Miliarda lekë i kushtojnë shtetit, pushimet nga administrata publike

458
Sigal

FENOMENI I PASTRIMIT/ Gjykata e Faktit Sarandë sjell fakte tronditëse. Po paguhen njerëz që rrinë në shtëpi

Fenomeni i pastrimit të administratës publike pas çdo rotacioni politik, si në nivel lokal, ashtu edhe atë qendror (rotacion që në Shqipëri është kthyer në ritual pas çdo tetë vitesh të një qeverisjeje koalicioni, si i majtë, ashtu edhe i djathtë!?), fenomen që i kushton shtetit miliarda lekë. Kjo situatë është aq shqetësuese, sa po të vijojë (pritshmëritë politike duket se janë të tilla), në këtë kohë krize, do të jetë një katastrofë ekonomike për shqiptarët. Burime nga Gjykata e Faktit të Sarandës sjellin fakte tronditëse, si pasojë e këtij fenomeni me tendenca të kthimit të një tradite administrative. Vetëm gjatë dy viteve të fundit, 2012-2013, kjo gjykatë ka marrë në shqyrtim rreth 50 çështje, ku paditësit, njerëzit e larguar nga puna, kanë fituar të drejtën për t’u paguar në pjesën e kohës që janë larguar padrejtësisht nga puna (kjo sipas vendimeve të gjykatës), duke i kushtuar kështu buxhetit të shtetit miliarda lekë, po të kihet parasysh si fenomen në gjithë vendin. Largimi nga puna i punonjësve pa motivacion ligjor dhe pa argumente të shkeljes së punës, ka detyruar gjykatën të marrë vendimet të tilla. Burimet e Gjykatës së Sarandës thonë, se ky mund të quhet edhe abuzim me detyrën nga ana e drejtuesve të institucioneve që largojnë punonjësit nga puna në mënyrë të pa motivuar. Por përtej këtij fakti, pasi shumë çështje, për arsye ngarkese të çështjeve, janë transferuar për vitin 2013, duke shtuar kështu riskun e kohës së papunësisë që do të paguhet nga largimi i paligjshëm, vjen edhe konkluzioni se të gjithë këtë risk financiar e mban buxheti i shtetit. Pse lind pyetja? Kur gjykata vërteton parregullsi ligjore të vendimit për largim nga puna të punonjësve, pse duhet që shteti të përballojë këtë risk duke paguar njerëz që rinë në shtëpi dhe marrin rrogën.

Asnjë penalizim për drejtuesit

Deri më sot, jo vetëm në Sarandë, por në gjithë Shqipërinë, nuk është penalizuar asnjë drejtues institucioni për shkelje të ligjit dhe krijimin e një kaosi social dhe ekonomik. Po të bëhet kjo, besojmë se do frenohet deri diku ky fenomen gërryes i inteligjencës shqiptare, në të kundërt na jep të drejtën të mendojmë se ky fenomen është pjesë e axhendës së politikës shqiptare dhe simulohet nga vet ajo. Ky mendim përforcohet edhe nga opinioni publik që qarkullon se kryeministri i ri i vendit, Edi Rama, akoma nuk po bën asgjë, nuk po heq njeri, janë përsëri ata, etj., etj.. Pra kjo goditje administrative është bërë pjesë e mendimit dhe mentalitetit publik.