Minatorët protestojnë para Kryeministrisë, reagon PD: Rama dhe qeveria e tij kanë braktisur Bulqizën

126

Mesditën e sotme, Sindikata e Bashkuar e Minatorëve ka mbajtur një protestë para Kryeministrisë, me qëllim plotësimin e kërkesave të tyre për paga më të larta dhe kushte më të mira.

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Eno Bozdo ka reaguar në lidhje me këtë protestë ku thotë se Kryeministri Rama nëpërmjet Këshillit Kombëtar të Punës dhe Inspektoriatit të Punës duhet të trajtojnë me seriozitet gjendjen e minatorëve të Bulqizës dhe të trajtojë me kujdes kërkesat e tyre.

Bozdo bëri me dije se PD është në mbështetje të protestës së minatorëve të Bulqizës , ndërsa theksoi se për aq kohë nga Rama do të qeverisë shqetësimet e shqiptarëve nuk do të marrin zgjidhje.

Reagimi i plotë:

Këtë e tregoi qartë protesta e sotme e Sindikatës së Bashkuar të Minatorëve përpara Kryeministrisë. Kërkesat e Sindikatës për paga më të larta dhe kushte më të mira pune janë të drejta absolute të punëtorëve.

Qeveria Rama nëpërmjet Këshillit Kombëtar të Punës dhe Inspektoriatit të Punës kanë tashmë përgjegjësinë direkte prej disa muajsh, të trajtojnë më shumë seriozitet gjendjen e vështirë të minatorëve në Bulqizë e kudo, dhe të ofrojnë një zgjidhje të arsyeshme për kërkesat e tyre.

Protesta vazhdon prej muajsh, por Edi Rama ka zgjedhur t`i injorojë minatorët plotësisht. Ndjeshmëria e tij për Bulqizën, minatorët edhe dhe qytetarët e saj, është shumë e qartë kur kërkon tu emërojë me dhunë si kryetar bashkie një konsumator ordiner të kokainës.

Nëse Bulqiza do të kishte mundësi të zgjidhte, sot në krye të saj do të ishte një kryebashkiak që do të solidarizohej me minatorët dhe do të luftonte për kauzën e drejtë të tyre. Qartazi kjo nuk është aspak në interest të Edi Ramës, as në Bulqizë dhe askund në Shqipëri!

Partia Demokratike mbështet plotësisht protestën dinjitoze të minatorëve për punë dhe dinjitet. Por është shumë e qartë tashmë se sa kohë Edi Rama do të qeverisë, asnjë interes i qytetarëve nuk do të ruhet dhe asnjë shqetësim i shqiptarëve nuk do të marrë zgjidhje. Sepse Edi Rama aleancat e tij i ka shpallur prej kohësh që i ka me krimin dhe oligarkinë, por jo me qytetarët dhe aq më pak me minatorët dhe qytetarët e Bulqizës!