Miliarda euro prokurime, firma shqiptare fiton me një çmim 5 herë më të lartë se me firmën amerikane

260
Përparim Halili

Miliarda euro prokurime jashtë çdo reference ligjore, ku firma shqiptare fiton me një çmim 5 herë më të lartë se me firmën amerikane
Gjeneralët, Kolonelët dhe mafia e “Mbrojtjes” , po shpenzojnë fiktivisht “miliarda“ lekë, referuar ligjit absurd të “amortizimin fizik e moral të pajisjeve”, duke shkaktuar me vetëdije të plotë dëmtimin “operacional“ të sistemit të radarëve dhe cenuar rëndë Sigurinë Kombëtare
Faktet tronditëse të skandalit të mos sigurimit të operacionalitetit të “Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare” (sistemit të radarëve detarë), që kanë cenuar elementët thelbësorë të Sigurisë Kombëtare si edhe të shpenzimeve financiare totalisht fiktive të “miliarda” lekëve në Ministrinë e Mbrojtjes, gjatë drejtimit të Zonjës Mimi Kodhelit, kanë pasur si pikënisje të kësaj “afere mafioze-korruptive” shtetërore pikërisht “studimin e mirëmbajtjes të sistemit – tre vjeçar”, i ri-hartuar në muajin dhjetor 2014 në Ministrinë e Mbrojtjes / Shtabin e Përgjithshëm nga Drejtoria e Ndërlidhjes (Drejtoria e Mega-skandaleve dhe e korrupsionit), përfaqësuar në atë kohë nga Kolonel Ferdinand Dimo (miku më i besuar personal i Kodhelit dhe Sekretarit Kraja) sikurse e mbështetur fuqimisht nga Ish- Shefi i Shtabit të Përgjithshëm FA Gjeneral Maj. Jeronim Bazo (pjesë e këtij skandali), shoqëruar në këtë rrugë “miliardëshe” nga Gjeneral Maj. Qemal Shkurti, Gjeneral Maj. Ylber Dogjani dhe dy Komandantët e Qendrës së Vëzhgimit Detar Kol. Edmond Voci dhe Kol. Ulsi Rexha, të cilët kanë firmosur fatura pa asnjë punë teknike dhe rezultat “operacional” të sistemit. Në sinkronizim të plotë me “dëshirat e firmës“ si edhe të realizimit të “planeve individuale financiare” 20% e kusur (por që faktet sot tregojnë që taksat e përfitimit kanë kaluar normën e 50%) ky “zinxhir civilo-ushtarak korrupsioni “Kolonel – Gjeneral – dhe Ministria” hodhën në koshin e “harresës” komplet studimin legal (1 dhe 3-5 vjeçar) dhe procedurën e prokuruar, sipas studimit, në Ministrinë e Mbrojtjes, në dhjetor 2013, firmosur po nga Zonja Kodheli, Gjenearal Shkurti, – studim i cili jo vetëm siguroj riparimin e sistemit duke e kthyer atë në gatishmëri të plotë operacionale por edhe e “mirëmbajti sistemin e radarëve“ deri në shkurt 2015. Referuar atij studimi/kontrate me objekt “Mirëmbajtjen e SIVHD-së – Blerja e materialeve elektro-mekanike për të realizuar “Mirëmbajtjen-shërbimet/riparimet/zëvendësimin e pajisjeve/ moduleve, që mund të defektohen, shërbimet teknike-profilaktike, për të garantuar shfrytëzimin teknike-operacional të SIVHD-së (hardware)”, konstatohet se “mirëmbajtja e sistemit” ka kushtuar vetëm 16 942 512 lekë (të reja – pa TVSH), fond financiar i shpenzuar vetëm për të blerë dhe furnizuar pajisje teknike rezervë, të dorëzuara në depon e SIVHD-së, për tu përdorur/zëvendësuar pajisjet të instaluara në sistem, në rast defekti.
Studimi-procedura e prokuruar “miliardëshe”, është jashtë çdo ligji dhe reference ligjore, në variantin “full risc”, e pashkruar, e padëgjuar në asnjë dokument të APP apo zyrë shtetërore.
Meqenëse “oreksi” i ish- Ministres Kodheli vinte gjithmonë duke u shtuar – “babëzia” nuk kishte kufi, dhe “suflerët – Kolonelët, Gjeneralët” e saj, për të fituar si “bakshishin” por dhe “yjet” e gradave, pasi evidentuan “oreksin” e babëzisë Kodheli-Kraja, u shprehën të gatshëm të fillonin aventurën “miliardëshe” që sot ka për pasojë faktike të vërtetuara nga shumë Institucione e Ministri që: 

