Ministri i Drejtësisë Naço 5 rekomandime për Prokurorinë

557
Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, në emër të Qeverisë Shqiptare, i ka përcjellë sot Prokurorisë së Përgjithshme një sërë rekomandimesh që lidhen me respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, forcimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional si dhe luftën kundër korrupsionit.
Në fjalën e tij para kryeprokurorit z. Adriatik Llalla, dhe drejtuesve të prokurorisë në rrethe, Ministri Naço është shprehur se në vizionin e qeverisë shqiptare, qëndron i palëkundur vullneti, për të garantuar rritjen e efiçencës hetimore, si dhe për të realizuar progres në drejtim të luftës kundër kriminalitetit.
Z. Naço theksoi se lufta kundër korrupsionit, ndërkohë që ky fenomen është kthyer në sistem, kërkon vullnetin e trupës së prokurorëve nga njëra anë, por dhe një sistem solid dhe të qartë të mjeteve dhe rregullave në dispozicion. 
“Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj se maxhoranca aktuale realizoi ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale, lidhur me kompetencën për hetimin dhe gjykimin e veprimeve korruptive, të cilat erdhën si një domosdoshmëri, jo vetëm për frenimin e ritmeve të frikshme të korrupsionit, por edhe për ta dekurajuar atë. Në këtë kuptim këto ndryshime u konceptuan, si një paketë, ku u përfshinë së bashku me amendimet në ligjin antimafia. Kjo paketë ligjore e përmirësuar solli rezultate efektive në disa raste, duke sjell në vëmendje disa rezultate që kanë ardhur nga puna e Gjykatës së Krimeve të Rënda, ndërkohë që sot përballë jush, gjej rastin të inkurajoj Prokurorinë, të ndërmarrë sa më shumë hetimeve proaktive, mungesa e të cilave është vërejtuar vazhdimisht në monitorimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Shprehje konkrete e vendosmërisë për ta luftuar korrupsionin në çdo nivel, janë edhe rastet e dy gjyqtarëve, një prokurori dhe së fundmi e një të zgjedhuri vendor, hetuar dhe gjykuar nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda”, u shpreh z. Naço 
Duke iu referuar organit të prokurorisë dhe gjyqësorit, z. Naço vlerësoi me rëndësi faktin se në çdo hap të hedhur, është kërkuar shndërrimi i sistemit të drejtësisë me këta dy partner të fuqishëm, pa të cilët çdo iniciativë kundër korrupsionit, do të jetë e destinuar të dështojë, 
Ministri Naço theksoi se është një lajm mjaft pozitiv shtimi i numrit të prokurorëve në rang vendi, me 6 prokurorë, gjë e cila nuk ishte marrë parasysh që prej vitit 2002, me gjithë kërkesat e përsëritura të Prokurorisë së Përgjithshme. 
Gjithashtu Ministri Naço u shpreh se mbetet i vendosur që, të mbështesë me të gjitha mundësitë e shtetit shqiptar institucionin e Prokurorisë, për plotësimin e gjitha nevojave që ka ky institucion referuar këtu mjeteve, logjistikës, kapaciteteve teknike, futjes dhe implementimit të teknologjisë së re, të cilat jo vetëm ndihmojnë proçesin hetimor, por padyshim ndikojnë në rritjen e nivelit të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë tek çdo Prokuror dhe Oficer të Policisë Gjyqësore.
“Sikurse të gjithë ju e dini, Qeveria Shqiptare dhe Kuvendi i Shqipërisë, janë duke realizuar Reformën më të rëndësishme dhe më të gjerë në sistemin e Drejtësisë, ku padyshim pjesë e kësaj reforme do të jetë edhe institucioni i Prokurorisë apo i legjislacionit penal në tërësi. Jemi në një fazë të rëndësishme të diskutimit me gjithë aktorët e interesit dhe Prokuroria Shqiptare, si aktori kryesor në drejtësinë penale, siç edhe ka qenë, duhet të vazhdojë të jetë pjesë aktive, për të dhënë opinionet dhe sugjerimet e saj, mbi ndërhyrjet e mundshme dhe të nevojshme qoftë në Kodin Penal apo atë të Procedurës Penale, por duke dhënë mendimet e saj për gjithë sistemin e drejtësisë në tërësi. Qeveria ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë e hapur të dëgjojë dhe shqyrtojë me shumë seriozitet opinionet e Prokuroisë dhe për këtë mirëpresim çdo kontribut intelektual të vlefshëm, që vjen nga trupa e prokurorëve, për realizimin e kësaj reforme”, tha z. Naço
Z. Naço garantoi se mbështetja e qeverisë dhe e partnerëve ndërkombëtar për organin e prokurorisë është e plotë, ndërsa kërkoi angazhimim profesional të prokurorisë, për t’ju përgjigjur rekomandimeve të adresuara, në drejtim të luftës kundër kriminalitetit.
Sigal