Ministra dhe të përzgjedhurit e Ramës do të testojnë drejtorët

504
Pas testimit të infermiereve, mjekëve dhe mësuesve, tani rradha i ka ardhur drejtorëve, agallarëve të rretheve, atyre që pas emërimit si militantë dhe mbledhës votash, tani u ka ardhur rasti të provojnë edhe “zotësinë” e drejtimit. Komisioni i testimit do të jenë ministra dhe njerëzit e zgjedhur të kryeministrit, pikërisht ata njerëz që pas “provimit” do të vendosin nëse ngelin ose kalojnë klasën mbi 360 drejtues në rrethe. Goxha shifër e lartë (pa u ndalur tek postet dytësore) drejtuesish dhe sigurisht goxha para për t’u mbledhur. Nga burime të besueshme nga disa rrethe mësohet se “testimi ishte një shpikje e fundit e njerëzve që rrinë afër kryeministrit”, por kjo nuk ka kaluar dhe nuk ka sjellë shumë kënaqësi tek drejtuesit e bazës. Por më befasuese mbetet fakti i informimit të kryeministrit, nga ata që presin të merren në provim. 
Qindra mesazhe për kryeministrin
Qindra mesazhe (sms) dhe letra me emra realë dhe anonimë, i janë nisur Ramës ditët e fundit ku shigjetohen, akuzohen dhe denoncohen kësaj here me fakte dhe jo gënjeshtra, me vlera milionëshe dhe aktivitetet e paligjshme, të cilat i disponojnë dhe i ushtrojnë drejtuesit në rrethe. Denoncimet vijnë live, kolegu për kolegun, drejtori për drejtorin dhe padyshim i mbetet kryeministrit Rama të qeshë, të zgërdhihet dhe të ndajë “shapin nga sheqeri”, të korruptuarit dhe të molepsurit me trafigjet nga që kanë mbetur deri sot të ndershëm. Gara ka nisur dhe nuk ndalet, aq sa Rama shumicën e sms dhe letrave denoncuese ia ka kaluar për “shqyrtim” koordinatorëve të PS në rrethe. Mjafton të citojmë një sms dërguar Ramës javën e kaluar nga një drejtues i një rrethi të madh bregdetar, ku i shkruhej se “…dihet botërisht se ka bërë miliona me lekët e tenderave, shitjen e pronave të shtetit dhe së fundi është mik me rrjetin e kontrabandës, KLSH e ka paditur edhe në Prokurori, verifikojeni dhe do të bindeni”. Por si kjo sms dhe qindra letra denoncuese dërguar Ramës, duke sharë dhe akuzuar njëri-tjetrin, ka kohë që nisen dhe publikohen, ndaj kurrë nuk mund të bindesh se testimi i rradhës që do tu bëhet drejtorëve në rrethe, do të largojë hapur dhe ligjërisht ata që e meritojnë. Tek e fundit ai që do të mbetet në “klasë” padyshim do të jetë ndonjë drejtor që nuk ka ditur, ose ka qenë përdorur deri sot për të bërë para dikush tjetër, duke e mbajtur në postin e tij si kavie, ose thjesht për hatër të votave. 

Njerëzit që rrezikohen nga testimi i radhës
Kjo pasi, ata që janë majmur me para, prona dhe luks, duket se e kanë siguruar notën kaluese tek Rama, duke futur mik ministrin. Janë pikërisht këta të fundit që shërbejnë si garantë që kryeministri u ka besuar emërimet e reja që do të bëhen në rrethe në muajt që vijnë. Sipas disa drejtuesve në rrethe, referuar zhvillimeve më të fundit politike brënda llojit “jemi duke punuar nën presion psikologjik, çdo javë na vijnë shkresa të çuditshme që vetëm zyrtare nuk janë, me udhëzime dhe urdhëra të çuditshme, ku na vihen afate për tenderat, largimet, punësimet, na sillen lista emërore dhe vihemi në vështirësi morale, njerëzore, financiare dhe ligjore, duke na detyruar shpesh ti themi “pirdhu” postit, sepse me këta nuk punohet, pasi duan gjithçka për vehte”. Lufta klanore dhe fisnore ka kohë që ka mbërthyer bazën e rretheve, duke mos bërë produktive edhe rolin e koordinatorëve që Rama ka caktuar prej muajit tetor 2015. 

Kritere tarafllëku dhe nepotizmi
Pavarësisht se në dukje bëhet gjithçka për të mos prishur performancën e qeverisjes, puna dhe realiteti në rrethe të zhgënjen. Asnjë kriter ligjor, asnjë premtim, asnjë fjalë e mbajtur, asnjë vendim ligjor e gjyqësor, asnjë vendim kolegjial nuk zbatohet sipas meritokracisë, dhe kjo duket tek institucionet e shtetit në rrethe. Gjithkush vepron sipas interesit klanor, kushdo vepron sipas raporteve që ka krijuar me klanin e tij, duke synuar në fund të ditës çfarë ka fituar ai nga firma e hedhur, pavarsisht se ka shkelur ligjin, mjafton të mbushë xhepin. Dhe pikërisht në këto kushte dhe në këto situata, kjo qeveri dhe këta ministra kanë vendosur të “reformojnë” dhe “testojnë” drejtuesit e rretheve, me të vetmin ndryshim në komisionin e vlerësimit, janë hequr ligjëvënësit. 

                                                                                                                                                                                           Alma JONUZI
Sigal