Milaim Zeka: Në 75-vjetorin e lindjes, Enver Hoxhës i dërgova 75 karafila në emër të Kosovës

2316
Sigal

Intervistë me gazetarin nga Kosova, Milaim Zeka në emisionin “Oktapod” të Turjan Hyskës.  Si i dërgoi lule Enverit për ditëlindje,  vizita në Shqipërinë komuniste, lufta në Kosovë,  takimet për udhëheqësit shqiptar të 20 viteve të fundit dhe situatën sot në Kosovë.

Turi: A ke bërë ndonjëherë pakt me Djallin?

Milaimi:- Asnjëherë, asnjëherë! Në rastin konkret, unë djall quaj klasën politike të Kosovës.

Turi: Çfarë të ka mbetur në mendje diçka nga fëmijëria jote?
Milaimi:- Kur ishte 75-vjetori i lindjes së Enver Hoxhës, unë i dërgova atij 75 karafila. Prindërit e tu e dinë historinë e atij studentit që i dërgoi 75 karafila Enver Hoxhës.

  Këtë e tregojnë si një minus në karrierën tënde?
-Në asnjë mënyrë, në karrierën time unë mendoj që një nga pluset më të mëdha është pikërisht kjo.

Pse vendose t’i dërgosh Enver Hoxhës 75 karafila?
-Sepse ne shqiptarët matanë kufirit, shqiptarët nën ish-Jugosllavi, e kemi dashur Shqipërinë dhe bashkë me Shqipërinë e kemi dashur edhe Enver Hoxhën. Unë do të turpërohesha nëse do të rrëfeja këtu se i kam çuar lule Titos, por jo Enverit. Enveri i ka bërë shumë të zeza Shqipërisë, por i ka bërë edhe shumë të mira. Unë nuk jam në grupin e atyre që thonë sikur Enver Hoxha, t’i kishte bërë vetëm të këqija këtij vendi, 3 milionë shqiptarë do kacavirreshin nëpër drurë si majmunë, nuk do ishin njerëz. Në lidhje me Enver Hoxhën do të konsideroja mëkat nëse ndonjëherë do t’i shërbeja Enver Hoxhës. Unë vetëm e kam dashur Enverin. Ta duash dikë asnjëherë nuk bën mëkat. Ata që i kanë shërbyer Enver Hoxhës, ata që kanë qëndruar në oborrin e tij, p.sh. Sali Berisha, ata e shajnë Enverin në mënyrë ekstreme. Sepse kanë pasur të mira nga E. Hoxha. Kurrë në jetën e vet E. Hoxha s’ më ka bërë mua as mirë as keq. Prandaj jam pa asnjë kompleks.

Çfarë mban mend nga hera e parë që ke ardhur në Shqipëri?
Po e them për herë të parë… në momentin që zbrita në aeroportin e Rinasit, kur erdha nga Vjena, Sigurimi i Shtetit që më priste në aeroport më vuri syzet e diellit dhe unë u shokova. Thashë “pse këto syze”, se unë nuk i përdor. Më thanë “se ka agjentë Jugosllavë” këtu. Pastaj u shokova aq shumë, aq shumë gjatë qëndrimit tim 56-ditor në Shqipëri, saqë nga Tirana e deri në Vjenë jam kthyer duke qarë. U ndjeva keq.

Cila ishte fjalia e parë që i the dikujt që takove në Vjenë, pasi erdhe nga Shqipëria?
Fjalinë e parë ja thashë një poeti të njohur kosovar në Tiranë, Adem Istrefit. I thashë: “Ndoshta je agjent i Sigurimit, ndoshta nuk je…”. Ishte ora 02 e natës, ishim duke shëtitur. I thashë: “Lulet, të cilat ja kam sjellë Enver Hoxhës, dashtë Zoti, në atë botë t’i bëhen ferra”, sepse u zhgënjeva shumë!”.

Cili ka qenë rreziku më i madh që ke përjetuar (si gazetar)?
Gjatë bombardimeve në Kosovë, gjatë luftës së Kosovës jam plagosur dhe afër meje kanë vdekur 22 ushtarë të UÇK-së…
… Por, e kam rrezikuar jetën, edhe në kohën e Sali Berishës.
Natën kur Ismail Kadareja ka ikur nga Shqipëria, ka qenë Konferenca e Vendeve Ballkanike në Tiranë, për herë të parë u organizua. Atë natë unë isha i dërguar nga Radio Televizioni i Suedisë dhe isha i vetmi gazetar prej 120 gazetarëve të botës që u lejova për të bërë një pyetje për Ramiz Alinë në momentin kur hyri në hotel “Dajti”. Ramiz Alia nuk e priste që unë do ta pyesja për të burgosur politikë dhe për të drejtat e njeriut. Aty deshën të më arrestonin Sigurimi i Shtetit, por më shpëtoi Vladimir Prela, i cili në atë kohë punonte në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Shpëtove sepse ishe suedez?
Shpëtova sepse isha suedez.
Dhe hera e dytë ka qenë nga Sigurimi i Gazidedes, në kohën e Sali Berishës, ku po ashtu kanë dashur të më rrëmbejnë. Ne kishim ardhur si ekip për të bërë një film etnografik për Shqipërinë.

