Mimoza Ferraj: Koha të pastrojmë demokracinë nga kukullat e Ramiz Alisë, që mbajnë peng Shqipërinë

1038
Koha të pastrojmë demokracinë nga kukullat e Ramiz Alisë
Flet Mimoza Ferraj, ish-greviste dhe Studente e Lëvizjes së Dhjetorit 1990: Të punojmë për të larguar Kalin e Trojës nga demokracia jonë, e cila po mban peng Shqipërinë
Mimoza Ferraj, ish-greviste dhe Studente e Lëvizjes së Dhjetorit 1990 në një intervistë dhënë për gazetën “Telegraf” nga ShBA, është shprehur se ka dhënë gjithë kontributin e saj në Lëvizjen e Dhjetorit. Ajo tregon se ëndrra e shqiptarëve për të qenë të lirë po dizenjohej nga zyrat e Ramiz Alisë. Midis të tjerash ish-grevistja e Dhjetorit shprehet së është koha të kemi femrën në krye, ajo që do të bëjë lirinë për vete dhe për kombin…

1-Cili ka qenë roli juaj në lëvizjen studentore të vitit 1990 në Tiranë? 
Unë po jepja kontributin tim në Lëvizjen e Dhjetorit, si labe në gjak e edukuar nga babai im Remzi Ferraj, nuk kisha menduar dy herë për të mos u futur në atë gjendje të rendë dhe të zymtë për popullin qe kalonte ditët e ndarjes mes diktaturës dhe ëndrrës për liri. Brezi im kishte vite që vlonte nga brenda, ishim brumosur dhe pritnim momentin historik të bëheshim katalizatorë të proceseve. Por ëndrra për lirinë e shqiptarëve për fatin tonë të keq për dizenjohej nga zyrat e Ramiz Alisë. Ai kishte bërë një listë studentësh dhe intelektualësh për të futur në kurth demokracinë. Emrat e Ramiz Alisë, që ai kishte futur në listë, ishin emra bashkëpunëtorësh me të cilët ai pretendonte të bënte një kalim pushtetit të kontrolluar. Lista e Ramiz Alisë përmbante emra si, Mimoza Zhamo, Ilenja Mehilli e të infiltruar të tjerë nga një plan i mirëmenduar të stilit stalinist. Unë nuk isha në listën e tij, Mimoza Ferraj dhe studentë të tjerë nuk ishin ato që do pranonin pranga e reja të Partisë së Punës. Ne kishim një ëndërr tjetër, atë të demokracisë që donim ta bënim realitet për Nënën Shqipëri. 

2-Çfarë kuptimi kishte për ju kjo lëvizje? A u realizuan pritshmëritë tuaja?
Nuk kishte dhe nuk ka tjetër kuptim Lëvizja e Dhjetorit përveç lirisë. Thika ishte futur thellë në mish të një kombi krenar dhe rrezikohej të futet akoma me thelle në atë dhjetor. Të rrija të bëja sehir jo, nuk është në gjakun e një labeje të shikonte nga ballkonet e bllokut se çfarë do bëhej. E them me krejt zemër, se djemtë dhe vajzat që u futen në radhët e para, në sytë e tyre kishte vetëm dritë dhe mall për lirinë që po i kthehej Shqipërisë pas një diktature të rëndë, që kishte marrë dhe jetën e vëllait tim dhe mijëra shqiptarëve të tjerë për shumë dhjetëvjeçarë. A janë realizuar pritjet? Kur më bën këtë pyetje kam të therura në zemër, ndoshta më shkojnë edhe lot, por s’dua! E tani flas si nënë me fëmijë. Ne të gjithë kishim ëndërruar të kishim dhe të kemi një Shqipëri që do të na bënte të jemi krenar kudo që gjendeshim në botë. Por kukullat dhe instrumentet që kishte futur sistemi i Ramiz Alisë dhe sot e gjithë ditën janë Kali i Trojës në demokracinë e Shqipërisë dhe ne duhet t’i flakim, t’i heqim këto barëra të këqija nga rrënjë për të shpëtuar ato të demokracisë. 

