Ministri Beqja merret në pyetje për monopolin e 9820 tenderëve dhe për VKM Nr. 85 të kontratave të ilaçeve

745
Këto tendera, ministri i ka kryer si “monopol”, duke ua hequr kompetencën ligjore drejtuesve rajonalë të shëndetësisë e të spitaleve, por edhe drejtuesve të institucioneve e qendrave shëndetësore deri në ambulancat e komunave, të cilat kanë të drejtën t’i planifikojnë, t’i shpallin e të finalizojnë këto tendera, mbështetur në nevojat faktike që kanë në territorin e tyre
Vetë ministri, ka caktuar veten si kryetar të Këshilli Administrativ të ISKSH, ndërkohë që është edhe planifikues, urdhërues dhe realizues i tenderëve të ilaçeve, por edhe i certifikimit të ilaçeve që futen nga importi, duke abuzuar në vlerën e çmimeve që duhen shitur në tregun shqiptar, në cilësinë e tyre, në sigurinë dhe jetëgjatësinë deri në përdorim tek pacienti
Burime nga “kupola” e shëndetësisë shqiptare, na bëjnë me dije se ministri Ilir Beqja është përballur ditën e martë me drejtësinë, konkretisht me grupin hetimor që ka nisur procedimin penal ndaj tij, me motivin: “Shpërdorim detyre, përdorej antiligjore kompetencash, favorizues i konkurrencës së paligjshme dhe mos veprim ndaj abuzimit me rimbursimet e ilaçeve”. U mendua sikur ministri i Shëndetësisë nuk do të shkonte asnjëherë përpara drejtësisë, por kjo po ndodh sot pas 2 vitesh nga nisja e denoncimeve të bëra në adresë të tij, prej subjekteve farmaceutike, prej mjekëve vartës të tij dhe prej pacientëve. Dosja për të cilën ka nisur të “zbërthehet” ministri Beqja është voluminoze dhe ka disa “referenca” abuzimesh me detyrën, me pasojë aferat korruptive, duke shpërdoruar e zhdukur fondet publike dhe duke krijuar falsitet në veprimet financiare me importet, me tregun e brendshëm, shpërndarjen dhe konsumin e ilaçeve nëpër qendrat shëndetësore publike. Sipas informacioneve që ka siguruar gazeta “Telegraf”, bëhet me dije se ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, po hetohet për disa vepra penale të kryera paralelisht e të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Mësohet, se fillimisht është marrë në pyetje për monopolin e 9820 tenderëve të bërë në 30 muaj të veprimtarisë së tij në krye të shëndetësisë shqiptare, me objekt blerjen e medikamenteve e pajisjeve mjekësore. Por është thirrur e është pyetur edhe për VKM Nr. 85 që bënë fjalë për kontratat e ilaçeve që lidhen mes ministrisë, ISKSH dhe depove farmaceutike që sipas ligjit, licencohen e kontrollohen nga këto institucione! 
Në 30 muaj, ministri Beqja ka kryer 9820 tendera “monopol”, të kontrolluar prej tij
Pikërisht për këtë akuzë dhe provë konkrete që ka nisur të zbardhen, rezulton se është marrë fillimisht në pyetje ministri Ilir Beqja. Sipas dosjes hetimore, konstatohet se ai ka planifikuar, ka shpërndarë, ka shpallur e ka realizuar 9820 tendera për blerje ilaçesh dhe pajisjesh ditore të shërbimit mjekësor. Këto tendera i ka kryer si monopol, duke ua hequr të drejtën ligjore drejtuesve rajonalë të shëndetësisë, por edhe drejtuesve të institucioneve e qendrave shëndetësore deri në ambulancat e komunave, të cilat kanë të drejtën t’i planifikojnë, t’i shpallin e të finalizojnë këto tendera, mbështetur në fondet dhe nevojat faktike që kanë pacientët kronikë dhe sektorët përkatës që ata kanë në territorin e tyre. Pikërisht kjo nuk ka ndodhur e nuk është lejuar të bëhet prej drejtuesve lokalë të shëndetësisë, mbasi ministri Beqja ua ka hequr këtë të drejtë ligjore, duke bërë monopol planifikimin dhe organizimin dhe shpërndarjen e tenderëve, duke vepruar direkt nga zyra e tij, me një komision vlerësimi ofertash të caktuar prej tij, me fonde të paracaktuara prej tij, me fitues të përzgjedhur prej tij. në dosje janë skeduar 9820 tendera abuzivë, që tashmë janë cilësuar të kryer në shkelje të plotë të ligjit mbi funksionet për kompetencat administrative, pa harruar shkeljet e bëra gjatë planifikimit të ofertave, të praktikave e procedurave të zhvillimit të tenderëve, të klientelizmit në shpalljen e fituesve, por edhe të fiktivitetit në sasitë që “fituesit” e tenderëve kanë çuar nëpër qendrat shëndetësore, ku shpesh ka rezultuar ka pasur mangësi në sasitë, përputhshmërinë e furniturave sipas ofertave të tenderuara, në llojin dhe cilësinë e ilaçeve e të pajisjeve të përdorimit ditor! Ja një rast tipik abuziv. Vetëm në 6 numrat 4, 5, 6, 7, 8, 9 të Buletinit të Prokurimeve Publike, që përmbledh periudhën 35 ditore 2 shkurt 2015-9 mars 2015 dhe që është denoncuar nga “Telegraf”, ministri Ilir Beqja ka shpallur 1789 tendera. Nga këta, 687 tenderat më vlerë më të lartë financiare, më të korruptuarit procedurialisht dhe me shkelje të plota ligjore, i ka zhvilluar në zyrën e tij, me komisionin e caktuar prej tij, me klientët fitues të përzgjedhur e të paracaktuar prej tij. 
