“Minimi” i pensioneve të ushtarakëve

871
Kadri MUKA

Gjykata e Lartë minuese e besimit të ushtarakëve
Gjykata e Lartë u bë burim pasigurie në sistemin ligjor dhe shtetin e së drejtës për ushtarakët dhe përfituesit e tjerë të të pensionit të parakohshëm
Më 24 nëntor 2016 trembëdhjetë Gjyqtarët e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë zotërinjtë Xhezair Zaganjori (Kryetar i Gjykatës së Lartë), Ardian Dvorani, Shkëlzen Selimi, Tom Ndreca, Medi Bici, Artan Zeneli, Guxim Zenelaj, Andi Çeliku, Edmond Islamaj, Admir Thanza, Artan Broci dhe zonjat Arjana Fullani, Evelina Qirjako njëzëri me vendimin nr.3, datë 24.11.2016 nëpërmjet interpretimeve njehsuese në papajtueshmëri me parimet kushtetuese, u bënë minues të besimit dhe burim pasigurie në sistemin ligjor dhe shtetin e së drejtës për ushtarakët dhe përfituesit e tjerë të të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi si punonjësit e Policisë së Shtetit, Policisë së Burgjeve, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe punonjësit e Gardës, Shërbimit Informativ dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë i ngarkon i Kushtetuta me neni 141 të zgjidhë dyshimet interpretative të ligjit dhe të njehsojë praktikën gjyqësore të normës së zbatueshme me një interpretim që përputhet me parimet kushtetuese. Në zbatim të kësaj dispozite kushtetuese, 13 gjyqtarët/et e këtyre Kolegjeve që morën pjesë në seancën e datës 24.11.2016, ishin para detyrës, detyrimit dhe të drejtës të bënin njehsimin e praktikës gjyqësore për çështjen e trajtimit të ushtarakëve dhe gjithë përfituesve të mësipërm me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Në unison të përbashkët të 13 gjyqtarët e Gjykatës së Lartë (Kolegjeve të Bashkuara), në kundërshtim me vendimin nr.7, datë 16.02.2015 të Gjykatës Kushtetuese i cili thotë: “Është detyrim i gjykatës të zgjidhë dyshimet interpretative duke i dhënë normës së zbatueshme një interpretim që përputhet me parimet kushtetuese.”, bënë interpretime njehsuese në papajtueshmëri të plotë me parimet kushtetuese. 

E para:Nuk ka respektuar parimin e paanësisë në gjykimin e çështjes, i cili në shtetin e së drejtës ka të bëjë me besimin në dhënien e drejtësisë dhe mbrojtjen e së drejtës. 

Sipas këtij parimi merr rëndësi mënjanimi nga gjykimi i çështjes i gjyqtarëve që nuk kanë garancitë e kërkuara për paanshmëri për shkak se është shprehur në një procedim tjetër me një vlerësim që ka të bëjë me përmbajtjen e të njëjtit fakt, në lidhje me të njëjtin subjekt.

Dy gjyqtarët, zoti Xhezair Zaganjori, relator i çështjes për njehsimin e praktikës gjyqësore dhe zoti Admir Thanza ishin shprehur më parë për çështjen e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve në dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, vendimin nr.33/2010 dhe nr.2/2013. I pari votojë kundër vendimit vendimit nr.33/2010 dhe i dyti kundër për shfuqizimin e pikës 2 të nenit 14 të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 dhe interpretimit për mbrojtjen e pensionit suplementar të pleqërisë nga parimi i sigurisë juridike. Po këta gjyqtarë në vendimin nr.2/2013 ishin kundër shfuqizimit në papajtueshmërinë me Kushtetutën të aktit normative nr.5, datë 10.11.2010 që bëri shtesa e ndryshime në ligjin nr.10142/2009 në kundërshtim me vendimin nr.33/2010. Pavarësisht këtij fakti dhe detyrimit për të dhënë dorëheqje nga pjesëmarrja në gjykim të çështjes, nuk dhanë dorëheqje. Ata u bënë pjesë e gjykimit dhe e marrjes së vendimit famëkeq njehsues nr.3, datë 24.11.2016. Gjykata Kushtetuese në vendimin Nr.21, datë 29.4.2010 dhe Nr. 49, datë 10.7.2015 për një çështje të tillë ka theksuar se: “…thjesht dhe vetëm pjesëmarrja e një apo më shumë gjyqtarëve në një procedim të mëparshëm, pavarësisht nga ndikimi i prezencës dhe i mendimit të tyre në të gjithë trupin gjykues, është një arsye e mjaftueshme dhe njëkohësisht një garanci më pak për kërkuesin, tek i cili është krijuar dyshimi i bazuar se gjykata nuk ka qenë e paanshme në shqyrtimin e kësaj çështjeje. Dyshimi i mundshëm për paanësinë e gjyqtarit mund të ngrihet në hipotezën se gjyqtari është shprehur në një procedim tjetër me një vlerësim që ka të bëjë me përmbajtjen e të njëjtit fakt, në lidhje me të njëjtin subjekt”. Mosrespektimi i paanshmërisë së tyre nga moszbatimi i këtij përfundimi të Gjykatës Kushtetuese, vetiu e bënë vendimin nr.3, datë 24.11.2016 të Kolegjeve të Bashkuara të pabesueshëm, por edhe të pavlerë.

