Ministri Ahmetaj, ofron 5 milionë lekë “pare xhepi” për kandidatët në lista, 2 milionë për ata që dalin nga lista

562
Përparim HALILI
Përveç 2.9 miliardë lekëve taksa shqiptarësh që u janë akorduar partive për fushatën e 18 qershorit, miliarda lekë edhe privatisht
Këto pagesa, do t’u jepen si mundësi lehtësuese, për të përballuar shpenzimet individuale të fushatës për “kafe me popullin”, ndonjë thes miell, shlyerje e ndonjë liste ushqimesh, ndonjë blerje recete ilaçesh, ndonjë tollon karburant…
Këtë “humanizëm”, Ministri Ahmetaj e ka paraqitur për miratim në Komisionin Parlamentar të Ekonomi-Financës, duke ia lënë në dorë: konfidencialisht” kreut të këtij komisioni, deputetit “parimor e anti-korrupsion”, Erjon Braçe, i cili nuk besojmë se e do ta quajë “shpifje”, siç veproi edhe ndaj lajmit të “Telegraf” për rritjen e pagave, shpërblimeve, dietave e pensioneve të deputetëve
Taksat e shqiptarëve dhe borxhet që vazhdojnë e merren prej “Rilindjes” nëpër botë me sekserë e interesa tepër të larta, po bëhen “kurban” për fushatat elektorale të “ushtrisë” së partive politike shqiptare, të cilat regjistrohen qëllimisht në KQZ dhe futen në zgjedhje parlamentare e vendore jo si forcë potenciale pretenduese për pushtet, por thjeshtë dhe vetëm për të kapur ndonjë “thelë” pushteti prej partive të mëdha, të cilat I fusin në koalicione për ca “thërrime” votash! Këto parti “insekte”, ashtu si partitë e madha në pushte e opozitë, përfitojnë miliona lekë nga buxheti i shtetit, si financim për fushatën elektorale, për shkak të marrjes pjesë në procesin zgjedhor. Siç dihet, dy muaj më parë, konkretisht më 24 mars 2017, KQZ përcaktoi dhe akordoi fondin financiar që do t’u jepet partive politike për fushatën zgjedhore parlamentare të 18 qershorit 2017. Janë 12 parti politike të cilat përfitojnë në total 2.9 miliardë lekë vetëm për fushatën, duke nisur nga 1.12 miliardë lekë që I jepen PS e deri tek afro 50 milionë lekë që i jepen Aleancës Kuq e Zi. Nuk janë vlera të vogla, duke pasur parasysh varfërinë që ka pllakosur shqiptarët dhe “thesin e shkundur” të qeverisë e cila vazhdon të rropatet e denigrohet rrugëve të botës, për të kërkuara borxhe me “fajde” të lartë! Dihet, që shumë prej partive të cilat nuk fitojnë dot asnjë mandat deputeti, asnjë mandat kryebashkiaku, apo asnjë vend këshilltari, nuk i kthejnë milionat që u ka dhënë shteti e përsëri financohen me miliona të tjera në çdo proces zgjedhor. Por çështja, nuk qëndron tek këto fonde që thuhet se… “jepen në përputhje me Kushtetutën”. Pas 2.9 miliardëve të dhëna “me ligj”, mësohet se nga dy udhëheqës të “rilindjes” që kanë mbetur edne në krye që nga koha e KPD, po inskenohet një plan tjetër për të akorduar fonde shtesë për financimin e fsihatës. veçse jo duke ua akorduar partive politike, por kandidatëve për deputetë që do të jenë në listat zgjedhore të 18 qershorit 2017. Sipas burimeve të informacionit, me “ide” të ministrit të Financave, Arben Ahmetaj dhe me adresim tek kryeministri Rama që do “vendos vulën”, thuhet se brenda datës 31 mars 2017, do t’i kërkohet Komisionit Parlamentar të Ekonomi-Financës, që të miratoj