– sistemi nuk është operacional prej 3 vjetësh, prej firmosjes së kontratës tre vjeçare, pasi sistemi është defektuar në bërthamën të tij, pra softin amerikan të menaxhimit qendror të sistemit MTM200 është jashtë funksioni, 

– kemi të vërtetuar me fakte “cenimin e Sigurisë Kombëtare” si edhe shpërdorim totalisht “fiktiv – pa asnjë punë” të “miliarda” lekëve; sikurse duhet përmendur një “rezultat”: tonelata drogë në brigjet Italiane (referuar edhe atij Raporti teknik të vetë stafit të SIVHD-së, në janar 2016.

Ministria e Mbrojtjes, duke përjashtuar studimin/procedurën e prokurimit të vitit 2013-2014 (i njëjti version edhe për studimin 2013-2017)”, në dhjetor 2014, ngriti një grup të ri pune në SHPFA, iniciuar nga Kolonel Ferdinand Dimo dhe SHSHP Gjeneral Maj. Jeronim Bazo, udhëhequr nga Drejtoria e Ndërlidhjes dhe me përfaqësues nga KFD-ja për të “ri-hartuar” një studim të ri për “mirëmbajtjen e sistemit të SIVHD” – por tani në variantin “full risc” (studim dhe procedurë e prokuruar si edhe në vitin 2011, komplet abuziv, jo ligjore, referuar edhe “Raportit final të Auditit” Nr. 4186, datë 30.11.2011), studim – jo më në variantin “çmime për njësi” për çdo “zë/vëllim” pajisje/riparim/shërbim/mirëmbajtje periodike në sistem (vitin 2013-2014), por në variantin me “pagesa të fiksuara mujore”, pavarësisht “sasisë dhe cilësisë” të shërbimit/mirëmbajtjes.

Studimi/prokurimi nuk ka asnjë referencë ligjore dhe teknike – thjesht i referohet një Ligji mbi “Tatimin mbi të ardhurat – amortizimin”, pa asnjë lidhje me shërbime “mirëmbajtjeje” sistemesh, pikërisht: Ligjin Nr.8438 dt.28.12.1998 “Tatim mbi të ardhurat”, Neni 22 ”amortizimi”, pika 5 “Kategorizimin e amortizimit të dy aktiveve me 25%, “amortizimin fizik e moral të pajisjeve”!!!. 

Ky devijim i referencës ligjore u bë vetëm për arsye abuzimi/shpërdorimi maksimal financiar për të arritur e nivelit të fondit limit mesatar mbi 1.2 miliard lekë (të vjetra), fakt i vërtetuar tashmë ku fondi i shpenzuar vetëm në vitin e parë kalendarik të “shërbimit/mirëmbajtje të sistemit 2015 – 2016 është 115 233 655 lekë – të reja (Kontrata Nr. 233/3, datë 11.08.2015, lidhur në KFD) dhe totali për tre vjet “mirëmbajtje” mbi: 355 000 000 lekë (të reja), pra afërsisht 3.5 miliard lekë (të vjetra) në tre vjet.
Ministria e Mbrojtjes ka prokuruar dhe firmosur kontratën me firmën shqiptare me një kosto 5 herë më të lartë se me firmën amerikane.
Krahasimi i vlerës financiare të mirëmbajtjes totale vjetore të sistemit: midis firmës amerikane “Lockheed Martin Global INC”, me një kosto vjetore prej saj rreth 250 000 $, afërsisht 18 000 $ në muaj nga ku u lëvruan, pranë depove të sistemit, pjesë rezervë në vlerën 70 460 $; – kontratën e “mirëmbajtjes të SIVHD-së në vitin 2014 nga firma IDEA TEL sh.p.k, me vlerë totale 16 942 512 lekë (të reja – pa TVSH), si edhe tani po nga kjo firmë për vitet 2015 – 2018 (kontratë tre vjeçare), ku vlera vetëm për vitin 2015 arrin fondin financiar 115.233.655 pra mbi 1.15 miliard lekë (të vjetra) – afërsisht 97 milion lekë në muaj (për 3 vjet 2015 – 2017, në vlerën totale prej 3.55 miliard lekë), është tregues faktik i “mega korrupsionit” në Ministrinë e Mbrojtjes, nga këta Kolonel, Gjeneral dhe ish- Ministria Kodheli, pra një dosje e përgatitur “mjeshtërisht” gati për tu dërguar pranë SPAK-ut dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Vlera “miliardëshe” marramendëse fare fiktive e shpenzuar është “tronditëse”.

