Miliona lekë në xhepat e të emëruarve të Rilindjes

529
Sigal

Ministrat fitojnë tenderat me sekserët e tyre, drejtorët firmosin

 E ndërsa mediat flasin dhe denoncojnë afera korruptive, skandale dhe abuzime, shpërdorime me detyrën, e ndërsa KLSH zbulon vjedhjen e milionave eurove, duket se ata që nuk tremben para asgjëje mbeten të emëruarit e ministrave dhe deputetëve. Janë rilindësit e pushtetit që sfidojnë ligjet, institucionet, Kryeministrin e vendit, organet e drejtësisë, dhe opinionin qytetar. Tenderat e zhvilluara në 2 muajt e fundit në pothuajse të gjitha institucionet e shtetit, po fitohen nga sekserët e  ministrave ( ku shpesh drejtorët janë kthyer në kukulla)  nga miqtë dhe kushërinjtë e tyre, të cilët skualifikojnë firmat dhe kompanitë dinjitoze. U bëjnë sfidë dhe konkurrencë të pandershme firmave dhe kompanive që kanë mbi 20 vjet që punojnë e kryejnë ndërtime rrugësh , objektesh, ujësjellësish, e linjash prodhimi, duke fituar tendera me dhjetëra e qindra milionë lekësh, të cilat padyshim që as 50 për qind e tyre shkojnë në destinacion. Turrja pas milionave, turrja pas synimit për t’u bërë milionerë në pak muaj, ka bërë që ministrat dhe drejtorët e tyre  tu binden instinkteve, kurse këta të fundit sms dhe të shkelin ligjet dhe tejkalojnë kompetencat e postit të tyre. Drejtorët  sot në Elbasan, Durrës, Korçë, Vlorë, Tiranë, Shkodër dhe pothuajse në gjithë rrethet e vendit, duke qenë mëkëmbës të  ministrave i janë turrur lekut, dhe nuk bëjnë hapin pa marrë lekët për gjithçka. Në OSHEE, në Ujësjellës, Porte, Bashki e Komuna, në pothuajse të gjitha ndërmarrjet nacionale, tenderat fitohen nga miqtë dhe sekserët e drejtorëve, ministrave dhe deputetëve. Por skandali sa vjen e thellohet në raste si ai në Ministrinë e Shëndetësisë, ku çdo tender i është deleguar një dore të vetme e cila nuk bën hapin pa pyetur “shefin”,  kurse drejtoritë e spitaleve në rrethe nuk llogariten fare. Tenderat për medikamentet, pajisjet, pjesët e këmbimit të tyre, madje deri tek blerjet e detergjenteve, bëhen në ministri, kurse në drejtoritë rajonale spitalore, paraqitet sekseri me dosjen e tenderit të fituar. Kjo është shkelje ligjore, por deri sot askush nuk merr guximin të flasë. E njëjta gjë ndodh edhe me drejtoritë që janë nën varësinë e ministrive të tjera. Shpesh spitalet e rretheve mbeten pa medikamente, pa shiringa, pa doreza, pa serume, dhe pa karburant, pasi tenderat zhvillohen pasdite vonë në zyrën e posaçme në Ministrinë e Shëndetësisë. E ndërsa propagandohet me të madhe se “gjithçka është on-line” në realitet tenderat kanë datën, orën dhe fituesin e tyre atëherë kur ka vendosur “shefi”. Dhe askush nuk flet, pavarësisht se të gjithë nën zë, thonë se dikasteri punon sikur të ishte koha kompani private dhe institucion shteti. Shkelen ligjet, thyhen rregullat, abuzohet me detyrën, përvetësohen para me miliona. Kjo po ndodh edhe me degët e OSHEE në rrethe. Burime nga degët e OSHEE thonë se “magazinat janë pothuajse bosh, merret vesh dhe nuk kuptojmë asgjë, se si do të përballojmë dimrin me këtë situatë kur defektet janë shtuar dhe linjat  janë sakatosur”. Kjo pasi tenderat edhe për izolatorë dhe pica, bëhen lart tek “shefi”, në tender futen miqtë e tij dhe fitojnë ata, pavarësisht se shpesh malli që mbush magazinat është jashtë standardi. Sërish drejtorët vetëm sa firmosin dosjet e ardhura dorazi nga “fituesit” e tenderave, dhe nuk kanë asnjë të drejtë të kërkojnë as adresën  e tyre. Detyrimi dhe porosia  që ministrat u bëjnë dhe japin fituesve të tenderave, është vetëm  njohja me drejtuesit poshtë në rrethe, tu japin dorën, ti prezantohen dhe kaq. Vlerën e tenderit dhe gjithçka tjetër e di vetëm kryetari komisionit tenderues që ka shpallur “fituesin”. Një tragjikomedi me ligjet e shtetit, institucionet, me aktorë drejtuesit e lartë të tyre, dhe një shpërdorim e përvetësim i paparë dhe i padëgjuar i parave të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë. Kjo situatë ka futur institucionet e shtetit në kolaps, pasi ato po ecin kuturu, aq sa shpesh ka drejtorë që thonë se “jemi kthyer në robotë pa memorie, gjithçka duket sikur po shkon drejt rrënimit”. Por edhe përballja me ligjin nuk ka gjasa ti trembë shtetarët e shkrehur, pasi ata duket sikur kanë veç postit, edhe mbrojtje imunitare duke futur madje në kurthe edhe njerëz të organeve të drejtësisë për ti përdorur në një ditë të “keqe”. Ky shtet po ecën si orteku i dëborës, ku vetëm nisja i shihet, kurse përfundimin nuk e mendon askush.

Tefik  OSMANI