Pse ishte kjo dëshirë e Sali Berishës, ish-Presidentit të asaj kohe, për të të rrëmbyer e për të të burgosur?
Kur u krijua Rilindja Demokratike, unë kam qenë afër tij dhe kam qenë edhe në banesën e Saliut. Me thënë të drejtën e kam konsideruar në ato vitet e para si një njëri shumë të madh. Mbas njohjes time nga afër, kam parë që ai është një njeri… Formimi i tij nga brenda ka qenë i atillë që mua më ka lënë përshtypje që është një njeri shumë ekstremist. E konsideroj mëkat të madh për Shqipërinë, që Sali Berisha e ka udhëhequr për 20 vjet.

Në Kosovë, ish- kryetarin e PD dhe ish -Kryeministrin e duan shumë.
Nuk është e vërtetë. Nuk mendoj kështu.

Janë legjenda urbane?
Është legjendë e pasaktë për arsye se unë dhe shumë njerëz si unë mendojnë se në qoftë se E. Hoxha “ja ka lujt nanën” Shqipërisë, S. Berisha “ja ka lujt edhe babën”! Ne mendojmë se Sali Berisha i ka bërë shumë të këqija Shqipërisë.
Dhe po them për herë të parë, se shqiptarët e Shqipërisë duhet ta dinë që në regjimin e Sali Berishës është burgosur komandanti Adem Jashari në Tiranë. Këtë mund të ta konfirmojë Fatos Klosi. Edhe Hashim Thaçi ka qenë i arrestuar në Tiranë.

Kur kanë ndodhur këto?

Në vitet e luftës, vitet ‘90. Është arrestuar Ramush Haradinaj, në kohën kur ka pasur të vëllain të vrarë mbi kurrizin e vet. Është arrestuar Femi Llandrovci, që është hero i Kosovës.

Ku janë arrestuar?
Në Kukës! Ndërsa Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Adem Jashari janë arrestuar në Tiranë.

Pse nuk janë bërë kurrë publike?
Sepse  ne shqiptarët jemi mësuar ta dëgjojmë historinë fallco. Ne, historinë e shkruajmë në bazë të miteve, të thashethemeve dhe jo në bazë të arkivave. Unë mendoj që Sali Berisha duhet të rrëfehet. Të rrëfehet dhe të tregojë se kush ja solli atë ‘dezinformacion’ që kishte për shqiptarët më iminentë të Kosovës, njerëzit më patriotë, nacionalistët më të mëdhenj. Janë burgosur, janë ndjekur, janë persekutuar, janë diferencuar nga Gazidede, nga Shërbimi Sekret i Sali Berishës.

Nuk e ka ndihmuar S. Berisha luftën e Kosovës? UÇK-në?
Në asnjë mënyrë! Përkundrazi, e ka dëmtuar Sali Berisha dhe e kanë dëmtuar edhe shumë njerëz të Partisë Socialiste, luftën e Kosovës.

Me Sokol Ballën çfarë marrëdhëniesh ke?
Sokol Balla… po të tregoj një episod që është shumë i dhimbshëm. KFOR-i tek ne dhe Bashkësia Ndërkombëtare thoshin qe nuk ekzistonte Armata Kombëtare Shqiptare, AKSH-ja, para disa viteve. Unë arrita që të hulumtoja dhe t’i zbuloja ata, por u bë një luftë e paparë nga ana e komandantit të KFOR-it që të mos transmetohej intervista në RTK. Unë telefonova televizionin Top Channel, telefonova dhe Sokol Ballën, dhe i thashë se a e dëshironin, meqë ishte shumë ekskluzive, se është në interesin e televizionit tuaj që ta transmetoni, e kështu të bisedonim rreth shitjes. Ai nuk më ktheu përgjigje, dhe të nesërmen e pashë në “Top Story”: U bë debat rreth ekzistimit apo mosekzistimit të AKSH-së, dhe u dha kronika ime, kronika ime! Sokol Balla tha “e falënderoj kolegun tim, mikun tim Milaim Zeka, që na ka dhënë këtë kronikë, që s’ishte fare e vërtetë.
E dyta, “Opinioni” p.sh., Blendi Fevziu, përmes një hajduti të quajtur Auron Tare, drejtori aktual i turpit… për mbrojtjen e detit. Këtu dua të dal, që është turp për qeverinë shqiptare që ka atë, sepse ai bëri një gafë të madhe dhe për mbrojtjen e bregdetit. Auron Tare ka qenë përkthyes në Kukës për televizionet e huaja. Ne i sillnim materialet tona nga fronti i luftës, ndonjëherë unë i sillja vetë, ndonjëherë i çonim përmes ushtarëve të UÇK-së. Dhe ky i ka marrë kopjet e materialeve prej televizioneve britanike, e ja ka dhënë Blendi Fevziut. Kanë bërë 2 emisione, materiale ekskluzive, ky e kalon shumë lehtë, duke thënë: “Ka qenë në ‘frontline’ një gazetar i Suedisë, me origjinë nga Kosova. As nuk ma thonë emrin, as nuk thonë që janë materialet e mia”.

