Ministri Ahmetaj: Disa nga propozimet janë të mundshme që të reflektohen

Besoj që dhe Fiqiriu ju ka informuar që ne bëmë një takim në reflektim të asaj që ka kërkuar Kryeministri javën e kaluar, por edhe në pritshmëritë e interpelancës së sotme. Siç e tha edhe ministri i Energjisë, grupi i punës do të thellohet në të gjitha ato propozime që ju keni bërë. Do doja t’i referohesha vitit 2015, ku ka qenë një premtim i kahershëm i Kryeministrit, që në opozitë, për moshën e pensionit dhe u realizua me atë vijëzim shumë pozitiv që ju e keni mbështetur, nga 12.5 vjet deri në 30 vjet, që besoj shumë prej jush, apo prej gjeneratave të minatorëve kanë përfituar ulje të moshës së pensionit. Besoj se dhe në ato kalkulime që kemi bërë, edhe ai përshkallëzim që iu referua Fiqiriu është i mundur, do ta shikojmë me kujdes në atë tryezë të përbashkët. Disa nga propozimet janë të mundshme që të reflektohen, kuptohet në një diskutim e një debat e dakordësi të përbashkët. Në çdo rast do më duhet që të theksoj që paketa sociale e qeverisë ndër vite ka qenë jashtëzakonisht shumë solidare, brenda mundësive të buxhetit të shtetit. Mos harroni që vetëm medikamentet për gjithë shqiptarët janë rritur, pra, rimbursimet janë rritur me 30%, që është një paketë solidariteti shumë e rëndësishme edhe për ata që nuk janë të siguruar.