Minatorët kërkojnë, urgjentisht, Kryeministrin Rama në Bulqizë

513
Sigal

Minatorët e larguar nga puna zbardhin për “Telegraf” ngjarjen e vërtet se si kolegu i tyre humbi jetën

Luan QAFOKU

Më datë 16 qershor 2013 minatorët Shefki Alla, Isuf Toska, Agim Laçi, Astrit Lusha dhe Mentor Cemeta janë pushuar nga puna pas aksidentit, ku humbi jetën shoku i tyre. Administrata e ndërmarrjes atë ditë, viktimën nuk e kishte pajisur me llambë ndriçimi që shërben për të bërë dritë në galeri (drita është shumë e domosdoshme për të punuar në minierë). Pas mbarimit të turnit të tretë, meqenëse pusi i thellë kishte defekt dhe nuk punonte, personat inxhinier teknik japin urdhër, pa e pasqyruar me shkrim, vetëm duke e pohuar me gojë që të përdoret pusi numër 3 për të nxjerrë punëtorët nga niveli i 5-të në sipërfaqe. Urdhri është dhënë edhe pse dihej që ky pus është vetëm për të nxjerrë vagonët dhe jo minatorët e nëntokës. Kështu minatorët pa e ditur se ç’i priste futen të gjithë së bashku, me gjithë shokun e tyre që ra, nga ashensor për arsyet që i cituam më sipër. Rreziku ishte aq i madh saqë nga ky ashensor mund të kishin rënë të gjithë së bashku, për arsye se pusi nuk është për të nxjerr njerëzit, por përpos këtyre ky pus është tejet i amortizuar. Kështu minatorët e larguar nga puna shprehen për gazetën “Telegraf” se ky nuk është faji i tyre, por është faji i administratës që nuk mbron jetën e minatorëve, ku punonjësit e administratës paguhen sa 3 fishi i minatorëve. “Kjo administratë punon edhe me firmat e tjera private që operojnë në rrethin e Bulqizës dhe shkurtimi ynë nga puna u bë në mënyrë arbitrare duke shkelur edhe Kodin e Punës. Për këtë i jemi drejtuar bordit të administratës dhe sindikatës, por edhe kjo sindikatë është bërë palë me administratën e firmës dhe askush nuk na jep të drejtë”, thanë minatorët.

Abuzimet me kontratën individuale të punës

Krahas këtyre problemeve minatorëve të kësaj firme u shpërndahet kontrata individuale e punës, ku sipas ish-kryetarit të sindikatës, Dilaver Perkoxha, në këto kontrata janë hequr 2 ditë leje e zakonshme. Minatorët duhet të paguheshin 22 ditë, por në fakt paguhen 20 ditë në muaj. Ku me një llogari të thjeshtë duket qartë se firma u vjedh punëtorëve të saj afro 70-80 milionë lek në vit, duke shkelur edhe shtesën që nuk derdhet për këto dy ditë tek sigurimet shoqërore, pra përveç minatorëve firma vjedh edhe shtetin shqiptarë. Gjithashtu është hequr edhe paga e 13 që në kontratën e parë ekzistonte. Nuk do të lemë pa përmendur edhe firmën tjetër që erdhi pas largimit të ACR-së, pasi kjo firmë nuk ka lidhur asnjë kontratë pune me minatorët, madje edhe punimet që bëhen në zonën D nuk shërbejnë për nxjerrjen e kromit, se ky krom është nxjerr nga firmat e palicencuara që i kanë në pronësi deputetë të majtë e të djathtë si dhe përfaqësues të pushtetit lokal. Kërkesa e vetme e minatorëve të larguar nga puna është që Kryeministri të bisedojë me ta. “I bëjmë thirrje Kryeministrit Rama që të vijë në Bulqizë, të ulet e të bisedojë me minatorët, sepse sindikatat kanë qenë gjithnjë jo mbrojtjes të të drejtave të minatorëve”, thanë ata për “Telegraf”.