Ministrat e linjës bllokojnë Buletinin Nr. 6, datë 16 shkurt 2015 të Prokurimeve, fshehin shpalljen dhe fituesit e 9 tenderëve k

527
Sigal

Kërkesa e ministrave për mos publikimin e buletinit, i është servirur drejtorit të APP Eduard Ahmeti, si… “porosi e dhënë nga Kryeministri”

Menjëherë pas publikimit nga “Telegraf” të megaskandalit me koncesionin  e shërbimit shëndetësor për sterilizimin e veglave kirurgjikale dhe dezinfektimin e sallave, reagon APP, duke publikuar të plotë Buletinin nr.6 të Prokurimeve Publike, ku ishte publikuar dhe ky koncesion i Ministrisë së Shëndetësisë. Por çfarë ka ndodhur me Buletinin nr.6…?

 * * *

Pavarësisht denoncimeve publike në media, në prokurori dhe në “veshin anti-korrupsion” që ka hapur qeveria së fundi, ndesh një realitet të trishtë e skandaloz, që të bënë pesimist për të menduar, kërkuar dhe pritur drejtësi nga shteti shqiptar. E kemi fjalën për guximin, revanshin e shfrenuar korruptiv dhe marifetet e fshehjes së aferave të akteve korruptive të disa ministrave “mostra korrupsioni” të qeverisë “Rilindja”. Këtë na i konfirmon një denoncim, që prej mosbesimit ndaj luftës anti-korrupsion të qeverisë, nuk ka shkuar tek “veshi antikorrupsion” i qeverisë “Rilindja”, por ka ardhur si informacion tek gazeta “Telegraf”. Të enjten në mbrëmje, datë 19 shkurt 2015, juristi Sh.G, përfaqësues ligjor i një subjekti privat, më informoi për një skandal që ka ndodhur e po vazhdon të ndodhë me Buletinin e Prokurimeve Publike, botim i Agjencisë Shtetërore Shqiptare të Prokurimeve Publike (APP). Bëhet fjalë për një skandal që lidhet me mospublikimin e të dhënave të kursit dhe çmimeve të karburanteve, të adresave dhe ofertave të tenderëve, të prokurimeve shitje, blerje, koncesione, anulime konkurrimesh dhe shpalljen e detyrueshme të fituesve të këtyre prokurimeve, që duhet të publikohen në buletinin zyrtar të prokurimeve. Çfarë ka ndodhur e po vazhdon të ndodhë? Në faqen zyrtare të prokurimeve të APP, duhej publikuar Buletini Nr.6, i datës 16 shkurt 2015 me krejt përmbajtjen e saj të njoftimeve. Në arkivën e APP-së, Buletini Nr. 6, datë 16 shkurt 2015, deri dje figuronte vetëm si numër dhe datë, por nuk kishte të publikuar përmbajtjen e njoftimeve! Drejtoria e APP-së deri dje, që “Telegraf” zbardhi koncesionin skandaloz në shëndetësi për sterilizimin e sallave kirurgjikale (një prej koncesioneve të shpallura në këtë buletin), kishte publikuar vetëm faqet nr. 4-5, ku publikohen emrat dhe afatet e përjashtimit të 15 firmave e kompanive private, nga e drejta për të marrë pjesë në konkurrimet për tenderë. Nuk ishin publikuar as faqja nr. 1 e kopertinës së Buletinit, as faqja nr. 2 me përmbajtjen e lëndës së buletinit, as faqja nr. 3 me prezantimin se çfarë institucioni është dhe se çfarë funksioni ka APP. Publikimi i Buletinit nr. 6, të datës 16 shkurt 2015, prej 7 ditësh qëndroi i bllokuar, pa publikuar asnjë njoftim për tendera, asnjë njoftim për fituesit, asnjë njoftim për anulim tenderash. Madje, nuk kishte publikuar as tabelat e të dhënave javore të kursit dhe çmimit të karburanteve. Siç e thamë, APP, deri dje, kishte publikuar vetëm emrat dhe afatet e 15 firmave që janë përjashtuar nga pjesëmarrja në prokurime. Kaluan 7 ditë dhe vetëm dje u shpallën njoftimet e Buletinit nr. 6, ndërkohë që po dje është botuar Buletini nr. 7, i muajit shkurt 2015! Përse kjo vonesë në publikimin e buletinit? Sipas informacionit të juristit Sh.G, marrë konfidencialisht nga punonjës në zyrat e APP-së, ky numër buletini është bllokuar me urdhër të drejtorit Eduard Ahmeti, pas një “porosie” të dhënë prej ministrave të linjës të cilët kanë publikuar tenderët dhe koncesionet e tyre, për të mos publikuar buletinin. “Porosia”, mësohet se ka patur lidhje me mospublikimin në buletin të 5 tenderëve të “majmë”, që janë hedhur në konkurrim të hapur dhe për të mos publikuar fituesit e 4 koncesioneve. Është në “interesin” e ministrave të linjës që 5 tenderat që duheshin publikuar në buletinin nr. 6 të datës 16 shkurt 2015, të mos publikohen deri sa të përfundojë afati zyrtar i zhvillimit të tenderave, me qëllim që të mos ketë pjesëmarrje konkurruese për klientët tyre, fitues të paracaktuar. Sipas informacionit, këto tendera që prej ministrave do bëhen me “dyer të mbyllura” e fiktivisht, padyshim në tavolina restorantesh luksoze, janë koncesione për shërbime disavjeçare në shëndetësi dhe në sektorin e minierave dhe energjisë. Po kështu, mos botimi i Buletinit nr. 6, deri dje (pas bërjes mediatike të problemit, pasi “Telegraf” zbardhi skandalin koncesionar në shëndetësi) ka lidhje me mos publikimin e emrave të kompanive fituese të 4 koncesioneve, të cilët janë zhvilluar me letra e procedura abuzive dhe me oferta 2-3 herë më të larta se tregu i shërbimeve reale, përfituar nga kompani klienteliste të ministrave “emblemë korrupsioni” të qeverisë “Rama”. Sipas punonjësve të APP-së, mësohet se kërkesën për bllokim të buletinit, ministrat ia kanë servirur drejtorit të APP-së, si “urdhër të Kryeministrit”. Duke e konsideruar këtë vonesë publikimi të buletinit (me qëllimin për të mos u botuar), si shkelje të ligjit mbi informimin për prokurimet dhe si akt korruptiv, respektuam njoftimin zyrtar të APP-së, datë 11. 02. 2014, me dy numra Prot. “extra” dhe Prot. 17/27, firmosur nga drejtori Eduard Ahmeti, me këtë përmbajtje: “Ankimet dhe denoncimet për veprime korruptive, të bëhen në nr. telefonit: 04/277510 dhe 04/277515, ndërsa me postë elektronike në adresën: e-mail: [email protected]. telefonuam, u hap telefoni, na ftuan për komunikim, por sa dëgjuan ankesën tonë shfrynë, mërmëritën dhe… na mbyllën telefonin, për të mos e hapur më as pas 27 thirrjesh të tjera. Ndërsa, tek adresa elektronike menduam të mos bënim asnjë ankim, mbasi prej andej nuk kthehet kurrë, asnjë përgjigje.

Përparim HALILI