A ke reaguar?
Kam reaguar, jam sharë. Auron Tares i kam thënë, s’kam lënë gjë pa i thënë. Ka qenë me Edi Ramën në Prishtinë. Edhe Blendi Fevziun e kam marrë në telefon e s’kam lënë gjë pa i thënë. Por kot, nëse s’ke shtet thuaj ç’ të duash, s’ ja ndjen fare. Të kishte pasur shtet, i kishe paditur e kishe marrë dëmshpërblim.

A vlerëson ndonjë, në të gjithë këtë gazetarinë shqiptare? Është ndokush që e vlerëson?
Po absolut, kam kolegë shumë të mirë, që i vlerësoj.

Për shembull?
Për shembull, meqenëse folëm për lajme, e kam vlerësuar shumë lart Armand Shkullakun. Këtë, që punon edhe tek ju, që merr pjesë nëpër debate… Andi Bushatin. Kam konsiderata për ta. Çipën… Është një brez i gazetarëve shumë të mirë. Shqipëria ka gazetarë të mirë, edhe Kosova ka gazetarë të mirë. Por “bosat”, të cilët i udhëheqin mediat, ose le të themi kryeredaktorët, ata, pastaj varet qysh i orientojnë gazetarët. Sado që gazetari im të jetë i mirë, në qoftë se, unë si Kryeredaktor nuk jam i mirë dhe profesional, gazetari im ka për të dështuar.

Mëkati më i madh i Ibrahim Rugovës?
Që nuk ka qenë asnjëherë te varri i Adem Jasharit.

I Hashim Thaçit?
Që nuk ka ditur t’i çmojë asnjëherë miqtë dhe shokët që e kanë dashur.

I Ramush Haradinajt?
Që nuk i ka vlerësuar asnjëherë ata që e kanë vlerësuar atë.

I Albin Kurtit?
Që asnjëherë nuk ka arritur të kuptojë që ne nuk kemi asnjë problem me Serbinë, por ne kemi problem me veten tonë dhe se Serbia ka problem me veten e vet.

I Fatmir Limajt?
Që flet kundër korrupsionit dhe gjërave që nuk duhet të fliste, përderisa është i akuzuar për korrupsion.

I Isa Mustafës?
Që nuk shkon në pension.

I Jakup Krasniqit?
Mëkati më i madh i Jakup Krasniqit është që ka pranuar të hyjë në nisma.

I Edi Ramës?
Që ka marrë këshilltar Baton Haxhiun.

Pse?
Sepse Baton Haxhiu është te ne, pjesa matanë… dihet publikisht që ka qenë njëri, i cili është takuar me ish-shefin e Shërbimit Sekret të Millosheviçit, me Stanishiçin. Dhe këtë e ka ditur Edi Rama dhe e ka marrë për këshilltar. Dhe nuk do të duhej ta kishte këshilltar as Shkëlzen Maliqin, as Baton Haxhiun.

I Enver Hoxhës?

Që e ka izoluar Shqipërinë.

Mëkati më i madh i Ahmet Zogut?
Që i ka falur toka Serbisë për të ardhur në pushtet në Shqipëri.

Mëkati më i madh i Ilir Metës?
Që s’ka pasur asnjëherë qëndrim politik, ka lëvizur herë majtas e herë djathtas.

I Lulzim Bashës?
Që i ka hyrë një misioni të pamundur për ‘të, sepse nuk është i sinqertë dhe nuk mendoj që ka për të arritur të çojë PD-në atje ku duhet.

Mëkati më i madh i Behxhet Pacollit?
Që ka hyrë në politikë.

Mëkati më i madh i Sali Berishës?
Që ka pranuar të udhëheqë Shqipërinë dhe se ka bërë gabime më të mëdha se të Enver Hoxhës.