Ministri i Drejtësisë Jashari për vizitë zyrtare në Republikën e Sllovenisë

511
Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari ka realizuar vizitë zyrtare në Republikën e Sllovenisë ku ka takuar homologun e tij Slloven Goran Klemençiç dhe Kryetarin e Gjykatës Supreme Branko Maslesha. Në Republikën e Sllovenisë, siç thuhet në kumtesë, homologu i tij Klemençiç ka pritur sot në një ambient miqësor ministrin e Drejtësisë të Republikës së Maqedonisë Adnan Jashari të cilit i ka dëshiruar mirëseardhje në shtetin e Sllovenisë duke shprehur kënaqësinë e tij për vizitën e Jashari në këtë institucion. “Është kënaqësi për mua si ministër që sot vizitoj institucionet e drejtësisë në Slloveni duke marrë parasysh se pikërisht vendi juaj është një shembull i mirë për tu ndjekur në drejtim të përmbushjes së detyrave konkrete në gjyqësor për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE. Dua të theksoj se dy vendet angazhohen për përforcimin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale në frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit të përhershëm”, theksoi Jashari
Gjatë takimit gjithashtu ministri Jashari e informoi në detale homologun e tij edhe për planin aksional për reformat në gjyqësor të cilat tashmë janë të prezentuara edhe para opinionit vendas dhe atij ndërkombëtarë. “Aktivitet që po zhvillon Ministria e Drejtësisë në Slloveni që kanë të bëjnë me luftën kundër kriminalitetit, korrupcionit dhe pavarësimin e gjyqësorit” theksoi ministri i Drejtësisë së Sllovenisë Goran Klemençiç. Në takim mes dy ministrave në retrospektivë është diskutuar edhe për historikun e bashkëpunimit mes dy shteteve. “Marrëveshjet bilaterale që Republika e Maqedonisë dhe Republika e Sllovenisë më 06.02.1996 në Shkup kanë nënshkruar të cilat kanë hyrë në fuqi më 05.09.1997 dhe nga kjo datë të njëjtat zbatohen” tha Jashari.
Në vizitën e tij zyrtare Jashari realizoi vizitë edhe në Gjykatën Supreme të Sllovenisë ku takoi kryetarin e kësaj gjykate Branko Maslesha. Jashari dhe Maslesha në këtë takim biseduan për bashkëpunimin gjyqësor në mes të dy shteteve dhe për konventat multilaterale që janë ratifikuar si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave në mes të dy vendeve. Dy bashkëbiseduesit janë dakorduar se respektimi i këtyre konventave dhe marrëveshjeve nga ana e dy shteteve mundëson përforcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në materien penale posaçërisht në sferën e ballafaqimit me kriminalitetin. Po ashtu nëpërmjet këtij implementimi do të mundësohet procedurë gjyqësore efikase dhe e shpejtë, si në materien penale ashtu edhe në atë civile. Në fund të takimeve ministri i Drejtësisë së Republikës së Maqedonisë Jashari duke i falemenderuar për mikëpritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim ka ftuar që të realizojnë vizitë zyrtare në Maqedoni edhe homologun e tij Goran Klemençiç dhe kryetarin e Gjykatës Supreme Branko Maslesha.
Sigal