3-Nëse ktheni shikimin pas në kohë çfarë do të ndryshonit nga ajo ditë?
Do të duhej të kishte ndodhur zgjimi i madh kombëtar, të eliminohej më fuqishëm plani stalinist i Ramiz Alisë. Nuk them si rumunët, por ashtu si e bënë, ndoshta sllovenët që e bënë më mirë se ne, por Shqipëria kishte një mundësi të artë, ta bënte madje më mirë se sllovenët. E gjykoj se do të duhej të ishte bërë një prerje e thellë që patriotë të mirëfilltë të dilnin në ballë të proceseve. Sigurimi i shtetit dhe strukturat staliniste ishin shumë thellë ne mendësinë e jetës së Shqipërisë. Shqipëria nuk po mundej të lirohej nga filozofia e robit, mbase nga frika se neostalinistët e Ramiz Alisë kishin një element të fuqishëm: Ekzekutimin fizik – plumbin! 

4-Keni pasur shoqe të tjera krah jush? Sepse pjesëmarrja femërore nuk është shumë e transmetuar në media apo mediume të tjera.
Ne kishim një gjendje frikë dhe tmerri, sepse dukej sikur po shembej një sistem i rrënuar stalinist por strukturat e sigurimit ishin ende të forta dhe ata për tre ditë nuk reshtën duke na kërcënuar dhe burgosur pothuaj të gjitha femrat që kishin në shpirt lirinë dhe demokracinë, ndërsa po favorizonte ato të cilat kishin detyrat e caktuara nga sigurimi i shtetit. Për tre ditë sigurimi më kishte kërkuar dhe mua të më arrestonte, madje në shtëpinë time në Vlorë kishin lënë edhe fletë-arrestin. Sistemi stalinist që kishte droguar një popull po vazhdonte format e veta, të fuste në hije rolin që femra kishte në ato procese. Unë besoj se po të duan historianët seriozë do t’i gjenin ato femra dhe të shkruanin për rolin e fuqishëm që kishin e që luajtën në ato procese. Por, nëse ai sistem stalinist i kishte droguar me dashakeqësi strukturat e caktuara për të fshehur rolin e vërtetë të femrës në lëvizjen studentore, ky sistem që kemi sot po vazhdon në po të njëjtën mënyrë, nuk i lë vendin e merituar femrës! Por unë kërkoj nga femrat që të marrin vetë rolin e merituar. 

5-Si ju duket roli i femrës sot në lëvizjet civile? 
Historia e Kombit Shqiptar, është e mbushur me raste ku emrat e femrës, nënës shqiptare janë shkruar me shkronja të arta. Akademikët serbë pranuan se femra shqiptare, nëna shqiptare në Kosovë ishte ajo që mundi akademitë serbe përmes lindjes së fëmijëve dhe edukimit të tyre, ato e fituan Kosovën, shtet më vete dhe e bënë të dështojnë elaboratet e akademikëve që kishin plane shfarosëse për të. Femra shqiptare sot vazhdon të mbahet nga grupet e interesit nën hije të kanabisit. Jam për një tjetër rol të femrës shqiptare në shoqërinë shqiptare. Gjithkund ku femra shqiptare shkon në botë, ajo ka një tjetër trajtim, është shembull i suksesit dhe e vlerave. Është propagandë e një mendësie komuniste ajo që flasin për kronikat e zeza të femrës shqiptare, jo, jo jo një tjetër femër shqiptare është duke e marrë rolin e saj në shoqëri. Emra të femrave të suksesshme në botë ka shumë, për to shkruhet, lexohet dhe dëgjohet në TV të vendeve të ndryshme të botës, ka ardhur koha që një praktikë e tillë e propagandimit të sukseseve të tyre duhet të zbarkojë edhe në Shqipëri. Është koha të kemi presidente femër, Kryeministre, është koha të kemi femrën në vendin që i takon, ajo që do të bëjë lirinë për vete dhe për kombin…


Sigal