E dyta:Nuk respektuan por cenuan parimin e rendit juridik të së drejtës së ushtarakëve për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. E drejta e trajtimit të veçantë të ushtarakut kur nxirret në rezervë a në lirim dhe mbetet në papunësi të padëshiruar dhe pa mjete të tjera jetesë është e garantuar nga neni 52 pika 2 e Kushtetutës, e cila sanksionon të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuar nga ligji. Ligji që parashikon këtë ndihme për ushtarakun është ligji “Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”. Është pikërisht statusi i ushtarakut i 3 korrikut 1991 (ligji nr.7496, datë 03.07.1991) që me nenin 16 “E drejta për pension” dhe statusi tjetër I 23 marsit 2004 (ligji nr.9210, datë 23.03.2004) me nenin 35 “E drejta për pension të parakohshëm”, që kanë parashikuar kushtet e përfitimit dhe masën e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.

Statusi i ushtarakut është ligj i listës shteruese të nenit nenit 81 të Kushtetutës, sipas të cilit është miratuar me praninë e 3/5 të anëtarëve të kuvendit. Pika 2 e këtij neni të Kushtetues thotë se: “2. Miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit:

a) ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve, të parashikuara nga Kushtetuta;…e) ligji për statusin e funksionarëve publikë…”.

Ligjet “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, nenet e veçanta të tyre, konkretisht neni 11 i ligjit nr.8087, datë 13.03.1996 i ndryshuar me ligjin nr.8521, datë 30.07.1999 është në e për zbatim të nenit 16 të statusit të 3 korrikut 1991 dhe neni 13 “Kushtet e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi” e 14 “Masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi” i ligjit nr.9418, datë 20.05.2005 i ndryshuar me ligjin nr.9481, datë 16.02.2006 dhe ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 i ndryshuar me aktin normative nr.5, datë 10.11.2010 të miratuar me ligjin nr.10367, datë 23.12.2010, janë në e për zbatim të nenit 35 të statusit të ushtarakut të 23 marsit 2004. Si të tillë këto nene të këtyre ligjeve të sigurimit shoqëror suplementar, që janë ligje të cilët miratohen me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit sipas nenit 78 të Kushtetutës, duke qenë në e për zbatim të këtyre neneve të statuseve të ushtarakut përkatës ishin para detyrës dhe detyrimit të garantimit të përpikërisë në zbatimin e tyre. Cenimi që neni 11 i ligjit nr.8087/1996 I ndryshuar i ka bërë nenit 16 të statusit të 1991-shit nga 50% e pagës mujore për 15 vjet mashkulli dhe 12 vjet femra dhe 2% të pagës mujore për çdo vit tjetër shërbimi mbi 15 e 12 vjet duke e kushtëzuar me moshën 44 vjeç femra e 47 vjeç mashkulli dhe kufizuar masën e shtesës së pensionit për mbi 15 e 12 vjet sa pensioni maksimal i pleqërisë në shkallë vendi përbënë mosrespektim të rendit juridik. Po të njëjtën gjë bënë edhe neni 13 e 14 i ligjit nr.9418/2005 ndryshuar nga ligji nr.9581/2006 që kufizojnë masën sipas gradave nga 6 deri në 3 pensione bazë në shkallë vendi, por edhe ligjit nr.10142/2009 ndryshuar nga ligji nr.10367/2010 i cili e zvogëlon masën e pensionit në masën 1.5% të pagës mesatare neto referuese të të gjithë vjetërsisë së shërbimit. Kolegjet e Bashkuara edhe pse ishin para mosrespektimit të rendit juridik për të cilën vendimi nr. 19, datë 03.05.2007 të Gjykatës Kushtetuese dhe gjithë jurisprudenca e kësaj gjykate është shprehur se: “Referimi i drejtpërdrejtë nga Kushtetuta i mënyrës së miratimit të ligjeve organike të institucioneve të sipërpërmendura u jep atyre fuqi të veçantë juridike në krahasim me aktet e zakonshme të ligjvënësit. Për këtë arsye, në hierarkinë e akteve, ata renditen pas Kushtetutës dhe para ligjeve të zakonshme të Kuvendit. Mbështetur në këto konsiderime, Gjykata Kushtetuese rithekson se ligjet e zakonshme duhet të nxirren jo vetëm në bazë dhe për zbatim të Kushtetutës, por duhet treguar kujdes i veçantë që ata të mos prekin rregullimet që përfshihen natyrshëm në sferën ekskluzive të ligjeve organike…”., me vendimin nr.3, datë 24.11.2016 njehsuan praktikën gjyqësore në kundërshtim me këtë parim kushtetues. Në vend të nenit 16 të statusit të 3 korrikut 1991 dhe 23 marsit 2004 detyrojnë zbatimin vetëm të nenit 11 të ligjit nr.8087/1996 i ndryshuar nga data 01.01.1999 -30.06.2009 dhe nga data 01.07.2009 e në vazhdim ligjin nr.10142/2009 i ndryshuar.