Këtë variant anti-ligjor dhe totalisht korruptiv prokurimi “full risc” është pretenduar në vijimësi edhe gjatë vitit 2013 gjatë hartimit të studimit nga Komanda e Forcës Detare nga ky Kolonel Dimo, Gjeneral Maj. Bazo dhe shpura tjetër, por u tërhoqën pas qëndresës të pa lëkundur të “Grupit të punës” që hartoji studimin si dhe mbështetjes nga Drejtoria e Auditit, rekomandimeve nga APP-ja dhe AKSHI, të iniciuara, nxitura përherë nga grupi i punës. Kulmi i ushtrimit të “influencës dhe presionit” ka arritur kur vetë Shefi i SHPFA Gjen. Maj. Jeronim Bazo, nën “regjinë” e organizuar nga Kolonel Ferdinand Dimos, përpara gjithë Drejtorëve në SHP ka pretenduar fuqimisht që të aplikohej ky “model – full risc” në të ardhmen, por që atëherë nga grupi i punës nuk është pranuar, por “fakti-rezultati” tregon sot që kjo procedurë gjendet e aplikuar, pas “ringritjes dhe rihartimit të studimit” nga vetë SHPFA.

Ky model kontrate “full risc” i lejon stafit të SIVHD-së të përgatitë vetëm “Planet e shërbimeve periodike – mujore” në sistem sipas manualeve teknike të aparaturave për tu realizuar nga firma, por asnjëherë nuk mundëson, lejon apo detajon asnjë “kosto financiare – “argumentimi vlerë shërbimi” të “pagesës fikse mujore” ndaj firmës, thjesht Komanda e SIVHD-së firmos fatura mujore, pavarësisht ka punuar apo jo firma në sistem.
Sqarim ligjor: studimi, procedura e prokuruar për vitin 2013-2014 ka pasur si referencë ligjore: – Aktet Ligjor dhe Administrative mbi “prokurimet: ”Vendimit nr.1 datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimit publik”, i ndryshuar, Kreu II, Kreu III; VKM nr.153, datë 22.03.2007, VKM nr.135, datë 03.02.2008, i ndryshuar si edhe VKM nr.392, datë 08.04.2008, – konstatimet dhe rekomandimet e “Raportit të Auditit” të Ministrit të Mbrojtjes me Nr.Prot. 11186, datë 30.11.2011 mbi “vlerësimin e ligjshmërisë së prokurimit me fonde publike për mirëmbajtjen e sistemit të SIVHD-së gjatë vitit 2011, statistikat e defektimeve të pajisjeve elektronike ndër vite në sistemin e SIVHD (në % për çdo pajisje) si edhe në Manualin 4 – Analiza teknike për punimet dhe instalimet teknologjike të Ministrisë së Punëve Publike (Tetor 2011) dhe Transportit (Sektori i Standardizimit të Kostos – për llogaritjen/caktimin e kostove për zërin “shpenzime të përgjithshme në masën 8%”), dhe si çmime reference për blerjen e pajisjeve/aksesorëve. Përllogaritja e “kostos financiare” – fondit limit të procedurës së kryerjes të “shërbimeve, riparimeve, zëvendësimit të pajisjeve elektronike që “do të mund të defektohen” në sistem dhe kryerjen e mirëmbajtjes teknike periodike”, mbështetej totalisht në dhënien e “çmimeve për njësi” për çdo “zë/vëllim” pajisje/riparim/shërbim/mirëmbajtje periodike në sistem.
“Skandali” shtesë, në këtë procedurë – kontratë “mirëmbajtje të sistemit”, nga MM-ja dhe firma shqiptare IDEA-TEL Sh.p.k, ishte se kontrata fillestare tre vjeçare e firmosur kishte të përfshirë edhe mirëmbajtjen e softit MTM200, por që me defektimin e tij korrik 2015 (pavarësisht se duhej të ishte siguruar kopja në sistemin “back up” nga vetë firma në përfundim të kontratës bazë maj 2014), firma në bashkëpunim me stafin e Ministrisë së Mbrojtjes, Komandës së Forcës Detare ndryshuan dokumentet e mbyllura të tenderit dhe ato të firmosura të kontratës, duke i “mundësuar” firmës ndryshimin e softit qendror MTM200 dhe lejuar instalimin e softit tjetër të vetë firmës. Vetëm ky proces, më vete, është një skandal, pasi këtu fillon menaxhimi “mafioz” pra, lejimi i organizuar i lëvizjes së “gomoneve” drejt brigjeve italiane. Sot, ky soft dhe sistemi në tërësinë e tij, menaxhohet direkt nga qendra e firmës duke thyer çdo “normë tekniko-sigurie” të FA, të NATO-s, duke mos harruar që prej vitit 2009 jemi Anëtar i saj. Ministria/KFD-ja nuk zbatoi asnjë hap ligjor-administrativ-teknik, kur minimumi do të ishte ngritja e një “grupi special teknik” për të vlerësuar “dëmin teknik” dhe të merrte “propozimet” e zgjidhjes të defektit, të kontaktonin firmën amerikane “Lockheed Martin Global Inc.”, si i vetmi “burim” për ta riparuar atë, pasi përveç kostove të shpenzuara për blerjen e tij, në nivelin 450 000$, diskutohej esencialisht “operacionaliteti” i sistemit).