Hetim për zbatimin e VKM Nr. 85 të kontratave të ilaçeve me depot farmaceutike dhe ISKSH
Skandali me rimbursimin dhe cilësinë e ilaçeve, por edhe me recetat e rimbursimit është denoncuar disa herë nga gazeta “Telegraf” dhe ka rezultuar i vërtetë. Në këtë linjë abuzimi me rimbursimin e ilaçeve akuzohet si i përfshirë si mbështetës e mbrojtës i abuzimit edhe ministri Beqja. Ndaj, me një “tematikë” konkrete. në përmbushje të procesit të hetimit, ministri Beqja është pyetur për praktikat zyrtare dhe rregullsitë e zbatimit të VKM Nr. 85, datë 13.2.2003 të lidhjes së kontratave të ilaçeve me depot farmaceutike dhe me ISKSH. Ky vendim rezulton se është shkelur qysh në përbërje të institucioneve e të përfaqësive të titullarëve që duhet të jenë pjesë e komisionit vlerësues e vendim-marrës të këtyre kontratave të ilaçeve që bëhen me depot farmaceutike të vendit e importit. Vetë ministri, ka caktuar veten si kryetar të Këshilli Administrativ të ISKSH, ndërkohë që është edhe planifikues, urdhërues dhe realizues i tenderëve të ilaçeve, por edhe i certifikimit të ilaçeve që futen nga importi, duke abuzuar në vlerën e çmimeve që duhen shitur në tregun shqiptar, në cilësinë e tyre, në sigurinë dhe jetëgjatësinë deri në përdorim tek pacienti! Pa bërë komente, po publikojmë të plotë VKM Nr. 85, datë 13.2.2003 të lidhjes së kontratave të ilaçeve me depot farmaceutike dhe ISKSH, për të cilin ministri Beqja është marrë në pyetje, si shkelës i këtij vendimi! 
Ja VKM Nr. 85, datë 13.2.2003
PËR LIDHJEN E KONTRATAVE, NDËRMJET INSTITUTIT TË SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR DHE FARMACIVE E DEPOVE TË BARNAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26 e 36 të ligjit nr. 7870, datë 13.10.1994 “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar me propozimin e Ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, për mbulimin e një pjese të çmimit të barnave, lidh kontratë me depot e barnave dhe me farmacitë e rrjetit të hapur, që shprehin interes për t’u përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore.
2. Këshilli Administrativ i ISKSH-së përcakton kriteret, që duhet të përmbushin depot e barnave dhe farmacitë e rrjetit të hapur, për të kontraktuar me këtë institut.
3. Këshilli Administrativ i ISKSH-së, miraton kontratën tip për farmacitë dhe depot e barnave dhe afatet kohore të lidhjes së tyre.
4. Të gjitha farmacitë, që kanë kontratë me ISKSH-në, janë të detyruara të tregtojnë barna vetëm me recetë të mjekut, me përjashtim të barnave që tregtohen pa recetë, sipas listës së miratuar nga Ministri i Shëndetësisë.
5. Të gjitha farmacitë, që kanë kontratë me ISKSH-në, janë të detyruara të tërheqin barnat e rimbursueshme të listës, vetëm në depot e barnave që kanë kontratë me këtë Institut.
6. Depot e barnave, që kanë kontratë me ISKSH-në, duhet të zbatojnë çmimet e depos për barnat e listës.
7. Dokumentacioni për qarkullimin e barnave nga depot të mbahet sipas formateve të miratuara nga Ministri i Financave dhe Ministri i Shëndetësisë.
8. ISKSH-ja pajis mjekët me receta me rimbursim dhe pa rimbursim, si dhe përcakton rregullat për administrimin e tyre.
9. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe ISKSH-ja për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Sigal