Ministri Ahmetaj në Kukës: Nuk ka taksë të re për biznesin e vogël

630
Ministri I Financave Arben Ahmetaj vizitoi, më në fund, edhe Kukësin dhe deklaroi, se po negociohet për një lehtësim mbi tarifën e Rrugës së Kombit. Po ashtu, Ahmetaj theksoi se nuk ka taksë të re për biznesin e vogël e as gjoba për gabimet e vogla në deklarim deri në dhjetor të vitit 2018. Ministri Ahmetaj nënvizoi, se do të vazhdojë informimi intensiv për përfshirjen në skemën e deklarimit, duke komunikuar me çdo biznes në të gjithë Shqipërinë. “Nuk ka taksë të re për biznesin e vogël. Ne e bëmë zero taksën e biznesit të vogël dhe vazhdon të mbetet zero. Është vetëm detyrim për deklarim, një instrument i domosdoshëm në përpjekjen tonë serioze për formalizimin e ekonomisë. Nuk ka ngarkesë të shtuar fiskale për biznesin, nuk ka rritje çmimesh për konsumatorin. Nuk ka gjoba për gabimet në deklarim, deri në dhjetor 2018. Ka informim, komunikim, asistencë, trajnim intensiv për biznesin e vogël në këtë proces të rëndësishëm” deklaroi ministri Ahmetaj nga takimet me banorët e qarkut më të varfër në Shqipëri. 

Arben Ahmetaj: “Folëm për tarifën e rrugës. Në emër të kryeministrit i kam premtuar, që do të jetë një konsiderim shumë i mirë dhe shumë racional. Pra një paketë shumë racionale dhe shumë e mirë për qytetarët e qytetit të Kukësit, për qytetarët e gjithë zonës, Tropojë, Has, Kukës”. 

Arben Ahmetaj: “Pra, i sqarova qytetarët dhe sipërmarrjen se është një procedurë e thjeshtë, që nuk ka ngarkesë të re fiskale. Që nuk ka gjoba për deklarim të gabuar deri në fund të vitit 2018. I kërkova administratës tatimore që të informojë të 64 bizneset e vogla që futen në skemën e deklarimit”. Ky detyrim për deklarim nuk do të sjellë rritje çmimesh për konsumatorët, deklaroi ministri i Financave nga Kukësi.
Sigal