Mimoza Leskaj: Njeriu vërtetë është një qenie shumë e çuditshme!

760
O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë… 

Malet e Skraparit 
Njeriu vërtetë është një qenie shumë e çuditshme!
Të paktën ne shqiptarët jemi të çuditshëm vërtetë. Mbas 50 vjetësh diktaturë (ku dhe miza dridhej kur merrte frymë) , më në fund dolëm nëpër botë, dhe pamë çdo gjë të bukur që ajo kishte, si dhe çdo gjë të ligë që mbante në rrugët e saj! 

Të munduar dhe të etur siç ishim, vrapuam si të çmendur për të rikuperuar atë ç’ka kishim humbur. Një pjesë e madhe e jona (ajo që quhet e njerëzishme) iu shtrua punës dhe jetës në të mirë të vetes, familjes dhe vendit, qoftë ku ndodhet, qoftë dhe ndihmën që jepnim për të ndihmuar ç’lamë pas. 

Jo e vogël pjesa ku u shndërrua dhe i mori ato ç’ka nuk janë njerëzore dhe i solli në këtë vend që vitet e kishin zhuritur ndryshe. 
Vrasës të jetës! 
Nuk janë më malet mbushur me gjelbërim, as me oksigjen për të cilin kemi aq shumë nevojë të qëndrojmë në këmbè. 
Pamë se si bota e vuan këtë dhimbje kaq të madhe dhe menjëherë si kopjacë perfekt, ia veshëm vetes ..!
Po pra se kjo na mungonte “ne të eturve për liri”.
Kjo na duhesh të tregonim se ne jemi të aftë për gjithçka shohim, dhe pse të mos e bëjmë? 
Mos të ankohemi se kemi shumë vapë dhe po vdesim nga të pamarrurit frymë lirisht. Në fund të fundit, ne jemi mësuar me gjysma frymësh, paçka se themi që fëmijët tanë i duam shumë.
E ç’do t’u tregojmë atyre ? 
Kemi jetuar breza të tërë gjysmash dhe nuk na mjaftoi, prandaj, o burra ta gjysmojmë dhe tokën, që në fund të fundit nuk harxhuam asnjë qindarkë për të qenë banorë të saj, por bujarisht na u dhurua.
Ah të mjerët ne, që zhveshim nga sytë tanë shijen e gjelbër të jetës, për t’u bërë vrasës të saj! 
“O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë, 
Nuk ju njoh më si viset e mi
Tashmë jeni një lëvozhgë që ka veç natë “
Sigal