një “bonus” financiar në fondet e fushatës zgjedhore. Sipas projekt-propozimit të ministrit Ahmetaj, i shquar në fushën e “alokimit dhe mirë-menaxhimit” të fondeve publike, që nga koha e fondeve të shërbimeve rurale telefonike, këto fonde shtesë nuk do të akordohen për partitë si forca politike, por për kandidatët e partive kandidatët për deputetë që do të caktojnë ato për të garuar më 18 qershor! Sipas burimit të informacionit nga brenda “kuzhinës” së ministrisë “Ahmetaj”, thuhet se “ideja” e ministrit të Financave, ka lidhje me sponsorizimin e kandidatëve për deputetë në vlerë financiare të barabartë për të mazhorancës dhe të opozitës, por edhe të kandidatëve të partive të tjera që kanë grupe parlamentare në parlament. Në këtë skemë sponsorizimi, do të kelt një diferencim vlerash financiare. Kandidatët për deptutetë të listës së 18 qershorit 2017, do të financohen personalisht me nga 5 milionë lekë të vjetra “pare xhepi”, si mundësi lehtësuese për të përballuar shpenzimet individuale të fushatës për “kafe me popullin”, ndonjë thes miell, shlyerje e ndonjë liste ushqimesh, ndonjë blerje recete ilaçesh, ndonjë litër karburant etj. Po kështu, pagesë do të jepet edhe për deputetët aktualë, të nuk do të jenë më kandidatë për 18 qershorin. Sipas “planifikimit të ministrit Ahmetaj, këtyre do t’u jepen 2 milionë lekë të vjetra “pare xhepi”, që t’i shpenzojnë në shërbim të fushatës së partive përkatëse. Siç thuhet nga burimi informacionit, ministri Ahmetaj ia ka propozuar këtë “ide integruese” kryeministrit Rama, i cili i ka rekomanduar ta paraqes si propozim për diskutim e miratim në Komisionin Parlamentar të Ekonomi-Financës, gjë të cilën ministri “nikoqir” Ahmetaj e ka bërë me urgjencë, duke ia lënë në dorë “konfidencialisht” kreut të këtij komisioni, deputetit “parimor e anti-korrupsion”, Erjon Braçe, i cili do ta konsideroj “shpifje”, ashtu siç bëri edhe me lajmin e “Telegraf”, që denoncoi projekt-vendimin për rritjen pagave dhe shpërblimeve të deputetëve! Kjo “die humaniste” e ministrit Ahmetaj, sipas tij, shpjegohet me këtë logjikë: kandidatët për deputetë dhe deputetët jo kandidatë më 18 qershor 2017, do të financohen personalisht jo si privilegj e përfitim, por me qëllimin e mirë për të mos cenuar fondet e partive që ka akorduar KQZ-ja! Kur të publikohen listat e kandidatëve dhe atyre që nuk do të jenë në lista, do të behet edhe llogaria se sa miliardë lekë “pare xhepi” do të jepen për ta! 
Ja sa miliardë lekë fonde shteti, janë financuar 12 parti politike për fushatën e 18 qershorit
1. PS: 112.milionë, 453 mijë e 783 lekë të reja
2. PD: 87 milionë, 274 mijë e 533 lekë të reja
3. LSI: 31 milionë, 405 mijë e 453 lekë të reja
4. PDIU 11 milionë, 474 mijë e 913 lekë të reja
5. PR: 10 milionë, 122 mijë e 643 lekë të reja
6. PBDNJ: 6 milionë, 304 mijë e 503 lekë të reja
7. PKD: 6 milionë, 304 mijë e 503 lekë të reja
8. FRD: 5 milionë, 326 mijë e 333 lekë të reja
9. PDS: 4 milionë, 833 mijë e 333 lekë të reja
10. PSD: 4 milionë, 833 mijë e 333 lekë të reja
11. PDK: 4 milionë, 833 mijë e 333 lekë të reja 
12. AKZ: 4 milionë, 833 mijë e 333 lekë. të reja
Sigal