E treta: Cenojnë dhe nuk respektojnë parimin kushtetues të hierarkisë së burimit të së drejtës. 

Burimi i së drejtës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është pika 2 e nenit 52 të Kushtetutës e cila thotë: “2. Kushdo, kur mbetet pa punë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj.” Ligji që ka parashikuar të drejtën dhe masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakut nga data 03.07.1991 deri më 13.05.2004 është ligji nr.7496, datë 03.07.1991 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” dhe nga data 14.05.2004 është ligji nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

I pari, ligji nr.7496/1991 me nenin 16 “E drejta për pension” përcakton këtë pozitë juridike të ushtarakut:“Oficeret dhe nënoficerët me vjetërsi shërbimi ne ushtri l5 vjet për burrat dhe 12 për gra, gëzojnë të drejtën e pensionit të pjesshëm në masën 50 për qind të pagës mujore. Për çdo vit tjetër shërbimi mbi kufirin e mësipërm jepet një shtesë pensioni në masën 2 për qind të pagës mujore.”

I dyti, ligji nr.9210/2004 me nenin 35 “E drejta për pension të parakohshëm”, pika 1 përcakton këtë pozitë juridike për këtë pension të ushtarakut: “1. Oficerët, nënoficerët dhe ushtarët me pagesë/profesionistë, me vjetërsi shërbimi në Forcat e Armatosura 15 vjet për burrat dhe 12 vjet për gratë, gëzojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50 për qind të pagës mujore deri në plotësimin e kushteve për përfitimin e pensionit të pleqërisë.

Për çdo vit tjetër shërbimi mbi kufirin e mësipërm ushtarakut i jepet një shtesë pensioni në masën 2 për qind të pagës mujore.”.

Në këtë kuptim neni 16 i ligjit nr.7496/1991 dhe neni 35 i ligjit nr.9210/2004 përbëjnë burimin e së drejtës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakëve. Neni 11 i ligjit nr.8087/1996 i ndryshuar si nen i krijuar nga neni 16 i ligjit nr.7496/1991 dhe në e për zbatim të këtij neni si dhe neni 13 e 14 i ligjit nr.9418/2005 i ndryshuar dhe neni 13 e 14 i ligjit nr.10142/2009, i ndryshuar si nene të krijuara dhe në e për zbatim të nenit 35 të ligjit nr.9210/2004. Si të tillë këto ligje të sigurimeve shoqërore suplementare të ushtarakëve, në respektim të Kushtetutës, konkretisht nenit 3 sipas të cilit të drejtat janë baza e shtetit të së drejtës dhe ai e ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë; nenit 4 pika 1 ku e drejta bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit; nenit 15 sipas të cilit të drejtat janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik, nuk kanë atributin, kompetencën dhe të drejtën e ndryshimit të pozitës juridike të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, përcaktuar nga nenet 16 të ligjit nr.7496/1991 dhe 35 pika 1 e ligjit nr.9210/2004, pozitë kjo që përbënë burimin e drerjtëpërdrejtë të kësaj të drejte kur ushtaraku del në rezervë a lirim. Nisur nga këto jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese e shprehur edhe në vendimin nr.7, datë 16.02.2015, nga pikëpamja e burimeve të së drejtës, ligjet organike ose të cilësuara qëndrojnë më lart se ligjet e zakonshme. 

