnetare, duke iu kundërvënë që në embrion synimeve e veprimeve të monarkive ballkanike që kishin për hapësirën shqiptare. Mehmet Pashë Derralla u kap nga forcat osmane dhe u internua në shkretëtirat e Irakut prej nga u kthye aty nga viti 1908. 65 vjeçari tetovar u kthye nga Bagdadi në Selanik e në Shkup. Mehmet Pashë Dërrallës mori pjesë në organizimin dhe drejtimin e kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912.

Ministri i Parë i Luftës
Ismail Qemali gjatë udhëtimit për për në Vlorë më 1912, porositi që të njoftohej Mehmet Pashë Derralla i qarkut të Prizrenit që përmblidhte rrethinat e Tetovës, Prizrenit, Gjokovës dhe të Lumës së Kukësit. Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor 1912, Kuvendi i mbledhur në Vlorë e në të cilin merrnin pjesë të gjitha viset shqiptare, ministër i Mbrojtjes i qeverisë së kryesuar nga Ismail Qemal Vlora, u caktua Mehmet Pashë Derralla, i propozuar nga burri i shquar i Kosovës Isa Boletini. 4 dhjetor 1912 gjenerali 69-vjeçar, me përvojë mbi 40 vjet komandimi, zuri vendin parësor në Qeverinë e parë të shtetit shqiptar. Ai bëri betimin për Atdhe e Komb. Ishte betimi më suprem, pasi, siç e thekson historian i kombit Marin Barleti, dashuria për Atdhe është më e madhja nga të gjitha, ajo qëndron mbi çdo dashuri tjetër. Ndaj dhe ushtarakët e emigruan në vende të ndryshme dhe ushtarët e oficerët që ende ishin në shërbimin ushtarak të ushtrisë turke, e mirëpritën caktimin e Mehmetin në postin e ministrit të Luftës. Organizimi, sistemimi, furnizimi e drejtimi ku ndihej më e ngutshme, u vlerësua nga ministri Derralla, detyra më e parë shtetërore. Kështu ministri i parë i Luftës nisi detyrën e vështirë të cilën në emër të popullit Kuvendi i Vlorës ja ngarkoi këtij burri të shquar të Shqipërisë. Ministri Derralla u përqendrua në këto drejtime kryesorë në punën e ministrisë së Luftës: përpjekjet për sigurimin e mbrojtjen në planin e jashtëm si një parim bazë në politikën e diplomacinë e shtetit, administrate lokale në mënyrë të prerë dhe pa ushqyer asnjë iluzion të merrte në dorë situatën ushtarake e të rendit; autoritetet civilo-ushtarake turke të dorëzoheshin tek shteti shqiptar për të vepruar në bazë të rregullave si një shtet i pavarur; mbrojtja e Shqipërisë më tepër se ushtarake ishte diplomatike dhe përqendrimi i vëmendjes për të penguar përparimin dhe sprapsjen e trupave pushtuese në vijat e ndaluara etj. Ministri-gjeneral dispononte njohuri teorike dhe përvojë të gjatë organizative në nivel taktik dhe strategjik. Por bazë ai pati dhe traditën luftarake, mjeshtërinë e luftëtarëve dhe të kapedanëve popullorë, të cilat janë dhe baza në fillimin e historikut të ushtrisë së rregullt shqiptare e cila që nga 4 dhjetori 1912 ka përshkruar një rrugë sa origjinale aq dhe me vlera.
Sigal