Pikë shtesë skandaloze e kontratës: Studimi – kontrata ka planifikuar që firma të siguroj “blerjen e pjesëve rezervë për sistemin”, ku tekstualisht thuhet se këto pjesë rezervë “do të mbahen në depon e firmës dhe n.q.s nuk përdoren, i zotëron firma në fund të kontratës!!!!”), pikë e cila përbën një “çështje shtesë skandaloze sigurie dhe korrupsioni, sepse prek direkt garantimin e “sigurisë operacionale” të sistemit, pasi depon e firmës nuk mund ta kontrollojë askush si për sasinë e pajisjeve rezervë por edhe për “cilësinë, origjinalitetin, specifikimet teknike, certifikatat e pajisjeve etj etj”. Kjo formë skandaloze abuzimi është aplikuar identikisht edhe në procedurën e prokurimit në vitin 2011, realizuar nga po e njëjta firmë IDEA TEL sh.p.k, ku firma përdor po ato pajisje të “rezervuara” prej asaj kontrate. Dhënia e “të drejtës” me kontratë direkt firmës – pa asnjë mundësi kontrolli/verifikimi, dhe jo Komandës të SIVHD-së, të sigurimit dhe ruajtjes të pjesëve/pajisjeve rezervë “të riskut – emergjencës” të zëvendësimit të tyre në rast defekti për të garantuar vijimësinë e “operacionalitetit” të sistemit (sipas paragrafit V – me 76 artikuj), sikurse “dhurimi-falja” firmës të komplet pajisjeve rezervë “të pa përdorura”, përbëjnë një shkelje të pa precedent, si në fushën “operacionale” ashtu edhe “financiare”. Ky “poçes” është një absurditet ekstrem, jashtë çdo logjike e reference ligjore, identike njëlloj si në vitin 2011, po nga e njëjta firmë mirëmbajtjeje, sipas të njëjtit definim, pa respektuar raportin e auditit.

Pikë tjetër skandaloze: Pavarësisht se është lidhur kontrata tre vjeçare me firmën, aktualisht në depon e SIVHD-së gjenden shumë pajisje të reja ende të pa përdorura që prej vitit 2010, pajisje të defektuara, që do të duhet të riparohen (sipas të njëjtës procedurë riparimi që ka kryer firma amerikane gjatë mirëmbajtjes të sistemit në vitin 2010) sikurse gjenden pajisjet e pa përdorura ende, të furnizuara nga kjo firmë gjatë realizimit të kontratës së “riparimit dhe mirëmbajtjes së sistemit për vitin kalendarik 2013-2014. Këto pajisje do të qëndrojnë në depo pa u përdorur, sepse kontrata e re nuk e lejon përdorimin e tyre. 