E treta, Vendimi nr. 6 datë 17.02.2012 i Gjykatës Kushtetuese detyron gjykatat, pra edhe Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë që: “Në bazë të nenit 145 të Kushtetutës, gjyqtarët i nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve, duke respektuar hierarkinë e burimeve të së drejtës.”. Këtë detyrim ky kolegj dhe të 13 gjyqtarët e tij në vendimin njehsues nr.3, datë 24.11.2016, nuk e respektuan dhe nuk e zbatuan. Në vend të respektimit dhe zbatimit të hierarkisë së burimit të së drejtës së ushtarakëve për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi me proces të parregullt ligjor që urdhëron neni 6 i Konventës Evropianë të të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe nenit 42 të Kushtetutës realizuan një gjykim të padrejtë dhe të njëanshëm. Neni 35 pika 1 e ligjit nr.9210/2004: “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” i cili përbënë burimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, i garanton ushtarakut të drejtën e përfitimit të këtij pensioni deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie në masën 50% të pagës mujore për 15 vjet burrat dhe 12 vjet gratë, dhe për çdo vit tjetër shërbimi mbi 15 e 12 vjet një shtesë pensioni në masën 2 për qind të pagës mujore. Kjo e drejtë përbënë pozitën juridike të ushtarakut prej datës 14.05.2004 e në vijim deri në kryerjen e shtesave e ndryshimeve në këtë ligj apo miratimin e një statusi të ri të ushtarakut. Kolegjet e Bashkuara me vendimin nr.3, datë 24.11.2016 e rrëzuan këtë pozitë juridike në cenim të hierarkisë së burimit të së drejtës duke njëjësuar se: “në gjykimin e mosmarrëveshjeve për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi, për periudhën nga data 01.01.1999 deri më hyrjen në fuqi të ligjit nr.10142/2009, pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi do të përllogaritet sipas ligjit nr.8087/1996, të ndryshuar me ligjin nr.8521/1999. Në rastet kur e drejta për pension ka lindur pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.9418/2005 të ndryshuar me ligjin nr.9481/2006, deri me hyrjen në fuqi të ligjit nr.10142/2009 të ndryshuar, në kuptim të nenit 29 të këtij ligji, skema për llogaritjen e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, e parashikuar nga Ligji nr.9418/2005 të ndryshuar me ligjin nr.9481/2006, nuk zbatohet, pavarësisht nëse masa e pensionit rritet apo ulet në raport me skemën e parashikuar nga ligji nr.8087/1996, të ndryshuar me ligjin nr.8521/1999. Me këtë njehsim Kolegjet e Bashkuara i japin fuqi ligjit nr.8087/1995 i ndryshuar i cili nuk është në fuqi nga data e hyrjes në fuqi e ligjit nr.9210/2004, i cili me nenin 49 shfuqizon të gjitha aktet ligjore e nënligjore që nuk janë në përputhje me të, dhe nga data 01.01.2006 i japin fuqi po ligjit nr.8087/1996 i ndryshuar pavarësisht se neni 33 i ligjit nr.9418/2005 i ndryshuar urdhëron se ky ligj dhe aktet në zbatim të tij nuk do zbatohen për ushtarakët e Forcave të Armatosura.

E katërta: Nuk respektuan parimin e sigurisë juridike dhe nuk i dhanë siguri praktikës gjyqësore me vendimin e tyre njehsues. 

Edhe pse si prestarë të Kolegjit Civil dhe Administrativ të Gjykatës së lartë, kishin krijuar një praktikë të konsoliduar nëpërmjet mospranimit të rekurseve të sigurimeve shoqërore dhe pranimit të rekurseve të paditësve ushtarakë, cenuan sigurinë juridike të interpretimit të çështjeve që rrok pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi i ushtarakëve. -Nëse nenin 11 të ligjit nr.8087/1996 i ndryshuar ishin shprehur; “në analizë të nenit 11, të Ligjit nr.8087, datë 13.03.1996, vlerëson se llogaritja e pensionit të parakohshëm është shumatore e vlerave që rezultojnë nga pika a) e kësaj dispozite (50% e pagës referuese) dhe pika b), e të njëjtës dispozitë (2% për çdo vit vjetërsie në punë mbi vitet e vjetërisë së shërbimit, që duhen plotësuar për të përfituar këtë lloj pensioni). Kufiri për të mos kaluar masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi, nuk është vendosur për shumën totale të pensionit të parakohshëm, por vetëm sa i takon vlerës në lidhje me 2% për çdo vit vjetërsie në punë mbi vitet e vjetërisë së shërbimit., këtë e ndryshuan dhe mohuan në vendimin njehsues nr.3, datë 24.11.2016. Në këtë vendim arritën në interpretimin njehsues se: “caktimi i pensionit të parakohshëm, sipas nenit 11 të ligjit nr.8087/1996, i ndryshuar me ligjin nr.8521/1999, bëhet duke u llogaritur sipas skemës: a) 50% e pagës referuese mbi të cilën është derdhur kontributi; dhe b) për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit mbi 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat masa e pensionit shtohet me 2% të pagës referuese. Por masa e përgjithshme e pensionit të parakohshëm nuk mund të kalojë masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi.

Vijon nesër
Sigal