Ministri i Kulturës dhe Drejtori i Trashëgimisë duhen të japin urgjentisht dorëheqjen

532
Sigal

Vidhen afresket e Kishës së Shën Premtes në Valesh të Elbasanit dhe Ministria e Kulturës heshti
Në pragviti të ri, vidhen afresket e Kishës së Shën Premtes në Valesh të Shpatit të Elbasanit dhe ministria e Kulturës, edhe pse u vu në dijeni, heshti dhe nuk mori asnjë masë për të hetuar dhe për të gjetur grabitësit. Të gjitha monumentet e Kulturës janë lënë në mëshirën e hajdutëve, pasi ministria e Kulturës ka hequr që nga 2007-ta kujdestarët e tyre. Deputeti i PS-së, Auron Tare, duke inspektuar së afërmi Kishën e Shën Premtes, nxjerr në dritë këtë vjedhje të afreskeve dhe, me një thirrje publike, kërkon dorëheqjen e ministrit të Kulturës Aldo Bumçi. Deputeti Tare, ndër të tjera, në thirrjen e tij për dorëheqjen e ministrit Bumçi, shkruan: “Grabitja e afreskeve të Kishës së Shën Premtes në Valesh të krahinës së Shpatit në Elbasan është atentati i radhës ndaj Trashëgimisë Kulturore Shqiptare. Por kjo grabitje merr një dimension tjetër kur mendon se, kryeveprat e Onufrit, piktorit më të madh që ka nxjerrë trualli i Arbërit tashmë nuk janë më. Grabitja e kryer në kapërcyell të vitit dihej mirë nga institucionet shtetërore të Trashëgimisë dhe qëllimisht ata heshtën për ta mbuluar këtë grabitje të rëndë. Ministria e Kulturës jo vetëm heshti, por nuk mori asnjë masë për të penguar vjedhjen e mëtejshme të kësaj kishe. Kështu që grabitësit të inkurajuar nga indiferenca zyrtare u rikthyen duke dëmtuar gati të gjithë afresket e Kishës. Afresket e Onufrit në dimensionin shqiptar janë të barasvlefshme me kryeveprat e Mikelanxhelos apo Da Vinçit në trashëgiminë italiane. Imagjinoni Italinë që të gdhihen një ditë dhe të mësojë se kryeveprat e këtyre artistëve të mëdhenj janë zhdukur njëherë e përgjithmonë. Kjo grabitje që është një ogur i zi për vitin që sapo ka filluar tregon më së miri demagogjinë e kësaj qeverie, e cila në vitin 2007 hoqi sistemin e kujdestarëve duke i lënë këto monumente kulture në mëshirë të fatit. Ministri i Kulturës dhe Drejtori i Trashëgimisë duhet të japin urgjentisht dorëheqjen pasi janë përgjegjësit kryesorë të kësaj ngjarje shumë të rëndë në dëm të Trashëgimisë Kulturore Shqiptare”.