Skandali dhe korrupsioni pa fre i ish-Ministres Mimi Kodheli dhe Gjeneralëve, arrin deri aty sa që po të njëjtës firmë, i jep edhe tenderin tjetër paralel (Kontrata Nr.54/2; 14.02.2017) për të përmirësuar sistemin në vlera: 37.800.000 lekë (të reja) – Shpenzime për rritjen e AQT – instalimi i sistemit të kompjuterëve ne Repartin Ushtarak 2001 KFD, Durrës (Kontrata nr.54/2 14.02.2017) – tender tjetër kompensim shtesë të Kontratës së mirëmbajtjes së sistemit, sikurse nuk kanë mjaftuar 1.2 miliard lekë, ku edhe përmirësimet apo vendosjen në gatishmëri të pjesëve të sistemit, bëhet po me tenderë shtesë për të njëjtin qëllim, objekt tenderi!). Firma private e ka për detyrë “kontraktuale“ të riparojë ose të përmirësojë sistemin, kur nuk ka mundësi ta zëvendësojë atë me të njëjtën pajisje, pra të blejë pajisje elektronike shtesë për sistemin, sepse është “detyrim kontraktor” i saj për të realizuar kontratën. Firma jo vetëm që vjedh para, pajisje, frekuenca, etje etj, por edhe ato shpenzime për blerjen e pajisjeve ose shprehur ndryshe çdo lloj ”përmirësimi” që do të duhet të bëjë në sistem, referuar kontratës bazë 3 vjeçare, organizon dhe ”përvetëson” përsëri tenderë, dhe nuk harxhon asnjë lekë nga kontrata bazë fillestare, pra vjedhje si ”rrjedhje lumi” të parave”. Kjo është totalisht e pa parë në “historinë e tenderëve në Ministrinë e Mbrojtjes. Forcat e Armatosura zotëroj të gjitha kapacitete ligjore, teknike, njerëzore dhe strukturore që të realizojnë vetë mirëmbajtjen e sistemit (pjesërisht pjesën e softit MTM200), sepse firma LMGI-SHBA ka trajnuar stafin teknik të QVD-së. Pikërisht ky staf ka siguruar mirëmbajtjen e komplet sistemit në të gjithë periudhat e pa prokuruar si në vitin 2011 – 2012, 2013, deri në momentin që kanë konsumuar komplet pjesët rezervë në depon e SIVHD-së. Pra MM/KFD-ja duhet të sigurojnë vetëm blerjen e pjesëve rezervë për sistemin, duke eliminuar shpenzimet financiare tepër abuzuese. Duke iu referuar vetëm kostove të shpenzuara gjatë mirëmbajtjes të sistemit nga firma amerikane (vitin 2010) sikurse edhe “modelit/procedurës” të prokuruar dhe zbatuar në vitin 2013-2014, kërkesave reale për pjesë këmbimi e shërbime speciale mirëmbajtje, pajisjeve të pa përdorura gjendje në depo, riparimin e pjesëve e defektuara, përmirësimet e kërkuara në sistemin e “mbrojtjes elektro-statike” të rrjetit elektrik dhe të sistemit të antenave e godinave, vendosjen në dispozicion të mirëmbajtjes të sistemit ushtarakët “profesionistë” elitarë, të trajnuar nga vetë firma amerikane dhe arsimuar jashtë vendit (p.sh. skandaloze rasti i Major Moisi Xhaferi, diplomuar si Inxhinier “teknik radarësh” në Itali, Inxh. Zamir Tirana, Tet. Redion Çollaku etj, që nuk janë pjesë e atij sistemi apo janë larguar qëllimisht nga MM/SHPFA) mund të kalkulohet maksimumi një kosto financiare reale vjetore për kryerjen e shërbimit “mirëmbajtje të SIVHD-së” në vlerat 30 – 35 milionë lekë (të reja) hardware-software, dhe duke përllogaritur fondin e prokuruar /shpenzuar për këtë “mirëmbajte sistemi” dëmi ekonomik, abuzimi-korrupsioni financiar mund të kapë vlerat min.-maks. 50-80 milionë lekë (të reja) për çdo vit kalendarik shërbimi.